BOTA

U dënua me 20 vjet burg për pedofili, britaniku pritet të lirohet. Fëmijët tërheqin akuzat: Nuk abuzoi, na detyruan ta akuzonim

14:51 - 12.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Shtetasi britanik, David Brown, i cili është dënuar me 20 vjet burg për pedofili në Shqipëri pritet të lirohet. Kështu ka shkruar gazeta britanike “Mirror” ditën e sotme. Sipas saj, dy fëmijët shqiptarë që dëshmuan në atë kohë për abuzimin, kanë thënë se janë detyruar të gënjejnë dhe se asgjë nuk është vërtetë. Brown, i cili ishte drejtues te qendra sociale “Fëmijët e Tij” ka vuajtur deri më tani 11 vjet në burg.

Dy “viktimat” e abuzimit, sot janë 18 dhe 22 vjeç, ndërsa kanë deklaruar se janë detyruar nga psikologët dhe policia që të gënjejnë për Brown.

Britanikja shkruan se për Brown, Robin Arnold dhe Dino Christodoulou kanë dëshmuar 10 fëmijë që kanë thënë se janë abuzuar prej tyre.

Por duket se vetëm Brown mund të lirohet. I kontaktuar nga gazeta britanike, ai ka thënë se do të qëndrojë në Shqipëri edhe pas lirimit nga burgu.

Andon Qoshlli, 22 vjeç tregon për gazetën britanike se kërkon që të tërheqë dëshminë e tij kur ishte 13 vjeç. “Psikologu dhe oficeri i policisë më detyruan që të thosha ato që thashë. Unë nuk jam abuzuar prej tij dhe më vjen keq që ndodhet në burg. Dua që ai të dalë dhe ta përqafoj. Davidi na mori nga rruga dhe na çoi në shkollë”, thotë ai.

Tashmë 18 vjeç, dëshmitari i dytë, Denis Aliu deklaron se ai ishte një 6-vjeçar i terrorizuar dhe ishte kërcënuar nga policia që të deklaronte se ishte abuzuar nga Brown. Denis, të cilin Brown e kishte hequr nga një jetë e tmerrshme në rrugët e zonës së Yzberishtit në Tiranë dhe e kishte çuar në shtëpinë e tij tha: “Davidi nuk duhet të jetë në burg. Isha i vogël në atë kohë dhe i thashë gjykatës se çfarë psikologu më porositi të thosha. Ajo më dha dhurata si top futbolli, ëmbëlsira, për të ngrënë dhe para, gjithçka për të më bërë të lumtur dhe që unë të mund t’i thoja gjykatës atë çfarë donin ata. Unë e thërrisja Davidin baba. E di që kam bërë një gabim të madh dhe dua të shkoj në gjykatë për ta rregulluar atë”.

Ai shtoi se u përgatit nga psikologu i shtetit para se të jepte dëshminë. Denisi shtoi: “Pak para se të jepja dëshminë, psikologu tha: ‘Shko dhe thuaj çfarë të mësova’”.
Denisi ka folur gjithashtu për përgjegjësinë e tij në 11 vitet e ferrit për Brown në burg. Ai tha: “Kam një faj të madh mbi vete dhe dua t’i rregulloj gjërat dhe të ndihmoj që ai të lirohet”.

Avokatja e Brown, Gjystina Golloshi tha: “Dëshmia e dy djemve ishte shumë e dobët dhe u dha pasi ata kaluan u frikësuan dhe manipuluan nga policia dhe prokurorët. Tani të dy kanë tërhequr akuzat ndaj David Brown dhe ndihen shumë keq për dënimin që ai ka kryer për diçka që nuk e ka bërë. Pa akuzat e tyre, rrjedhimisht nuk ka çështje kundër David dhe autoritetet nuk kanë rrugë tjetër veçse ta lënë të lirë pasi Gjykata e Lartë të dëgjojë të gjitha provat”. Golloshi tha se prokurorët nuk kanë marrë pjesë në një seri seancash që duhet të hapnin rrugën për lirimin e tij, brenda një viti, duke përfshirë edhe një seancë të enjten e kaluar.

Ajo shtoi: “Ne tani kemi një datë të caktuar për të dëgjuar dy djemtë në Gjykatën e Lartë më 20 mars, çka është e mundur pasi të dy janë mbi 18 vjeç”. Brown është i vetmi i huaj mes 300 të dënuarve në burgun 302 tek “Mine Peza”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.