Intervista

Albana Koçiu: Si do të rekrutohen 1082 punonjës të rinj në administratë

10:02 - 06.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Darina TANUSHI




Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, shpjegon në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, se si do të rekrutohen 1082 punonjës të rinj në shërbimin civil për vitin 2017. Znj. Koçiu njofton se shpallja e këtyre vendeve të punës ka nisur të bëhet prej ditësh dhe do të vijojë gjatë gjithë vitit, deri në fund të tij. Drejtoresha Koçiu hedh poshtë të gjitha aludimet se 1082 vendet e reja në administratë janë hapur për fushatë elektorale. Ajo nënvizon se rekrutimet nuk kanë lidhje me fushatën dhe me partitë politike. “Shqipëria është në rrugën e hapjes së negociatave me BE-në dhe administrata publike do të bëjë të gjithë këtë proces, ndaj ajo duhet të jetë ajka dhe të marrë kapacitetet më të mira. Nuk ka lidhje me militantët. Ata kanë punën e tyre. Mekanizmat janë pikërisht për të garantuar që njohuritë, aftësitë nuk zhvlerësohen nga miku, shoku, deputeti”, deklaroi drejtoresha e DAP, Albana Koçiu.
Zonja Koçiu, prej ditësh është njoftuar që do të hapen mbi 1 mijë vende të reja pune në administratën publike. A mund të na e shpjegoni më gjatë se në cilat pozicione do të jenë ato?

Së pari më lejoni të sqaroj se nuk bëhet fjalë për 1 mijë vende shtesë në organikat e institucioneve. Për të qenë të saktë, janë 1082 pozicione të reja pune, që janë tashmë të lira si rezultat i daljeve në pension, dorëheqjeve apo sepse gjatë vitit 2016 nuk ka pasur kandidatë të kualifikuar gjatë procedurave të konkurrimit që janë zhvilluar etj. Për këto arsye, por edhe për shkak të mobilitetit që ka shërbimi civil, pra të drejtës që kanë punonjësit e shërbimit civil për të lëvizur nga një institucion në një institucion tjetër të shërbimit civil apo për t’u ngritur në detyrë. Aktualisht kemi 1082 pozicione vakante pune në shërbimin civil, për të cilat Departamenti i Administratës publike, së bashku me ministren e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, paraqitën në Këshillin e Ministrave planin e rekrutimit për këtë vit, i cili u miratua dhe do të duhet të vihet në zbatim përgjatë gjithë 2017-ës. 1082 pozicionet u përkasin të gjitha pozicioneve hierarkike në administratë. Dua të them që, kemi 675 pozicione pune të nivelit “specialist” apo ekzekutiv dhe diferencën e kemi në pozicionet e nivelit të ulët drejtues, të mesëm drejtues dhe të lartë drejtues. Pra, janë përgjegjës sektori, drejtorë drejtorie apo drejtorë të përgjithshëm. Ajo që duhet të theksoj është që legjislacioni i shërbimit civil ka krijuar mundësinë që për pozicionet menaxheriale, siç janë: përgjegjës të sektorëve, drejtorë të drejtorive, plotësimi i këtyre vendeve të bëhet përmes nëpunësve civilë, brenda institucioneve, pra nëpunës ekzistues. Ata kanë të drejtë që nëpërmjet lëvizjes paralele, apo nëpërmjet ngritjes në detyrë, të plotësojnë pikërisht vendet menaxheriale. Ky është edhe një element i rëndësishëm i legjislacionit të shërbimit civil, i cili jep mundësi reale për t’u zhvilluar në karrierë. Kurse të interesuarit nga jashtë shërbimit civil, ata që nuk kanë qenë ndonjëherë pjesë e administratës shtetërore apo ata që kanë qenë dikur dhe kërkojnë të rikthehen, është i vlefshëm konkurrimi në nivel specialisti. Këto vende hapen për konkurrim nga jashtë, pasi ka përfunduar lëvizja paralele, që do të thotë, pasi u është dhënë mundësi nëpunësve që janë brenda sistemit të konkurrojnë për këto pozicione. Në përfundim të procedurës, nëse pozicioni nuk plotësohet me nëpunës civilë, atëherë hapet konkurrimi nga jashtë sistemit të shërbimit civil, gjithmonë për kategorinë “specialist”.
