EKONOMI

Shefi i Nefrologjisë; Barbullushi: 10 këshillat kryesore për të ruajtur veshkat nga sëmundjet  

07:21 - 14.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ola MITRE

– Rreziku i dëmtimit të veshkave gjatë jetës është më i lartë se prekja nga diabeti, sëmundjet e zemrës apo kanceri”. Paralajmërimi vjen nga shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Myftar Barbullushi, i cili thotë për ‘Life Pages’ se kjo duhet të motivojë gjithsecilin në parandalimin e këtyre sëmundjeve. “Në një studim të publikuar në 6 gusht 2013, në ‘American Journal of Kidney Diseases’ (gazeta amerikane e sëmundjeve të veshkave), ata prishën qetësinë e muajit gusht me fakte tronditëse: 60% është rreziku për t’u dëmtuar funksioni i veshkave gjatë jetës së një njeriu, 35% për t’u sëmurur nga diabeti, 38% për sëmundjen koronare të zemrës dhe 40% për kancerin. Pra, gjatë jetës jemi më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e veshkave sesa nga diabeti, sëmundjet e koronareve apo edhe nga kanceri”, – thotë Barbullushi. Po ashtu, teksa citon autorët e studimit, nefrologu shton se “këto të dhëna të fundit, se shpeshtësia e dëmtimit të funksionit të veshkave ka kaluar edhe diabetin, i konsideruar si një epidemi me përmasa mbarëbotërore, për sa i përket shpeshtësisë së tij, duhet të perceptohen si një tërmet në problemet e shëndetit të popullatës, duke na motivuar në zbulimin dhe parandalimin e hershëm të tyre”.

Parandalimi

Sipas Barbullushit, është shumë e rëndësishme që të fokusohemi te parandalimi i këtyre sëmundjeve dhe se çdokush ka në dorë disa mënyra praktike për të mbajtur larg dëmtimet e veshkave. “Pirja korrekte e lëngjeve dhe kujdesi ndaj çdo bari që marrim, duke përfshirë vëmendjen ndaj çdo shenje të urinimit jokorrekt, parandalojnë dëmtimet e veshkave, pakësojnë vdekjet në këta të sëmurë, dhe, jo më pak e rëndësishme, ulin në mënyrë të ndjeshme koston ekonomike të shoqërisë”, – thotë mjeku, duke cituar autorët e një tjetër studimi të rëndësishëm për bllokimin e funksionimit të veshkave. Gjithashtu, duke iu referuar Shoqatës Botërore të Nefrologjisë, Barbullushi jep edhe 10 këshilla të rëndësishme për të parandaluar epideminë në rritje të sëmundjeve të veshkave. “Praktiko rregullisht aktivitetin fizik, mos pi cigare, ruaj peshën tënde, evito dietën me shumë kalori dhe shumë yndyrna (frutat dhe perimet u bëjnë mirë veshkave), pakëso konsumin e kripërave dhe mos ekzagjero me proteinat, evito abuzimin e barnave, sidomos të atyre antiinflamatore, bëj periodikisht gjykimin e funksionit të veshkave dhe analizën e urinës, të njihet vlera e gjykuesve të funksionit të veshkave, të mbahet trupi në mënyrë korrekte i hidratuar duke pirë të paktën një litër e gjys-më ujë në ditë dhe pakëso pirjen e lëngjeve të ndryshme nga uji”, – shprehet mjeku. Sipas Barbullushit, sëmundjet e veshkave janë një kosto jo vetëm për personat që preken prej tyre, por edhe për gjithë shoqërinë. Ndaj, sipas tij është i domosdoshëm edukimi i popullatës për rëndësinë e parandalimit të tyre. “Në Angli, deri në 1 milion të sëmurë, çdo vit, shtrohen në spital si rezultat i bllokimit të funksionit të veshkave si pasojë e marrjes jokorrekte të lëngjeve dhe përdorimit pa kriter të ilaçeve të ndryshme, si ato të dhimbjes, të tensionit etj. Shpenzimet për mjekimin e këtyre të sëmurëve kalojnë në shifra shpenzimet për diagnostikimin dhe mjekimin e kancerit të mushkërisë, gjoksit dhe lëkurës të marra së bashku. Për pak edukim dhe kujdes ndaj shëndetit e paguan ekonomikisht e gjithë shoqëria”, – përfundon shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, në QSUT.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.