POLITIKË

Peticioni/ Edi Rama: Dialog me opozitën edhe në çadër, por pa kushte

08:31 - 05.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




NGA DARINA TANUSHI

Kryeministri Edi Rama firmosi dje, peticionin e shoqërisë civile për nisjen e zbatimit të vetingut, ndërsa deklaroi se nuk ka çfarë negocion me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pas firmosjes së peticionit, shoqëruar edhe nga deputetë të Tiranës, Rama u shpreh për gazetarët: “Negociatat me Bashkimin Europian do të nisin në momentin që fillon zbatimi i ligjit të vetingut. Me opozitën nuk kemi çfarë negociojmë, por kemi çfarë bisedojmë. Nëse opozita është vërtet e shqetësuar për zgjedhje të lira e të ndershme, me standarde edhe më të larta se ato që kemi pasur më parë, është e mirë- seardhur”. “Ne jemi të tërë sy e veshë për të parë dhe për të dëgjuar propozime konkrete dhe realiste, në mënyrë që t’i bëjmë menjëherë pjesë të legjislacionit të zgjedhjeve. Po ashtu, ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe të bisedojmë me opozitën për çdo gjë tjetër, pa asnjë lloj problemi”, – deklaroi kryeministri. I pyetur për kërkesën e opozitës për qeveri teknike, Rama tha: “E vetmja gjë që ne nuk bisedojmë dot, ose ne mund ta bisedojmë, por nuk vendosim dot ne, është ajo çka me Kushtetutë i takon sovranit. Është sovrani që vendos kush është në qeveri dhe kush është në opozitë”. Edhe më pas, në “FB”, Rama theksoi: “Dialog për çdo çështje dhe pa kushte me opozitën, edhe te çadra po të duan, po opozita nuk duhet të mbajë peng Drejtësinë dhe të ardhmen e këtij populli duke bllokuar vetingun që çliron Shqipërinë”. Sipas kryeministrit Rama, është momenti për të zbatuar vetingun, në bazë të Kushtetutës së ndryshuar nga 140 deputetë. “Është momenti që Partia Demokratike të mos abuzojë dhe të mos shpërdorojë mekanizmin e kompromisit të nevojshëm dhe të shëndetshëm, që është i shkruar në Kushtetutë, duke i dhënë qeverisë dhe opozitës akses të barabartë në përzgjedhjen e anëtarëve të komisioneve të vetingut”, – tha Rama. Sipas tij, “opozita ka detyrimin të zbatojë Kushtetutën në afatet e përcaktuara dhe të mos fshehë kokën përballë këtij detyrimi të madh kombëtar e publik, duke qëndruar në çadër”. “Unë nuk përsëris qëndrimet refraktare dhe të gabuara të paraardhësit tim, që vinte kushte për të diskutuar. Ne nuk kemi asnjë kusht për të diskutuar. Ne diskutojmë çdo gjë. Por jo çdo gjë ne mund ta plotësojmë. Opozita ka të drejtën e vet të kërkojë qeveri teknike, të kërkojë qeveri inxhinierike, qeveri hidraulike, qeveri energjetike apo qeveri astronomike. Janë të drejtat e opozitës. Ne kemi detyrimin që t’i konsiderojmë me shumë seriozitet kërkesat e opozitës dhe çfarë mund ta plotësojmë, ta plotësojmë, çfarë s’mund ta plotësojmë, nuk e plotësojmë dot”, – u shpreh më tej kryeministri. “Ne jemi gati të ulemi vetë, ballë për ballë me këdo që paraqitet nga çadra, dhe jemi gati të diskutojmë çdo gjë, pa kushte. Por bëhet fjalë për dialog, pra, bëhet fjalë për dy palë, dhe ka gjëra që mund të biem në dakord, ka gjëra që s’mund të biem dakord, dhe ka gjëra që edhe po të duam të biem dakord, nuk biem dot dakord, sepse i kalojnë përgjegjësitë dhe kompetencat tona. Është kompetencë e popullit shqiptar ta ndajë se kush është në qeveri dhe kush është në opozitë. Nuk është kompetencë e askujt”, – theksoi Rama. I pyetur nëse PS-ja do hyjë në zgjedhje pa opozitën, Rama theksoi: “Ne nuk hyjmë në zgjedhje me opozitën apo pa opozitën. Ne hyjmë në zgjedhje si parti, secila bazuar në vendimmarrjen e vet. A do hyjë apo s’do hyjë opozita në zgjedhje, kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni opozitës. Nëse doni mendimin tim, opozita do hyjë në zgjedhje, se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të qenë opozitë. Kështu që, unë nuk e kam këtë shqetësim, por është e drejta e tyre të marrin vendim dhe të mos hyjnë në zgjedhje. Nuk ka asnjë problem për mua”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.