POLITIKË

Akuzat e Dritan Zaganit, si e implikoi ish-polici ministrin e Brendshëm

13:03 - 11.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Më 30 shtator 2015, Dritan Zagani, ish-shefi i sektorit të Antidrogës në Fier dhe ish-shef hetimi në Drejtorinë e Kufirit në Vlorë, ngriti akuza të forta ndaj ministrit të Brendshëm. Ai e akuzoi Saimir Tahirin se u kishte dhënë tre vëllezëve, me të cilët kishte lidhje farefisnore, makinën private. “Këta persona ishin A. H, M. H, L.H, nga Vlora. Ishin kontigjent i trafikut të drogës që kur unë punoja në Vlorë vite e vite përpara”, deklaronte Zagani në një intervistë që u publikua në “Gazetën Shqiptare” dhe “News 24”.

“Tre vëllezërit me lidhje farefisnore me Tahirin përdorin edhe një gomone që ishte përdorur më parë nga ministri Tahiri, kur ishte deputet në opozitë. Me gomonen dhe makinën kryhej trafik droge”, ishte kjo akuza e rëndë e Dritan Zaganit.

“Në lidhje me trafikun e Vlorës, kam qenë në një moment kur do të verifikoja subjektin A.D, që po ndiqja në një takim që do  bënte me disa porositës që do i çonte mallin në Itali me gomone, pas për hir të vërtetës, subjekti A. D nuk është se bëntë trafik vetëm për vetë bënte edhe për të tjerë, merrte porosi për të tretët, si transportues me mjetin e tij me gomone. Në një moment që unë doja të verifikoja me kë do të takohej ky subjekt, A.D në qytetin e Vlorës, kam parë një mjet me targa,  AA 003 GB, audi A8  i zi me xhama të zi, që erdhi te makian e subjektit A.D. Nuk zbrit njeri, por subjekti A.D zbrit nga makina e tij dhe hipi në këtë audi. Unë u mundova ta ndjek që të marr vesh çfarë po bëjnë dhe ku po shkojnë, duket më kishin zbuluar dhe në vend që ti ndiqja unë me ndiqnin ata mua dhe më pas u shkëputa dhe shkova në punë. A. D ishte subjekti trafikant që unë kisha dhene informacione dy a tre herë dhe më ishte shitur. Në këto kushte shënova targën e audit dhe u largova. Të nesërmen në zyrë puna e parë që bëra ishte hapja e sistmeit TIMS dhe verifikova këtë targë, AA003GB. Targë e re shqiptare. Sapo e hap sistemin më rezultoi pronar i mjetit Sajmir Tahiri, Ministër i Brendshëm”.

Saimir Tahiri e mohoi fillimisht që makina e tij private të ishte përdorur nga vëllezërit Habilaj, por pas publikimit të disa dokumenteve nga PD u detyrua ta pranojë.

“Makina ime është shitur. Në sistem është në emrin tim dhe ua shpjegoj unë pse. Përmbarimi më ka bllokuar. Shitja e makinës është në deklaratën e pasurisë. Ky polici, Zagani, kë paska njoftuar ky, pasi e ka verifikuar? O të njoftonte prokurorinë dhe drejtorin e përgjithshëm, ose mua”.

Dritan Zagani kishte njoftuar eprorin e tij.

“Në moment pa e hequr  nga sistemi thërrita shefin e sketorit z Skënder Hitaj dhe i tregoj shiko çfarë ka e kam verifikuar dhe në këtë makinë  makinë hyri subjekti. Ai më tha se këtë makinë e mbajnë ata kushërinjtë e ministirt në Vlorë. Dhe më përmendi vëllezërit H. Madje këtë makinë më tha se para 10 ditëve i njëti mjet ishte ndaluar në aksin Gjirokastër Levan për kontroll dhe ata nuk janë ndalaur, nuk kanë pranuar të kontrollohen. I kanë shoqëruar në drejtori, ata kanë qenë të pirë nën shoqërinë e dy femrave, sa kanë hyrë në drejtori kanë nisur të shajnë  e bërtasin oficerëve të policisë. Dhe ka marrë në telefon sallën operative, drejtori Ervin Hodaj, duke kërkuar sallës operative, të lihen të lirë dhe të largohen këto që ishin shoqëruar”.

Më vonë Ministri i Brendshëm u detyrua të bëjë një pohim ia rëndoi pozicionin.

“Makina është në emrin tim për një fakt të thjeshtë, që është edhe dëshmi e pushtetit që kemi lënë pas. Në opozitë, unë kam denoncuar fëmijët e kryeministrit si të korruptuar dhe jam dënuar me 4 milionë lekë gjobë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe me 2 milionë lekë gjobë në Apel nga ai gjykatësi i famshëm Gjin Gjoni. Në atë kohë do të duhej të më merrnin të gjithë rrogën time vjetore, që të paguaja gjobat e vendosura prej tyre. Edhe për kë? Për dy fëmijët e Sali Berishës, të cilët janë bërë të famshëm për këdo, të gjithë i njohin si Xeni dhe Gita, dhe që nuk kanë shkuar asnjëherë në jetën e tyre në Prokurori. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës. Edhe pasi u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimin e kredisë, unë shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre. Nëse do të veproja si ministrat e qeverisë së mëparshme, do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time. E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time mbi makinë?”

Kjo ishte akuza e rëndë e Dritan Zaganit për ministrin e Brendshëm.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.