KULTURË

“Varrimi i një armiku të Popullit”, rrëfimi i një historie të ndodhur

08:53 - 10.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

 

Glori Husi boton novelën “Varrimi i një armiku të popullit”

 

“Varrimi i një armiku të popullit’, si edhe çdo vepër tjetër letrare, është padyshim kryekeput punë krijuese e autorit. Padyshim, shtjellimi, karakteret, trajtimi, zhvillimi i ngjarjeve janë trillim i autorit. Por si në shume raste (ose më saktë në shumicën e rasteve të letërsisë artistike por jo fantastiko-shkencore) libri bazohet në ndodhi të vërteta që kanë ngjarë në Shqipërinë komuniste dhe post-komuniste”, thotë për “GSH” autori i librit, Glori Husi, lindur në Gjirokastër, më 1972. Novela e tij, “Varrimi i një armiku të popullit” sapo është botuar nën siglën e “Dudajt”. Sipas njoftimit të kësaj të fundit, autori vjen përpara lexuesit me këtë novelë dramatike, të bazuar në ngjarje të vërteta, të ndodhura gjatë një periudhe të dhimbshme të historisë së Shqipërisë.

“Historia e gjyshit është ndodhi e vërtetë që ka ndodhur në Shqipërinë komuniste, varrimi fshehtas, zhvarrimi etje, të gjitha janë histori që unë i kam dëgjuar nga njerëzit që i kanë përjetuar e familjet e tyre me të afërmit e tyre. Po ashtu, legjislacioni që citoj për dëmshperblimin e të përndjekurve është realisht siç e kam trajtuar, në fakt, në faqen 9 kam publikuar një ekstrakt nga legjislacioni Shtoja A e ligjit 9831”, sqaron ai për “GSh”.

Husi shton edhe një tjetër detaj, nga historia që u bë shkas per këtë vepër: “Edhe familjarët e gjyshit për të cilin flet novela kanë shkuar në ministri të marrin dëmshpërblimin dhe nga mbi tridhjetë e pesë vite burg që kishte bërë gjyshi si i dënuar politik, legjislacioni u jepte vetëm gjashtë apo shtatë vjet, sepse pas dënimit politik e kishin dënuar duke qenë në burg me një sërë dënimesh derisa vdiq në burg, siç trajtohet në novelë. Familjarët u skandalizuan në fakt kur ju komunikua që dënimet e tjera nuk konsideroheshin ‘politikë’. Në këtë nocion, novela bazohet në ngjarje të vërteta”.

Të vërtetat që veshin trillin letrat për të sjellë mallkimin në dy kohë, janë disa. “Gjithashtu e vërtetë është dhe struktura e ministrisë ku zyra për të përndjekurit ishte pjesë e zyrës së IT??!!! Dhe se fundmi, është shumë e vërtete që të burgosurit politikë nuk marrin shpërblim të plotë pavarësisht se dënimet e kamufluara të regjimit “për thyerje disipline” etj ishin kryekëput përpjekje për të mos i lënë të dalin kurrë të gjallë dhe padyshim dënime politike të kamufluara. Në këtë kontekst, libri është letërsi artistike ku perzonaszhet, zhvillimi i ngjarjes janë krijuar nga autori si trillim i bazuar e ngjarje reale”, thotë Husi.

Autori, studimet e larta për jurisprudencë i ka kryer në Universitetin e Athinës, Greqi dhe ato pasuniversitare në Universitetin e Bonit, Gjermani. Pas një karriere si avokat dhe pedadog i të Drejtës Europiane, gjatë së cilës ka publikuar një sërë punimesh akademike, si dhe pas një kontributi të suksesshëm në administratën e lartë shtetërore. Autori, më herët këshilltar i Sali Berishës, jeton me bashkëshorten në Florida, SHBA.

PJESË NGA LIBRI
Si arrite të punosh këtu?’ e ndërpreva unë.

‘Oh! Është histori e thjeshtë, në fakt! Bashkëshortja e ministrit është shoqe me mamanë. Ti e di që mamaja ime është ndër parukeret më të vjetra të qytetit. Këto dhjetë vitet e fundit, bashkëshortja e ministrit ka qenë frekuentuesja më e rregullt e dyqanit të mamasë për flokët, për thonjtë, për tualetin e fytyrës, për çdo gjë. Kur ministri u vendos në listë për deputet, atij i duhej një djalë i ri, që të ishte nga familje e mirë dhe e ngritur, e që t’i jepej dorësh për çdo punë. Mamaja e bisedoi me bashkëshorten e tij dhe disa ditë pas bisedës së mamasë, më thirri dhe më caktoi përgjegjës të zyrës elektorale në lagje. Që atëherë nuk më ka ndarë më. Kështu, pra. Kemi marrëdhënie shumë të mira dhe të afërta, edhe familjare. Kam shumë punë, shumë telashe, por nuk ankohem. Kam mësuar goxha. Kam ndihmuar dhe të tjerë. E mban mend Ylllkën, shoqen e klasës? E rregullova në Ministrinë e Integrimit Europian. Dhe Leontjevin, nipin e mësues Thanasit, megjithëse me shumë lodhje, arrita ta bëj drejtor në Ministrinë e Inovacionit. E pata pak të vështirë, se ti e di, ai nuk i kishte me shumë qejf librat, por më ndihmoi goxha ministrja, që është shoqe e mamit që nga shkolla e mesme. Politika është e bukur, por ka dhe ajo vështirësitë e veta. Mbi të gjitha kërkon durim, durim sa të kalosh “stazhin”, të tjerat vijnë vetë. Atdheu ka nevojë për të rinj të zotë, si puna jonë. Po nejse, siç të thashë, do ta bisedoj vetë çështjen e gjyshit tënd me ministrin, por, ti e di, ligji…’

