AKTUALITET

Hasije Hoxha: Si mu dogj burri mes flakëve, zjarrfikësit erdhën vonë

08:21 - 12.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play





Nga Senad Nikshiqi

– SHKODËR – Unë isha në katin e parë të shtëpisë kur ra zjarri. Dëgjova një zhurmë të madhe, që më ngjau si shpërthim. Dola me vrap tek dera e shtëpisë dhe pashë matësin elektrik që po lëshonte shkëndija gjithandej dhe menjëherë flakët përpinë shtëpinë. Në atë moment nuk mendova gjë tjetër, por të shpëtoj nipat që ishin brenda. Tentova të shpëtoja burrin që ishte në katin e dytë në gjumë, por ishte e pamundur”. Kështu u shpreh dje mes lotëve dhe dhimbjes së madhe Hasije Hoxha, bashkëshortja e 74-vjeçarit Haki Hoxha, i cili humbi tragjikisht jetën pasditen e së premtes brenda banesës së tij në lagjen “Vojo Kushi” të Shkodrës. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, gruaja e viktimës tregoi për “Gazeta Shqiptare” momentet e tmerrit, ku pas një shkëndije elektrike, zjarri përpiu shtëpinë e saj dykatëshe dhe rrezikoi edhe katër banesa të tjera. Familja Hoxha ka hapur dyert e mortit në një mjedis të ngushtë afër shtëpisë, sepse brenda ndërtesës ku ra zjarri nuk ka mbetur më asgjë. Gruaja e viktimës akuzoi zjarrfikësit se kanë shkuar me shumë vonesë në vendngjarje. Ndërkohë, kanë reaguar shefi i emergjencave civile në Bashkinë Shkodër, Ridvan Bushati, por edhe komandanti i zjarrfikësve, Muhamet Smajli. Ata u shprehën se zjarrfikëset nuk kanë vonuar më shumë se 10 minuta për të shkuar tek vendi i ngjarjes. Akuzat për një vonesë për më shumë se 30 minuta, Bushati dhe Smajli i quajtën shpifje dhe një përbaltje e punës së efektivëve. Të dy drejtuesit i shprehën ngushëllimet e tyre familjes Hoxha për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
GRUAJA E VIKTIMËS
Hasije Hoxha tha se gjithçka ndodhi shumë shpejt për shkak të një shkëndije elektrike. “U tmerrova kur pashë flakët që përpinë shtëpinë. Menjëherë nxora fëmijët e vegjël jashtë dhe më pas tentova të kthehem edhe njëherë, sepse brenda shtëpisë ndodhej bashkëshorti im. Provova të ngjitem tek shkallët, sepse ai ishte në gjumë, por nuk arrita nga flakët e mëdha të zjarrit. Madje u dogja nga flokët. E thirra disa herë bashkëshortin tim, por ishte e pamundur. Provova me disa kova uji, por sërish nuk munda që të bëj asgjë për shuar flakët e zjarrit. Ato u përhapën shumë shpejt në të gjithë shtëpinë. Më pas kam dalë në oborr, sepse nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër, veç të digjesha edhe unë brenda”, tha e moshuara. Ndërkaq, Hasije Hoxha pohoi se, “bërtita me të madhe për të treguar se bashkëshorti im ishte brenda banesës. Zjarrfikëset janë lajmëruar, por nuk erdhën në kohë. Kur erdhën, gjithçka kishte marrë fund. U vonuan rreth 30 minuta dhe kishin ngatërruar vendin. Kishin shkuar në një lagje tjetër në vend që të vinin këtu. Unë dola nga shtëpia veç me shapka dhe rrobat e trupit që kisha veshur. Më iku bashkëshorti, ndërsa tani kemi mbetur mes katër rrugëve. Nuk kemi ku të shkojmë dhe s’dimë se si ta zgjidhim këtë hall të madh që na ka rënë”.
VAJZA E VIKTIMËS
Adile Luli, vajza e viktimës Haki Hoxha deklaroi dje se ajo u ka thënë efektivëve të zjarrfikësve se babai i saj ishte brenda, por ka marrë një përgjigje që nuk e priste. Sipas saj, nëse ata do të kishin ndërhyrë në kohë, babai i saj 74-vjeçar mund të kishte shpëtuar. “Unë isha duke shkuar në shtëpinë e prindërve, pasi nuk isha aty kur ndodhi ngjarja. Kur mbërrita këtu, pashë shtëpinë që digjej e tëra në flakë. Mesa di, ishin lajmëruar zjarrfikëset. Këtu përpara shtëpisë vetëm një zjarrfikëse erdhi, por e kishte të pamundur që të ndërhynte si duhej. Të tjerat në vend që të vinin me shpejtësi, janë vonuar shumë, jashtëzakonisht shumë. Zjarri ka rënë në katin e parë, të paktën nga sa më ka treguar nëna që ka qenë brenda dhe më pas është përhapur me shpejtësi në të gjithë shtëpinë. Nëna ime ka nxjerrë jashtë fëmijët e vegjël dhe më pas ka tentuar që të flasë me babain tim që gjendej në gjumë në katin e dytë. Për shkak të tymit të madh dhe flakëve ka qenë e pamundur. Për herë të fundit e kemi parë vetëm një moment babain teksa përpëlitej pas xhamit të dritares”, tha Luli. Më pas ajo u shpreh se “zjarrfikësit nuk dinin se ku të ndërhynin, ndërsa unë u thosha që mos bëni asgjë tjetër veçse më shpëtoni babain. U thashë që babai ishte brenda në gjumë dhe isha njëmijë për qind e sigurt për këtë gjë. Një prej efektivëve më tha se kemi kontrolluar, por s’kemi gjetur njeri brenda. Nëse zjarrfikëset mund të kishin mbërritur shpejt, babai im do të kishte shpëtuar. Jemi shumë të tronditur nga kjo ngjarje dhe nëna ime është e tëra e mpirë nga tmerri që ka përjetuar. Djali im është djegur pak te balli, edhe vajza ime, edhe një komshi që ka tentuar të shpëtojë babain tim”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.