Çfarë keni bërë aktualisht?
Aktualisht, pas miratimit të planit që ka ardhur si rezultat i mbledhjes së të gjithë informacionit nga të gjitha institucionet, tashmë jemi në fazën e grupimit të pozicioneve të ngjashme të punës, që kërkojnë edhe kritere të ngjashme. Dihet tashmë që ne nuk shpallim më një vend të lirë pune, por shpallim disa pozicione të ngjashme, pra i grupojmë. Aktualisht kemi përfunduar grupimet e para. Janë rreth 8 grupe pozicione ekzekutive që janë grupuar nga Departamenti dhe që shpallen çdo ditë.
Pra, duhet theksuar se, nuk është se të 1 mijë vendet do të shpallen sot dhe konkurrimi për to, bie fjala do të bëhet në prill, por të 1 mijë vendet grupohen dhe në të njëjtën kohë shpallen ditë pas dite. Pra, çdo ditë, nëse do të shikoni faqen e Departamentit www.dap.gov.al, do të shihni se ka shpallje të reja. Ky proces do të zgjasë deri në fund të vitit. Nuk është një proces që ka një fillim dhe një mbarim me data fikse për të 1000 vendet. Pozicionet janë të ndryshme, kriteret janë të ndryshme dhe afatet përkatëse për secilën procedurë janë të mirëpërcaktuara. Ka pozicione pune për të cilat nuk kërkohet eksperiencë e mëparshme në profesion. Kjo gjë u jep studentëve të sapodiplomuar apo të rinjve që janë futur rishtazi në tregun e punës, por që ende nuk kanë arritur të krijojnë një eksperiencë të mirëfilltë, mundësi reale për të aplikuar, për t’u bërë pjesë e procesit e për të provuar veten. Nëse rezultojnë të suksesshëm, ata nisin karrierën e tyre në administratën publike e kështu mund të zhvillohen edhe më tej. Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi ndërmarrë një nismë për të bashkëbiseduar me studentë, me të gjithë të sapodiplomuarit nëpër fakultetet e vendit, pikërisht për t’u dhënë mundësi atyre të njihen me procedurat e aplikimit për një pozicion pune në shërbimin civil. Kjo nismë është një ftesë shumë e sinqertë për t’i informuar, për t’i bërë aktivë dhe për t’u treguar se ka mundësi për ta. Ne i informojmë mbi anën teknike të procedurës, avantazhet e një pune në administratë, atë çka ata mund të japin, e në përfundim i ftojmë të aplikojnë, për ta provuar vetë procesin, dhe më pas me të drejtë të mund të japin gjykimin e tyre mbi fjalët që dëgjojnë shpesh se vendet në administratë janë të zëna, apo konkurset janë fiktive, bëhen kot. Përgjigjja më e mirë është të vijnë dhe ta provojnë.
Si çdo konkurs tjetër, do të ketë fitues, por do të ketë edhe nga ata që nuk arrijnë të kualifikohen qysh me tentativën e parë. Shpesh konkurrenca është e lartë, kandidati mund të ketë emocione që ndikojnë negativisht, qoftë edhe në fazën e intervistës me gojë, ndaj është e rëndësishme që të gjithë ta provojnë dhe në rast se nuk arrijnë të fitojnë herën e parë, kanë një shans më tepër në tentativën e dytë, pasi njohin më mirë mënyrën e organizimit të procedurës.
Sidoqoftë, ne jemi përherë në dispozicion për të dhënë mbështetje për këdo, qoftë nëpërmjet adresës zyrtare [email protected], faqes sonë në “Facebook”, ku u kushtojmë shumë rëndësi mesazheve dhe komenteve të qytetarëve, dhe një numri kontakti ku kushdo mund të kontaktojë me sektorin e IT për pyetje teknike mbi llogarinë personale.
