AKTUALITET

Shtohen dy grada në Policinë e Shtetit, pagat e reja

07:09 - 04.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Xhensila KODRA

 

Nga janari i vitit 2018 pritet që në Policinë e Shtetit të shtohen edhe dy grada, ajo e “Inspektori i parë”, dhe grada e “Inspektori i dytë”. Shtimi i të dyja këtyre gradave brenda radhëve të policisë do të sjellë edhe një fond shtesë, që do të parashikohet në buxhetin e Policisë së Shtetit. Duke u bazuar në kriteret që janë të përcaktuara në projektligj, parashikohet që rreth 1000 punonjësve të Policisë së Shtetit do t’u jepet grada “Inspektor i parë”, ndërsa rreth 1135 punonjësve do t’u jepet grada “Inspektor i dytë”. Mësohet se pak ditë më parë ishin 9 deputetë të mazhorancës që depozituan në Kuvend disa amendamente për ligjin e Policisë së Shtetit, ku u propozua edhe shtimi i këtyre dy gradave. Ndërkaq, burime të sigurta të “Gazeta Shqiptare” bënë me dije se efekti total financiar që rrjedh nga zbatimi i këtij projektligji përllogaritet në shumën 106.860.000 lekë (66.000.000 lekë për gradën “Inspektor i parë” + 40.860.000 lekë për gradën “Inspektor i dytë”). Por, duke qenë se ky efekt nuk është i parashikuar në buxhetin e Policisë së Shtetit për këtë vit (2017), në projektligj parashikohet që hyrja në fuqi e neneve 6, 7 dhe 9 të cilat parashikojnë shtimin e këtyre dy gradave të bëhet më 1 janar 2018, me qëllim planifikimin e fondeve përkatëse në programin buxhetor të Policisë së Shtetit për vitin 2018.

Paga për gradën “Inspektori i parë”

Burimet e lartpërmendura bënë me dije se për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilëve do t’u jepet grada “Inspektor i parë” parashikohet që paga të bëhet 54.500 lekë, aq sa ishte paga për gradën e kryeinspektorit. Efekti financiar i përllogaritur për gradën “Inspektor i parë” është 66 milionë lekë. Kështu, shtesa prej 5,500 lekë përllogaritet referuar pagës për gradë prej 54.500 lekë të parashikuar për gradën “Inspektor i parë”, minus pagën për gradë prej 4.900 lekë që marrin aktualisht këta punonjës, të cilët mbajnë gradën “Inspektor”.

Paga për gradën “Inspektori i dytë”

Për punonjësit e policisë, të cilëve do t’u jepet grada “Inspektor i dytë”, parashikohet që paga të bëhet 52.000 lekë. Efekti financiar i përllogaritur për gradën “Inspektor i dytë” është 40.860.000 lekë. Kështu, shtesa prej 3.000 lekë, përllogaritet referuar pagës për gradë prej 52.000 lekë të parashikuar për gradën “Inspektor i dytë”, minus pagën për gradë prej 4.900 lekë që marrin aktualisht këta punonjës të cilët mbajnë gradën “Inspektor”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.