Emrin e ka Uta Ibrahimi dhe është shqiptarja e parë (vetëm 35 gra në të gjithë botën ja kanë dalë) që do të tentojë të pushtojë majën e botës, Everestin.
Kosovarja thotë se ia ka dalë ta mposhtë frikën që të ngjall që me shikim të parë “mali-killer”, për më tepër pasi ka arritur me sukses të ngjitet në majën Ramdung Peak 5925 metër lartësi mbidetare, pjesë e vargmalit Himalaja. (shihni intervistën e Ibrahimit me gazetarin Erjon Skëndaj në ‘News 24’)
Për të ngjitur malin më të lartë të botës shqiptarja nuk do të ndjek shtegun klasik nga Tibeti por nga ana e Nepalit, ku dhe do të stërvitet për 2 muaj me rradhë deri në mes të muajit majë ku dhe do të tentojë sfidën e madhe.
Në çdo hap të saj e ndjek trajneri, Xhim Begeja një emër i njohur i alpinizmit shqiptar i cili e ka provuar tek vetja dhe djali i tij i madh ndjesin e ngjitjes në malin Everest. 5 vite më parë Begeja bashkë me djalin 18 vjecar dhe 4 shqiptarë të tjerë arritën në majën Everest 8848 metra mbi nivelin e detit ku për herë të parë u shpalos flamuri ynë kombëtar.
Uta Ibrahimi sapo ka përfunduar ekspeditën dimërore 4 javore në Himalaja, konkretisht në qendër-veri të Nepalit, në Luginën Ralwaling, e cila është e njohur për mundësi të ndryshme alpine përgjatë gjithë vitit. Nëse ia del me sukses sfidës më ekstreme për një femër alpinistja shqiptare do të arrijë ta shkruaj emrin e saj në histori krahas 35 grave të tjera nga i gjithë globi që ia kanë dalë të pushtojnë majën e botës.
Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.