LIFE STYLE

Gati Shërbimi i Hemodializës në Elbasan, gjatë prillit edhe në Korçë  

08:33 - 13.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

Në vetëm 3 muaj, 2% e shqiptarëve 35-70 vjeç u gjetën me nivel të lartë të azotemisë, ndërkohë që 1% e tyre rezultuan me kreatinemi të lartë, dy analiza që identifikojnë problemet me veshkat. Këto 2 analiza iu shtuan paketës së Kontrollit Shëndetësor Bazë, ndërkohë që sipas specialistëve janë tejet të rëndësishme për diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjeve renale. Përfshirja e këtyre analizave në ‘Check-up’ është njëra prej nismave të ndërmarra përgjatë 3 viteve e gjysmë, për sa u përket diagnostikimit dhe kurimit të këtyre patologjive. Një tjetër hap i rëndësishëm është futja e 6 ilaçeve të reja në listën e barnave me rimbursim, për të cilat në vitin 2016 u shpenzuan 573 milionë lekë. Më konkretisht, pacientët përfituan rimbursim për medikamentet në lidhje me problemet kockore te ata persona që vuajnë nga këto sëmundje, medikamente për transplantin e veshkës apo për aneminë. Po ashtu, pjesë e rimbursimit ishin dhe ‘Solifenacine Suçinate’, një medikament për vezikën hiperaktive që prish cilësinë e jetës në shumë pacientë, ‘Aa Essenciales’, për të sëmurët me sëmundje kronike të veshkave, si dhe ‘Furosemid 25 mg’, diuretik i domosdoshëm, me dozë më të ulët sesa ai i zakonshmi (40 mg).

Dializa

Përmirësimi i shërbimit të dializës është një tjetër hap në drejtim të trajtimit të këtyre sëmundjeve. Në vitin 2013 merrnin shërbimin e hemodializës 743 pacientë, ndërkohë që për vitin 2017 këtë shërbim e marrin 1050 vetë. Por, ajo që vlen të theksohet është hapja e disa qendrave të reja nëpër qytete të ndryshme të vendit, duke lehtësuar këta pacientë nga udhëtimet e përjavshme. Tashmë Shërbimi i Hemodializës ofrohet në 4 qendrat e Vlorës, Shkodrës, Lezhës dhe Beratit. Ndërkohë që, është gati edhe qendra në qytetin e Elbasanit e po kështu, përgjatë muajit prill pritet të nisë funksionimin edhe qendra e Korçës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në vitin 2016 u zhvilluan 144,637 seanca dialize, me një kosto që kap vlerën e 16,2 miliardë lekëve.

Transplanti

Ajo që vlen të theksohet në drejtim të trajtimit të sëmundjeve renale është transplanti i veshkës, i cili është mundësuar falas për pacientët që duhej t’i nënshtroheshin kësaj ndërhyrjeje. Në periudhën 2014-2017 janë realizuar 33 transplante të suksesshme, ndërsa kostoja e financuar nga shteti kap vlerën e 390 milionë lekëve. Numri i këtyre ndërhyrjeve ka ardhur në rritje nga viti në vit, pasi në vitin 2014 u realizuan 4 transplante, në 2015-ën 7 transplante, në 2016-ën 10 të tilla dhe në 2017-ën 12 transplante. Ofrimi i tyre falas nga shteti u bë në zbatim të 10 paketave shëndetësore, të financuara 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në drejtim të sëmundjeve të veshkave u hartuan, kostifikuan dhe zbatuan 3 paketa: Hemodializa, transplanti renal dhe flakja akute e transplantit renal.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.