Kryesore

Kushtetuesja: Nuk e liruam Aldo Baren, është ende i dënuar me burg përjetë

16:30 - 08.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gjykata Kushtetuese ka bërë sot një deklaratë jo të zakonshme duke hedhur dritë mbi vendimin për Alfred Shkurtin (Aldo Bare), i cili njihet si kreu i bandës së Lushnjes. Mediat shkruan dje se kjo gjykatë e ka rrëzuar dënimin me burg përjetë, të dhënë nga Gjykata e Lartë. Shumëkush e interpretoi sikur ai do të lirohej.

Vetë Kushtetuesja sqaron sot se, praktikisht, ka rrëzuar burgun përjetë të dhënë nga gjykata e Lartë (duke e detyruar të rishqyrtojë çështjen), por jo atë të gjykatës së Apelit, I cili është vendim I formës së prerë.

Dhe në fakt, me vendim të Apelit, Aldo Bare rezulton I dënuar me burgim të përjetshëm. Juridikisht, ky vazhdon të jetë statusi I tij deri në një vendim tjetër nga Gjykata e Lartë. Por, asgjë s’e pengon gjykatën e Lartë ta ridënoje me burg përjetë kreun e bandës së Lushnjes.

GSH.al sjell më poshtë deklaratën e plotë të gjykatës Kushtetuese.

DEKLARATA

Gjatë ditës së djeshme dhe sot, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në disa media të shkruara dhe elektronike është publikuar lajmi se Gjykata Kushtetuese ka anuluar vendimin e dënimit me burgim të përjetshëm të të dënuarit Aldo Bare. Në këtë situate, Gjykata Kushtetuese vlerëson të informojë mediat dhe publikun si më poshtë vijon:

Gjykata Kushtetuese, në datën 08.02.2017 ka vendosur: “Pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit   nr.00-2015-2087, datë 02.07.2015, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë”.

Aktualisht, çështja ndodhet në fazën procedurale të shpalljes të vendimit, konform parashikimeve të ligjit procedural dhe në përputhje me afatin ligjor, dhe menjëherë pas shpalljes vendimi do të jetë në dispozicion të palëve në proces dhe publikut.

Për sa më sipër, sqarojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka derguar çështjen për rishqyrtim në  Gjykatën e Lartë. Vendimi i saj nuk ka cënuar vendimarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, nga ku rezulton se kerkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm.

Duke marrë shkas nga sa më lart, u kërkojmë mediave që përpara se të publikojnë lajme që lidhen me institucionin e Gjykatës Kushtetuese të konsultohen me strukturën përgjegjëse të këtij institucioni – Drejtorinë e Marrëdhënieve me Publikun dhe Jashtë – e cila është gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me qëllimin e vetëm të informimit të saktë të opinionit publik dhe shmangien e keqkuptimeve të rastit.

 

Klikoni këtu për të lexuar “dosjen” e bandës së Lushnjes, rrëfimin e zyrtarit të lartë të policisë, Bujar Hoxha për krimet e kësaj bande.

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.