A mund të kemi një informacion se çfarë formimi apo çfarë diplomash kërkojnë këto 8 grupime pozicionesh që pritet të shpallen?
Aktualisht kemi gati dhe do të fillojmë shpalljen për pozicione ekzekutive që kërkojnë diplomë të shkencave juridike, të shkencave ekonomike. Në administratë kemi specialistët e buxhetit, specialistët e financës, për të cilët kërkohet një diplomë në shkenca ekonomike, dhe ndërkohë kemi juristët e procedurave administrative, juristët që ndjekin proceset gjyqësore, marrëdhëniet me gjykatën apo juristët që merren me hartimin e kontratave për të cilët vlen diploma në shkenca juridike. Gjithashtu kemi pozicione që kanë të bëjnë me marrëdhënie me publikun, pozicione që kanë të bëjnë me burimet njerëzore, specialistë të informacionit dhe teknologjisë.
Deri tani, sa ka qenë interesimi për këto vende pune?
Nëse shkojmë te viti 2016, ne kemi pasur rreth 17 mijë aplikime për rreth 800 vende vakante në administratën publike. Pra, mund të them që kemi një raport të mirë të kandidatëve që duan të aplikojnë për një vend pune. Sot që flasim, për një vend pune aplikojnë 13 kandidatë. Gjithashtu, gjatë vitit 2016 ka pasur një rritje të kandidatëve të kualifikuar në raport me të gjithë ata që aplikojnë, krahasimisht me një vit më parë, çka tregon se qytetarët janë më të qartë mbi kriteret, mënyrën e aplikimit, dokumentacionin, dhe tashmë dinë të zgjedhim më mirë vendet që u përshtaten dhe kriteret përkatëse në përputhje me formimin e tyre. Kemi tentuar të punojmë shumë fort në këtë drejtim, mbase jo aq publikisht, por duke iu përgjigjur çdo email-i, çdo mesazhi, çdo telefonate dhe çdo kërkese për sqarim. Kemi dhe disa ide shumë interesante për t’i ndihmuar edhe më tej kandidatët, për të cilat jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të jenë gati. Sigurisht, këto të dhëna na rrisin edhe më tepër përgjegjësinë për të qenë sa më transparentë. Të mos harrojmë që me çdo aplikant ne kemi komunikim përmes email-it që nga momenti i parë i aplikimit deri në fund të proceduarve. Gjej rastin këtu të sqaroj edhe një herë për të gjithë lexuesit procedurën e aplikimit. Çdo i interesuar duhet të krijojë profilin e tij, pra një llogari personale në faqen e DAP. Aty do të hedhë të gjithë dokumentacionin që kërkohet, diplomat, certifikatat etj. Së pari, çdo aplikant duhet të ketë detyrimisht një diplomë, pavarësisht nivelit, pra qoftë bachelor apo master. Diploma është një nga dokumentet më të rëndësishme dhe të nevojshme për aplikimin. Për rastet kur janë kryer të gjitha detyrimet ndaj universitetit por mungon thjesht kartoni, mjafton vërtetimi përkatës nga universiteti për të mos penguar aplikimin. Përpos diplomës, nevojitet dokumentacioni përkatës mbi eksperiencën në profesion, e detyrueshme kjo për shpalljet të cilat përvojën e kanë si kriter specifik. I gjithë informacioni që duhet të plotësojë kandidati dhe dokumentacioni mbështetës janë detajuar në çdo shpallje.
