SPORT

Humb Europianin, dëmtohet kapiteni i kombëtares së futsallës

12:34 - 14.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Një lajm i keq mbërrin në kombëtaren shqiptare të futbollit të sallës përpara kualifikueseve të Kampionatit Europian 2018. Kapiteni i Shqipërisë, Roald Halimi, ka pësuar një dëmtim serioz në gju duke këputur ligamentin, çka e lë “de jure” jashtë grumbullimit për raundin e radhës të “Euro 2018”-ës, ndeshjet e së cilës do të luhen në datat 3-12 prill në Azerbajxhan ku kundërshtarët tanë do të jenë vendi pritës, Hungaria dhe Bosnjë-Hercegovina. Lajmi i dëmtimit konfirmohet për gazetën “Panorama Sport” nga vetë titullari i italianëve në A2, Pezaro Fano.

“Të shtunën e kaluar, në ndeshjen që na ngjiti në Serinë A për sezonin e ardhshëm, pas pesë minutave lojë pësova një dëmtim në gju dhe rashë direkt në parket. Ato momente nuk e drejtoja fare këmbën. Në pamundësi për t’u çuar, më transportoi ambulanca në spital ku mora edhe trajtimin e parë mjekësor. Kisha dhimbje të tmerrshme, kurrë nuk i kisha provuar.

Më erdhi shumë keq se këtë javë kishim edhe finalen e Kupës, gjithashtu në prill kemi ndeshjet me kombëtaren. Për fatin e mirë skuadra fitoi edhe Kupën edhe pa kontributin tim. Kështu bëmë një ‘dopietë’ pas titullit kampion të fituar së fundmi. Rezonanca konfirmoi një këputje të ligamentit dhe nesër (sot) do të vendoset nëse do të bëj ndërhyrje kirurgjikale ose jo. Dëmtimi ka qenë serioz dhe nëse do të ndodhë që të operohem me shumë gjasa do të qëndroj jashtë për 5-6 muaj”, deklaroi kapiteni Halimi.

Mes të tjerash, ai u shprehu mirënjohjen shokëve të skuadrës për mbështetjen që i kanë dhënë këto ditë. “Në vazhdim do të përqendrohem që të jem gati për muajin gusht meqenëse këtu sezoni përfundoi. Ndërkohë, do të kërkoj të shkoj me kombëtaren në Azerbajxhan. Sigurisht do të dëshiroja shumë të qëndroja afër me skuadrën dhe stafit në një moment historik si ky për Shqipërinë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.