AKTUALITET

Masakra e vitit 2010, i dënuari me burg përjetë kërkon pafajësinë

10:09 - 04.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Klodiana  HAXHIAJ
DURRËS – Arjan Çelaj i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e kryer në Durrës 7 vjet më parë kërkon pafajësinë. Gjykata e Lartë ka kthyer në Gjykatën e Shkallës së Parë për rigjykim dosjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur më 27 janar të vitit 2010, ku brenda në një lokal të qytetit bregdetar mbetën të vrarë tre persona. Bëhet fjalë 17-vjeçarin Ani Curri, Luan Curri dhe biznesmenin e ndërtimit, Edmond Shemsi. Ndërkaq, mësohet se shorti i ka rënë kryesuesit, Petraq Curri, me anëtarë Joana Qeleshi dhe Rexhep Bekteshi. Burimet zyrtare nga gjykata e Durrësit dje bënë me dije se më datë 6 mars në orën 13:00 është parashikuar nisja e procesit gjyqësor, pas prishjes së vendimit të dënimit nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. “Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 441 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi prishjen e vendimit nr. 306, datë 30.05.2012 të Gjykatës së Apelit Dur

rës dhe të vendimit nr.797, datë 14.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës me tjetër trup gjykues”, pohuan burimet nga gjykata. Por rikthimi i dosjes për krimin e trefishtë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Durrësit ka pasuar me reagimin e familjarëve të viktimave. Ata u shprehën dje për “GSH” se një proces i tillë gjyqësor është absurd, i pakuptimtë, pasi është provuar katërcipërisht se 42-vjeçari Arjan Çelaj është autori i masakrës. “Çfarë drejtësie është kjo?! Si mundet një i dënuar me burgim të përjetshëm të kërkojë pafajësi, kur është provuar se ai është vrasësi. Si mund të shpresojmë tek vetingu, nëse vijojnë të jepen vendime të tilla nga gjykatat”, thanë të afërmit e viktimave.
MASAKRA E VITIT 2010
Ngjarja e rëndë është shënuar mbrëmjen e datës 27.01.2010, në lagjen nr. 9 të qytetit të Durrësit. Ani Curri, 17 vjeç ishte në lokalin në pronësi të babait të tij, ndërsa në një tavolinë aty afër ka qenë duke qëndruar edhe xhaxhai i tij, Luan Curri si dhe biznesmeni Edmond Shemsi. Ata po shikonin një ndeshje futbolli në televizorin e lokalit. Rreth orës 22:30, pranë lokalit është afruar një motor, me të cilin udhëtonin 2 persona, një në timon dhe një tjetër në sediljen pas drejtuesit të motorit, i cili dyshohet se ka qenë Arjan Çelaj. Sipas organit të akuzës dhe gjykatave, rezulton se kur kanë arritur pranë lokalit, Çelaj ka zbritur nga motori është drejtuar për në brendësi të lokalit, ku me të hyrë brenda, ka nxjerrë armën tip automatik dhe ka qëlluar jo me breshëri, por me qitje një nga një të fishekëve në drejtim të viktimave: minorenit Ani Curri, Luan Curri dhe Edmond Shemsit, duke i lënë të vdekur në vend. Pas masakrës, burime nga grupi hetimor thanë se dyshohej që njëri prej viktimave të ishte shënjestra e sulmit me armë dhe konkretisht Luan Curri, person me precedentë penalë. Ai ishte gjykuar për përdhunimin e një minoreneje në vitin 2004, ndërkohë që pas vendimit të Gjykatës së Lartë, ishte lënë i lirë, pas një periudhe burgosjeje prej tre muajsh. Gjithashtu, u tha se Luan Curri kishte edhe një konflikt pronësie dhe se i trembej një hakmarrjeje për një ngjarje të ndodhur para disa vitesh. Në lidhje me këtë ngjarje u akuzua Arjan Çelaj (vrasës me pagesë) në atë kohë 35 vjeç. Ky i fundit u arrestua (3 ditë pas masakrës) në qytetin e Vlorës në banesën e tij. Sipas policisë, autori i dyshuar pasi ka qëlluar ndaj tri viktimave, është larguar me një motoçikletë tip “Yamaha”. Atë po e priste një tjetër person dhe më pas janë larguar. Ndërkaq, Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit, më 14 dhjetor të vitit 2011 e shpalli fajtor Çelajn dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Ky vendim u la në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit të Durrësit më 30 maj të vitit 2012.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.