KULTURË

Apollon Ruben: Nëna ime hebreje doli partizane, jeta jonë në Shqipërinë komuniste

12:02 - 08.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira NIKOLLI

Apollon Ruben, shqiptaro-izraeliti që ka lindur në Shqipërinë komuniste, me një nënë nga Tel Avivi e një baba shqiptar, ka rrëfyer dje para mediave jetën e tij në komunizëm.

Në kuadër të 26-vjetorit të riatdhesimit të hebrenjve që jetuan në vendin tonë, Ambasada e Izraelit ka çelur një ekspozitë dje në Akademinë e Shkencave dhe ka ftuar shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë dhe hebrenjtë që jetuan në Shqipëri. Mes tyre ishte edhe Apollon Ruben, që ka kaluar një pjesë të madhe të jetës në Shqipërinë komuniste, deri më 1991-shin, kur shkoi të njihte familjen e së ëmës në Tel Aviv.

– Si erdhi nëna juaj në Shqipëri?

Para Luftës së Dytë Botërore, nga shumë vende të ndryshme erdhën në Shqipëri shumë hebrenj. Familja e nënës sime ka ardhur në Shqipëri në 5 prill të vitit 1942. Pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore, më 1946, nga këtu gjyshërit ikën në Izrael, bashkë me tezen dhe dajat. Ndërsa mamaja qëndroi pasi u martua me babain. Ne ikëm atje më 9 shkurt të vitit 1991, kemi shkuar në Izrael.

– Ku jetoni ju tani?

Unë punoj në Izrael dhe këtu. Tani jam ende duke parë për punë, mbase kthehem që të rri përfundimisht. Jemi duke parë që të hapim një biznes. Zgjedhja ime përfundimtare është Shqipëria. Unë kam lindur këtu dhe im atë është shqiptar. Veten e cilësoj shqiptar.Atje kam shkuar në shkurt të vitit 1990 për herë të parë. Takova gjyshërit, tezet dhe gjithë të afërmit e mamasë.

– Si u njohën mamaja e babai juaj?

Unë kam lindur këtu; prindërit e mamasë sime, gjyshja, tezja dhe daja kanë ardhur në Shqipëri në 5 prill të 1942-shit në Tiranë dhe kanë gjetur mbështetje e strehim te babai im, i cili i mori në mbrojtje. Im atë është nga Tirana.Mamaja dhe babai im u njohën këtu. Ata u martuan dhe krijuan familje. Më kanë treguar se gjatë kohës që kanë ndenjur këtu, u dashuruan. Mamaja u martua, përpara mbarimit të luftës krijuan familje bashkë. Vëllai i madh është i datëlindjes së vitit 1945, dhe kanë ngelur këtu.

– A kishte vështirësi familja juaj në komunizëm, meqë mamaja juaj, Berta ishte izraelite?

Ka pasur vështirësitë e veta, për sa u përket pakove që nuk na jepnin. Ne merrnim vetëm 10 për qind të atyre që ishin brenda në pako. Firmosje pakon për ato që të jepnin, sikur ta kishe marrë të rregullt.

– A përgjoheshit nga Sigurimi?

Mamaja ime ka pas ndenjur shumë korrekte për sa i përket kësaj gjëje, sepse një pjesë nga shoqet e mamasë sime, ruse apo polake, jugosllave, i kanë futur në burg gjatë kohës së regjimit. Motivi ka qenë për agjenturë, akuza që lindnin nga hiçi.

– A ndihej kjo frikë në familjen tuaj?

Frikë kishte. Gjithmonë duhej të ishe i kujdesshëm.

– Mamaja, çfarë ju këshillonte?

Mamaja më ka pas folur gjithmonë. Më thoshte që të kisha kujdes, sepse ndryshe do ta merrja në qafë, se ishte e huaj. Ne familjarisht kemi qenë rrobaqepës, sepse kemi trashëguar zanatin nga babai, si mamaja, edhe dy motrat dhe unë.

– Për kë qepnit?

Kemi qepur kostume, si për burra edhe për gra. Pallto për të gjithë, për sa u përket veshjeve që kemi bërë në shtëpi.

– Në komunizëm i kushtohej vëmendje edhe modelit të veshjes, ndikimeve të huaja. A kishit probleme me modelet që qepte babai?

Ka qenë një rast, kur ka qenë Festivali i 11-të, konferencier ka qenë Bujar Kapexhiu, ndërsa im atë i kishte qepur një kostum – në atë kohë përdorej si modë xhaketa me kuadrate, me xhepa pllakë jashtë, dhe ka qenë dënuar, domethënë iu vu gjobë. Bujari pati probleme prej njëfarë liberalizmi në veshjen e tij. Një nga gjërat që i thanë, ishte për modelin e kostumit. Atë kostum e kishte qepur im atë. Ai kishte një jetë që punonte.

– A e lajmëruan babanë tuaj?

Mbi pesë apo gjashtë herë na bllokonin makinën. Na e vulosnin me dyll që të mos qepnim. Paguanim një farë gjobe, dhe mbas gjobës, katër muaj duhej që ta mbaje makinën të bllokuar.

– Për kë tjetër ka qepur babai, për personazhe të njohura?

Babai ka qepur edhe për personazhe të tjerë të kohës, ish-ministrin e Hekurudhave, Sali Verdhën apo për Koço Thedhosin, të vëllanë e tij e kemi pasur komshi.

– A ju ndihmonin këta personazhe të njohur kur kishit probleme?

Jo, për sa i përket kësaj pjese ata nuk bëheshin të gjallë. Mamaja ime dhe daja kanë qenë partizanë në çetën e Pezës, daja është edhe dëshmor. Gjatë kohës së luftës, kur kanë ardhur në Shqipëri, ata u futën në çetën e Pezës me komandant Sali Verdhën dhe në shkurt të vitit 1944 rrethohet daja nga gjermanët. Nga një kontroll i përgjithshëm e çuan në kamp përqendrimi, në kampin e Zenunit, ku e pushkatuan. Ai bëri fundin tragjik të të gjithë hebrenjve të tjerë. Mamaja ime ka qenë edhe partizane dhe ka shërbyer si infermiere në çetën e Pezës, ku sot kemi edhe fotografi dhe certifikatën e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.