SPORT

Skandal te Burreli, shkarkohet se nuk ia la ndeshjen Kamzës

09:56 - 08.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Të mos pranosh që skuadra që t’i drejton të tolerojë një ndeshje, mund të të kushtojë vendin e punës. Një gjë e tillë i ka ndodhur administratorit të Burrelit, Kastriot Rama, i cili me një vendim të kryebashkiakut Nezir Rivani nuk do të jetë më në pozicionin që ka mbajtur prej një periudhe rreth 14-mujore. Arsyeja zyrtare e largimit të Ramës nga vendi i tij i punës është për rezultate të dobëta, edhe pse Burreli dy fazat e para të kampionatit i mbylli në vendin e katërt, duke u renditur në pesë ekipet më të mira në grup. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-administratori i matjanëve ka bërë me dije se arsyeja e vërtetë e largimit të tij është mostolerimi i ndeshjes së fundit të fazës së dytë, ndaj Kamzës, e cila përfundoi në shifrat 1-1. Kamza, renditet në vend të parë në Grupin A.

Z.Rama, sa i vërtetë është lajmi për shkarkimin tuaj nga posti i administratorit të klubit të Burrelit?

Është e vërtetë që jam shkarkuar dhe arsyeja ka qenë për rezultate të dobëta, në një kohë që skuadra e ka mbyllur fazën e dytë të kampionatit në vendin e katërt, pra në pesëshen e parë.

Mendoni se ka pasur një motivacion tjetër për largimin tuaj nga ky pozicion?

Këta duan që të prishin garën dhe më konkretisht, mua më kanë kërkuar që Burreli të tolerojë në ndeshjen ndaj Kamzës, por unë nuk e kam pranuar një gjë të tillë.

Kush jua ka kërkuar një gjë të tillë?

Administratori i Njësisë së Bashkisë Mat, Kasem Kola. Më thirri në tavolinë dhe kemi qenë unë, ai e Naim Qarri dhe më tha: “Me urdhër të kryetarit duhet t’ia lësh ndeshjen Kamzës”. Unë i thashë se nuk e bëja një gjë të tillë.

Si është atmosfera aktualisht te skuadra e Burrelit?

Shumë e mirë. Burreli është një skuadër, e cila, edhe vitin e kaluar, ka bërë një kampionat të ndershëm dhe nuk ka toleruar askënd. Edhe këtë vit do të ndodhte e njëjta gjë. Por, njerëzit që punojnë drejt nuk i duan.

Keni pasur ndonjë kontakt me kryebashkiakun Rizvani pas shkarkimit?

Po, ai erdhi sot (dje), ma komunikoi shkarkimin para ekipit. U kam dhënë dorën çunave dhe falënderuar për periudhën 14-mujore që kam punuar me ata. Gjithashtu u kam thënë që, nëse kanë respekt për mua, të luajnë ndershëm deri në fund të kampionatit. U thashë po ashtu të mos bëhen pjesë e pazareve dhe e këtyre gjërave.

Burreli do të luajë edhe dy ndeshje ndaj Kamzës në fazën e tretë. Mendoni se do të ketë tolerime?

Nga ajo që unë di, çunat nuk kanë qejf të tolerojnë. Dhe tifozëve e njerëzve në qytet u ka ardhur keq për shkarkimin tim, pasi nuk e prisnin një veprim të tillë. Unë kam punuar edhe në Laç prej shtatë vitesh. Edhe familja ime ka dhënë kontribut për skuadrën matjane, pasi vëllai im Fatmir Rama ka qenë portier. Jemi munduar gjithmonë të luajmë dhe të punojmë ndershëm si familje.

Ndiheni i zhgënjyer nga vendimi i shkarkimit tuaj?

I kam thënë kryetarit që më ka dy borxhe. I pari është detyrimi moral dhe, i dyti, ai material. Moral e ka, sepse më ka ulur figurën dhe poshtëruar; material, pasi më ka shkarkuar nga puna ndërkohë që unë kam pasur një punë në Laç si trajner portierësh dhe e lashë atë pozicion për të ndihmuar ekipin e qytetit tim. Kur erdha, e gjeta skuadrën duke rënë nga kategoria dhe e çova në vend të pestë. Mua më kanë prerë në besë.

 

Kryebashkiaku Rizvani nuk reagon për vendimin

Dje, “Panorama Sport” ka komunikuar në lidhje telefonike me kryebashkiakun e Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani. Ky i fundit i është përgjigjur telefonatës, por është ndier disi ngushtë nga pyetja që i është bërë dhe ka hezituar që të komentojë shkarkimin nga detyra të administratorit Rama, edhe pse vendimi mban firmën e tij. Ai është shprehur se do të fliste në një orar të mëvonshëm me gazetën, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndërkohë, mësohet se Demir Çupi do të jetë administratori i ri i Burrelit. Pas deklaratës së ish-administratorit, sot do të vijë edhe një reagim zyrtar nga Bashkia Mat, apo edhe vetë kryebashkiaku, duke qenë se akuzat janë shumë të rënda. Skuadra e Burrelit në këtë sezon futbollistik ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe ka arritur të jetë mes pesë më të mirave.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.