Çdo dokument është një bazë, mbi të cilën vlerësohet CV-ja e çdo kandidati, dhe në bazë të procedurës ka 15 pikë maksimale. Vlerësimi bëhet me pikë për elementët që ka dosja personale e tij. Ky vlerësim është në faqen e DAP dhe është i verifikueshëm nga kushdo për të parë se pse është vlerësuar me 1 pikë, apo 5 pikë secili element i dosjes. Vlerësimin mund ta bëjë edhe vetë kandidati nga shtëpia, duke përllogaritur vetë se sa pikë do të marrë nga dosja që ka. Çdo i interesuar duhet të shikojë çdo shpallje që bën DAP, të shikojë me kujdes pikën 2.1, sepse pikërisht aty janë kriteret e veçanta që duhet të plotësojë kandidati, kritere të cilat, nëse nuk plotësohen janë skualifikuese. Aty është niveli i diplomës, lloji i diplomës, eksperienca, të cilën duhet ta vërtetojnë me dokumentacion, pra nëse këto kritere nuk plotësohen, kjo të skualifikon. Më pas, nëse e shikon që i plotëson këto kritere, kandidati mund të bëjë aplikimin, vetëm duke klikuar “Apliko” në shpalljen përkatëse, pasi ka krijuar dosjen e plotë personale. DAP ka edhe afatet e brendshme të nevojshme për verifikimin e çdo aplikimi, për të parë nëse kandidatët i plotësojnë apo jo kriteret, dhe për të dalë më pas me listat paraprake të atyre që plotësojnë kriteret. Nëse edhe në këtë fazë ka kandidatë që kanë pretendime dhe që mendojnë se u është bërë padrejtësi nga procedura e paraseleksionimit nga DAP, kanë të drejtë të ankohen. Ankimimi mund të bëhet online, por edhe dorazi. Pasi merren në shqyrtim të gjitha ankesat, ne dalim me një listë finale të të gjithë kandidatëve, të cilët janë të vlefshëm për fazën e testimit me shkrim.
Edhe këtu kemi disa mekanizma që i garantojnë çdo aplikanti transparencë. Është një test komplet i sekretuar, me një bar-kod, i cili gjenerohet automatikisht nga sistemi, dhe lidhja e bar-kodit me emrin e individit bëhet vetëm në fund, pasi është skanuar edhe testi me shkrim dhe janë gjeneruar pikët për çdo test. Flasim tashmë për një testim i cili përmban pyetje me alternativa. Nuk ka më, ose ka shumë rrallë teza me pyetje me shtjellim. Vlerësimi bëhet automatik nga një skaner. Nëse merr nën 30 pikë në testimin me shkrim, nuk të jepet e drejta të kalosh në testimin me gojë. Edhe këtu bëhet njoftimi i kandidatëve me email. Ditën që caktohet intervista me gojë, sërish njoftohen kandidatët, dhe këtu gjithashtu kanë një mundësi të dytë. Ata janë përpara një komisioni vlerësimi me 5 anëtarë, ka një përfaqësues DAP, dy janë ekspertë të fushës, kryesisht pedagogë të fakulteteve apo ekspertë të licencuar, dhe dy përfaqësues nga institucionet që kanë vendet vakante. Në intervistën me gojë ka një mekanizëm kontrolli. Kandidati ka të drejtën e regjistrimit të intervistës me gojë dhe më pas, nëse ka pretendime mbi vlerësimin e komisionit, mund të kërkojë rishqyrtim pikërisht në bazë të këtij regjistrimi. Intervista me gojë ka si synim të vlerësojë më shumë aftësitë individuale të komunikimit, bashkëpunimit, zgjidhjes së situatave dhe të punës nën presion. Pikët e grumbulluara në testin me shkrim, testin me gojë dhe në jetëshkrimin e kandidatit përbëjnë rezultatin final, dhe nëse kandidati është vlerësuar me mbi 70 pikë, është fitues.
Për të sqaruar se çfarë ndodh me ata që kanë marrë mbi 70 pikë. Nëse në grupin e fituesve kemi 4 vende të lira dhe mund të kemi 7 fitues, 4 të parët që kanë marrë më shumë pikë kanë të drejtën të përzgjedhin pozicionin e dëshiruar brenda grupit përkatës, duke nisur nga ai me pikët më të larta e me radhë. Pra 4 të parët marrin 4 vendet e punës.
