BOTA

Holanda mban sot zgjedhjet parlamentare, ndërkombëtarët të shqetësuar

10:24 - 15.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Holanda do të mbajë sot zgjedhjet parlamentare. Në këto zgjedhje konkurrojnë 28 parti dhe asnjëra prej tyre nuk pritet të fitojë më shumë se 17 ose 24 vende në Parlamentin prej 150 deputetësh. Analistët thonë se ka shanse të mira që Wilders të dëbohet nga politikëbërja, kur të nisin bisedimet për koalicionin qeverisës. Partitë e tjera e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes së partisë së Wildersit në qeveri.

Ky vend rrallë tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare, por në këto zgjedhje është ndryshe. Beteja midis kryeministrit Mark Rutte nga qendra e djathtë dhe Geert Wildersit, populist, i cili ka bërë fushatë për ndalimin e Kuranit, mbylljen e xhamive dhe largimin e vendit nga BE-ja, ka rritur fokusin te votimet, pasi ndjenjat nacionaliste kanë shkaktuar dy rezultate të papritura, vitin e kaluar. Partia “Liria e Wildersit” ka udhëhequr sondazhet e opinionit, shumicën e kohës, gjatë fushatës, edhe pse rezultatet e anketave janë kthyer në favor të liberalëve të kryeministrit Rutte, në ditët e fundit.

Shqetësimet ndërkombëtare për këto zgjedhje janë ushqyer javën e fundit me një konfrontim diplomatik të Holandës me Turqinë.

Holanda, por edhe Gjermania kanë refuzuar të lejojnë ministrat e Qeverisë turke të organizojnë tubime politike në territorin e tyre, në mbështetje të një referendumi që pritet të rrisë pushtetin e presidentit turk, Erdogan.

Turqia ka thënë më 13 mars se ka ndaluar të gjitha bisedimet në nivel të lartë politik me Holandën dhe se, sa i përket Ankarasë, marrëveshja me BE-në për të ndihmuar frenimin e emigrantëve nga vendet e lindjes, ka marrë fund.

Zgjedhjet në Holandë vijnë në kohën kur në Francë, Marine Le Pen, nga ekstremi i djathtë, duket se do të arrijë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në prill, ndërsa në Gjermani, partia anti-migrante Alternativa për Gjermaninë ka rritur popullaritetin e saj përpara zgjedhjeve në vjeshtë, të cilat mund të përmbysin kancelaren gjermane, Angela Merkel.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.