OPINION

Shqipëria si republikë e re e ndërgjegjes

06:41 - 10.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Arian GALDINI




 

– Në 50 vite diktaturë komuniste, të gjitha pushtetet politike, institucionale dhe individuale i kishte zaptuar Partia e Punës me Byronë Politike. Në këto 27 vite protodemokraci lëngaraqe dhe rropatje nëpër tranzicion, sërish partitë e shumta politike me ‘udhëheqësitë’ e tyre, edhe kur e ‘çliruan’ Shqipërinë nga diktatura, nuk ua dorëzuan pushtetet që u takonin qytetarëve. Liria madje u interpretua si një atribut intelektual që e kanë udhëheqësit e ndriçuar atje lart, ndërsa qytetarët poshtë mund ta përdorin lirinë vetëm si një lodër nëpër rrugë, kafene apo shtëpi nëpërmjet së cilës mund të ‘fryjnë e shfryjnë’ çdo pasion të mundshëm duke sharë e lëvduar kë të duan e mund të ankohen pa pushim ku e si të duan. Thelbi qëndron në faktin se askush nuk i dëgjon. Tirania e shpërfilljes bashkëshoqërohet me qytetarin ankimues që e ka humbur rrugën duke kërkuar me ngulm në adresë të gabuar lirinë. Fjala ka humbur peshën ngase ‘udhëheqësitë politike’ nuk ua dorëzuan qytetarëve këtë pushtet, edhe pse thuhet pa pushim se Shqipëria është një vend demokratik që me meritë është anëtarësuar në NATO. Shurdhëria e tyre ndaj qytetarëve është riprodhuar si model edhe nga qytetarët, të cilët gjithashtu kanë humbur shpresat e kanë mbyllur veshët ndaj politikanëve, plotësisht në kundërshti me interesat e tyre. Politikanët, atëherë me ngazëllim janë vetëkurorëzuar mbretër në mbretërinë e shurdhëve ku të gjithë flasin e askush nuk dëgjon. Të zhveshur nga pushteti i fjalës, qytetarët kanë mbetur vetëm me pushtetin e veprimit. Ndërkohë, ‘udhëheqësitë politike’ që kanë instrumente dhe pushtete të pafundme, megjithatë vuajnë pasojat e shurdhërisë, ndaj zhyten në konflikte të pareshtura të mbizotëruara nga arsyeja e më të fortit, mosbesimi dhe, sigurisht, ‘kapsulimi ndaj qytetarit’. Në këtë mënyrë udhëheqësitë, të cilat me kujdes janë kapsuluar ndaj qytetarit dhe nuk e lejojnë këtë të fundit të marrë pjesë në punët e politikës, vetëgjymtojnë mundësitë dhe hapësirat që kanë duke synuar me çdo kusht keqpërdorimin e veprimit qytetar në po atë masë tragjike të arbitraritetit me të cilin përdorin ‘pushtetet e shtetit’. Dhe ja ku mbërrijmë në këtë pikë kur qytetari zhvishet edhe nga pushteti i veprimit. Udhëheqësitë vetëmandatohen sipas rastit, duke bërë 27 vite rresht batërdi elektorale, pra duke ia asgjësuar qytetarit mundësinë e veprimit nëpërmjet dhënies së votës së besimit në liri e ndershmëri të plotë e të garantuar. Sikundër fjala bie në vesh të shurdhër, vota bie në kuti të rrejshme. Më keq akoma bëhet puna kur sjellim në vëmendje të vërtetat e dhimbshme se gjithsesi me vota nuk bëhen zgjedhje. Votat janë procedura e fundit e qytetarit shurdh, ankimues dhe shpresëhumbur që përfton produktin e fundit pas një ‘koncerti virtuoz politik’ të ekzekutuar zhurmshëm dhe paradoksalisht me luks e fatura marramendëse prej udhëheqësive shurdhe. Qytetari është i dobët po aq sa fjala dhe veprimi i tij. I fundmi pushtet që i mbetet ‘të dobëtit’, d.m.th. qytetarit, është vetësublimimi për t’i dhënë ngasje ndërgjegjes së më të fortit që të kuptojë dhe reagojë edhe kur nuk ka veshë të dëgjojë. Fjala dhe veprimi janë kredibiliteti i qytetarit që në kushte normale demokratike nuk duhej kurrsesi të ishte ‘i dobëti’. Në liri dhe demokraci reale fuqia është në duart e qytetarit. Në mbretërinë e shurdhëve fuqia është në duart e udhëheqësive. Kur udhëheqësitë e kapsuluara kaplohen nga “kompleksi i pafuqisë” për shkak të hileve reciproke e kësisoj triumfimit të më ‘të fortit’, kandisen në këtë farësoj gjendjeje kur ‘gardhëzojnë’ dhe zaptojnë pa leje dhe pa përunjësi pushtetet dhe kredibilitetin e qytetarit. ‘I forti’ shtiret për ‘i dobët’ dhe qytetari degdiset në zgrip të mospërfilljes i paracaktuar të jetë humbësi i madh i përhershëm. Qytetari i dobët nuk e ka më as pushtetin, institucionin e vetësublimimit si klithmë për të qenë i dëgjuar apo kuptuar, sepse sot dita udhëheqësitë kanë rënë aq poshtë, sa në ndërgjegjen e tyre mbivlejnë vetëm arsyet e përdorimit të cilitdo pushtet që potencialisht apo realisht ekziston duke filluar nga pushtetet e individit qytetar deri te pushtetet e shtetit. Ndaj do të volitet ngritja e qytetarëve si luftëtarë të një beteje të madhe për dinjitet që do ta vendosë qytetarin në atë lartësi kur ‘udhëheqësitë’ do çkapsulohen duke ua dorëzuar pushtetet qytetarëve, që jo vota, por zgjedhja të jetë e shenjtë. Sot me vota nuk bëhen zgjedhje, por sillen në pushtet ‘më të fortët’ brenda ‘llogoreve të udhëheqësive’. Lartësimi deri në dinjitet i qytetarit, do të bëjë që ‘udhëheqësitë’ do të duhet të shkulin ‘gardhet’ me të cilat kanë zaptuar liritë e qytetarit, drejtësinë, zyrat e shtetit, pronat shtetërore apo private etj. Lartësimi deri në dinjitet i qytetarit, nuk do të lejojë më që ‘udhëheqësitë’ ta përdorin shtetin si ‘trofe’ për të bërë dhe ndarë plaçkë fitimtarët, nuk do të lejojë që zyrat e shtetit të përdoren si ‘tokë e xanun’ dhe administrata publike të përmbytet nga hordhitë e ‘mercenarëve’ politikë që shpërblehen për kontributet e tyre në fitoren e fitimtarëve, do të çlirojë hapësirat publike të gardhëzuara dhe zaptuara nga ‘udhëheqësitë’, do të çlirojë hapësirat mediatike të gardhëzuara dhe zaptuara nga ‘udhëheqësitë’, do të çlirojë të gjitha pushtetet e shtetit për t’i vënë në shërbim të qytetarit. E shenjtë është e drejta për garë dhe konkurrencë të ndershme, me rregulla loje të drejta dhe të barabarta për të gjithë. E shenjtë është e drejta për të zgjedhur. Në një shoqëri të traumatizuar sikurse është shoqëria shqiptare, e cila vuan pasojat e ‘konsensusit negativ të elitave’, nuk ekzistojnë shanset, mundësitë, atributet dhe hapësirat që i krijojnë qytetarit kushtet dhe kapacitetet për të zgjedhur, atëherë edhe pse ‘elitat’ kanë prodhuar gati-gati në kushte laboratorike një lojë konkurrueshmërie, zgjedhjesh, ku garojnë e marrin pjesë shumë parti, votat në kuti të rrejshme apo transparente janë thjesht copa letre që ‘shenjtërojnë’ pushtetarët dhe zhvleftësojnë qytetarët. Sfida e intelektualëve, aktivistëve politikë dhe civilë shqiptarë është që të ndihmojnë qytetarin që të kuptojë, dhe që të ngrihet në lartësinë e dinjitetit, gjë që do të shenjtërojë mundësinë që në Shqipëri qytetarët të zgjedhin përfaqësues që u shërbejnë dhe jo më ‘udhëheqës’ që i qeverisin të ngrefosur ngase janë të votuar.