“Çështjen e gjyshit tënd!” Këto fjalë lëshuan një jehonë të njohur. “Gjyshi yt… Ai gjyshi yt, armiku i popullit… U shporr! Edhe i vdekur është armik. Edhe ti, po po, edhe ti je armik… Sigma juaj është e lartë… Sigma apo Saga?! Saga duhet fshirë nga kujtesa. Edhe kujtesa duhet zhdukur bashkë me varret. Ndërsa Sigma mbetet…” (‘Sigma apo Stigma?! Stigma. Po po, Stigma, ajo mbetet përgjithmonë!’). Brofa në këmbë, i ktheva shpinën dhe dola në rrugë…

Ktheva ngadalë kokën nga Martini. Ai kishte ngrirë me sytë të ngulur drejt shtegut që të çonte në përrua. U përpoqa dhe unë të dalloja cfarë të mundja në errësirë. Qëndruam kështu një copë here të mirë pa kuptuar çfarë po ndodhte …

Kur … ja! Ja, ja … aty! Rreth tridhjetë hapa më tej, një thëngjill i kuqërremtë shkëlqente fare zbehtë midis kaçubeve. Picërrova sytë t’i shquaja siluetën, por përveç thëngjillit të kuqërremtë, nuk arrita të dalloj asgjë. (‘Dikush po na përgjon’) më vetëtiu në mendje. Duhet të kishte kohë që na ruante prej asaj ane. Mesa dukej kishte ndezur cigare dhe po e tymoste duke na përgjuar. Vendin e vrojtimit e kishte zgjedhur me shumë kujdes midis kaçubave, tre-katër hapa në krah të shtegut, që dhe ne të mos e dallonim, por edhe të largohej me shpejtësi po të qe nevoja. Zgjata ngadalë dorën e djathtë dhe preka bishtin e lopatës. (‘Po sikur të mos jetë vetëm…?’) Mendimi i fundit më rrënqethi. E tërhoqa prapë dorën dhe e mbështeta tek buza e gropës. Rrotullova me ngadalë sytë nga të katër anët mos shquaja ndonjë siluetë tjetër.

(‘Të na jenë vënë nga pas që nga qyteti, vallë? Si nuk kuptuam gjë gjatë rrugës? Çfarë po presin, pse nuk na arrestojnë? Apo duan që të mbarojmë punë, e pastaj të na kapin me provën e tradhëtisë në dorë? Po çfarë tradhtie?! Ne po zhvarrosim babën tonë. A është tradhti të kërkosh eshtrat e prindit të shtrenjtë? “Mos i lini të më humbasin pa varr mbi kokë,” qe amaneti i babait. A nuk është tradhti të mos përmbushësh amanetin e prindit të vdekur? Kush është më e rëndë, tradhtia ndaj prindit apo tradhtia ndaj socializmit? Kush vjen e para, familja apo socializmi? Në djall të vejë socializmi! Në djall edhe burgu. Tashmë, nuk më bëhet vonë. Ejani e më merrni!’)

Mendimet po më vërtiteshin në kokë më shpejtësi rrufeje. Sytë i mbaja tek thëngjilli i kuq në mes kaçubeve, ndërsa mendja më rrihte papushim. Është e habitshme sa mendime mund të përpunojë truri i njeriut në një çast të vetëm. Çuditërisht, nuk ndjeja frikë. Një mpirje më kishte pushtuar të gjithin, por as që më bëhej vonë po të më arrestonin. Në fakt, do ishte mirë të dilnin nga ferrat e t’i jepnim fund kësaj pritjeje të pakuptimtë. Isha gati të thërrisja: “Ç’prisni? Këtu jemi, pse nuk na arrestoni?” Pas mendimit të fundit, në kyçet e duarve përjetova ndjesinë e prangave. Metali i fortë e i ftohtë më therri në kockë. Një dëshpërim zhgënjyes më ligështoi thellë në zemër. (‘Eh, baba, nuk e përmbusha dot amanetit tënd…!’)

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.