Ata 3 që mbeten konsiderohen sërish fitues nga DAP dhe regjistrohen në listat fituese. Në momentin që ka një kërkesë nga një institucion për një nevojë emergjente të plotësimit të vendit të punës, qoftë në mënyrë të përkohshme, për faktin se mund të ketë një largim për leje lindjeje apo një raport për paaftësi, DAP, sipas renditjes së këtyre kandidatëve nga lista fituese i emëron në këto pozicione, gjithmonë nëse plotësojnë kriteret që kërkohen për atë vend.
Edhe në rastet kur kemi një pozicion pune të ngjashëm, dhe kemi listë fituese, këta 3 kandidatë që kanë ngelur rirenditen në rezultatin e konkurrimit, pa kandiduar sërish, duke zënë pozicionin sipas pikëve që kanë. E drejta për të qëndruar në listë pritjeje zgjat deri në dy vjet.
A është kjo një periudhë e gjatë për një person që kërkon një vend pune?
Nuk është periudhë e gjatë, sepse vende vakante ka. Trendi është i tillë, që ne çdo vit hapim 1 mijë vende të lira pune, për tri vite që nga miratimi i ligjit. Administrata është dinamike. Më lejoni të theksoj këtu edhe faktin se procedura është e tillë për të favorizuar kandidatin; pra në çdo fazë ata kanë të drejtën e ankimimit dhe shqyrtimit të vlerësimit të tyre që nga aplikimi i parë deri te rezultatet. Kjo kërkon kohë për shqyrtimin e ankesave dhe për kthimin e përgjigjeve individuale. Por pikërisht për faktin se DAP jep sqarim për të gjitha fazat, mendoj se kjo e bën edhe më të qartë procesin dhe vetë kandidatët kanë përgjigje zyrtare mbi pretendimet e tyre dhe shumë qartë mund të kuptojë që janë vlerësuar drejt.
Nuk kemi fitues që janë në pritje për momentin?
Kemi fitues që janë në pritje, dhe për këtë Departamenti i Administratës Publike ka bërë një filtrim të kritereve që kanë këta fitues në listë pritjeje për t’i sistemuar në një pozicion pune pa hapur një procedurë konkurrimi. Në momentin kur shohim se kemi më shumë kërkesa sesa kandidatë fitues, jemi të detyruar të hapim një vend të ri dhe t’i rirendisim këta kandidatë në listën fituese të konkursit që do të bëhet, procedurë kjo e përcaktuar në legjislacion.
Mendoni se kështu u keni mbyllur derën të gjithë atyre militantëve që kërkojnë të punësohen në administratë vetëm për meritën se kanë kontribuar për një parti?
Nuk i mbyllet dera askujt. Dera është e hapur për të gjithë ata që mendojnë se kanë njohuritë dhe aftësitë për të punuar në administratë. Personalisht e shoh administratën publike si motorin e funksionimit të shtetit. Shqipëria është në rrugën e hapjes së negociatave me BE-në dhe administrata publike do të bëjë të gjithë këtë proces, ndaj ajo duhet të jetë ajka dhe të marrë kapacitetet më të mira. Nuk ka lidhje me militantët. Ata kanë punën e tyre. Mekanizmat janë pikërisht për të garantuar që njohuritë, aftësitë nuk zhvlerësohen nga miku, shoku, deputeti.
A janë pakësuar ndërhyrjet nga deputetët apo ministrat?
Nuk ka, për hir të së vërtetës. Ose do të gënjeja nëse do të thosha se nuk ka fare. Ka ndërhyrje të tipit “ma shiko filanin apo filanen”, por i gjithë mekanizmi është i tillë që, nëse është dhënë njohuria nga kandidati, është e pamundur të zhbëhet. Pra, është e pamundur t’i hahet haku askujt, pasi mekanizmat e kontrollit janë pikërisht për të siguruar këtë. Çdokush ka të drejtën të ankohet, të kontrollojë pretendimet e tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.