POLITIKË

Amerikani në çadrën e PD-së/ Emert: Basha po fiton, Lu në një situatë të vështirë

09:54 - 06.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga VALENTINA MADANI




 

Drejtuesi i të rinjve republikanë amerikanë, Jason Emert, i cili ndodhet në Shqipëri enkas për protestën e opozitës shqiptare, jep siguri të plotë se do të bëjë gjithçka që PD-ja të marrë sa më shumë mbështetje ndërkombëtare. Para pak ditësh kur foli para protestuesve, Jason Emert i inkurajoi ata për rezistencë jashtë parlamentit. Një këshillë kjo e kundërt nga ajo e ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili mbështet shqetësimet e opozitës, por jo mjetet e saj. “Nuk jam dakord me ambasadorin Lu. Ai gjendet në një situatë të vështirë. Si ambasador besoj se mori vendimin e duhur në përmbushje të rolit të tij. Mendoj se ai u kushtoi vëmendje të dyja anëve të medaljes, në mënyrë që të mund të arrijë të jetë arbitri mes qeverisë dhe opozitës”, – u shpreh Emert për “Top Channel”. Jason Emert, i partisë së presidentit Trump, nuk pranon se ka një linjë zyrtare të Uashingtonit pro qeverisë shqiptare, dhe as se gjuha e përdorur prej tij bie ndesh me këtë linjë. “Ta quash linjë zyrtare, nuk e di nëse është terminologjia korrekte, sepse shumë anëtarë të kongresit kanë dërguar letra mbështetjeje për protestën, për lëvizjen për zgjedhje të lira e të ndershme. Media dhe organizata të ndryshme amerikane kanë shkruar për korrupsionin, kriminalitetin e përhapur në qeverinë e Shqipërisë. Kështu që, nuk di të them nëse ka një linjë zyrtare që thotë se ne mbështesim kriminalitetin e qeverisë, por ne sigurisht që mbështesim Shqipërinë si një vend aleat dhe partner i madh i SHBA”, – deklaroi Emert. Drejtuesi i të rinjve republikanë amerikanë, Jason Emert, nuk ndryshon shumë nga Lulzim Basha kur flet për situatën politike në Shqipëri. Ai qëndroi në Tiranë për të mbështetur protestën e opozitës, për të cilën shprehet se do të bëjë gjithçka që të marrë sa më shumë mbështetje ndërkombëtare. “Në këtë moment, mbi 60% e sondazheve të fundit thonë se shqiptarët nuk i besojnë rezultatit që do të dalë nga zgjedhjet. Ajo që duhet bërë së pari është të rikthehet besimi i shqiptarëve. Dhe këtë mund ta bëni nëpërmjet një qeverie kujdestare teknike, që i lejon qytetarët të votojnë të lirë dhe të sigurojë se vota e tyre do të numërohet. Prandaj jemi këtu”, – tha z. Emert për “Top Channel”. Përfaqësuesi i të rinjve republikanë beson se që tani ka sinjale se protesta e opozitës do të ketë sukses. “Ju e keni parë kryeministrin që ka thënë se është gati të vijë në tendë të takojë kryetarin Basha, dhe kjo tregon se Basha po e fiton këtë betejë, po tregon se ai është udhëheqësi i fortë që ky vend meriton, se ai po drejton diçka që e ka frikësuar qeverinë, dhe mendoj se ky është një ushtrim i bukur i demokracisë”, – u shpreh Emert.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.