Sidomos kur janë të votuar në panairin e votave që po organizon këtë qershor 2017, kjo qeverisje e mafies estetike.

Shqipëria e kanabizuar dhe kriminalizuar deri në asht nga kjo qeveri e mafies estetike, ka bashkëfajësuar ‎çdo qytetar në keqbërjen e saj.

Ndaj është ultimative thirrja e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë nga “Çadra e Lirisë”, se pa qeveri teknike apo të vullnetit të mirë, në Shqipëri, nuk mund të ketë e nuk ka pse të ketë zgjedhje, sepse edhe nëse ndodhin, nuk do të jenë zgjedhje fare, por thjesht një panair votash.

Rënia ‎e qeverisë së mafies estetike është e vetmja mënyrë që të ndahet bashkëfajësia nga fajtorët.

Fajtorët janë në qeveri. Qytetarët janë thjesht të ftuar, të shtirë, të joshur apo të detyruar në bashkëfajësi.

Rënia e fajtorëve në qeverisjen e mafies estetike, sjell edhe qëndrimin e qytetarëve bashkë si të pafaj.

Po u dorëzuan qytetarët, qeverisja do të kthehet në mbretëri të mafies estetike.

Ndaj unë them të rrëzojmë qeverisjen e mafies estetike sot, që të ndërtojmë së bashku një republikë të‎ re, një republikë të ndërgjegjes.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.