SPORT

Një penallti e Dibalas hipotekon kualifikimin e Juves, vazhdon përralla e Leisterit në Champions  

07:21 - 15.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Juventusi ka siguruar kualifikimin e mëtejshëm në Ligën e Kampioneve duke mundur edhe në takimin e kthimit Porton. Pas suksesin 2-0 në transfertë, bardhezinjtë ka mundur 1-0 në shtëpi portugezët falë penalltisë së Dibala në fundin e pjesës së parë.

Të dy skuadrat krijuan disa mundësi shënimi gjatë 45 minutave të para, me një dominim më të lehtë të Juventusit që kishte hedhur në fushë një formacion ofensiv. Por episodi që vendosi fatin e ndeshjes erdhi në minutën e 40 të takimit. Pas një goditje këndi, Manxhukiç me kokë vuri në provë reflekset e Kasijas dhe ky i fundit arriti të mbante topin jashtë portës. Por sfera u kthye te Higuain i cili gjuajti, duke gjetur përpara Maksi Pereiran i cili bllokoi në mënyrë të dukshme topin me dorë.

Penallti dhe karton i kuq për mbrojtësin, ndërsa Dibala nga pika e bardhë nuk gaboi duke kaluar Kasijasin për t’i dhënë golin e avantazhit skuadrës së tij,

Në disavantazh dhe në inferioritet numerik, Porto e kishte thuajse të pamundur të rrezikonte portën e Bufon i cili ishte në kontroll të situatës në çdo moment. Ndaj me vërshëllimën përfundimtare, bardhezinjtë kaluan me meritë mes 8 ekipeve më të mira të turneut.

 

Leister City – Sevilja 2-0

Në ndeshjen tjetër, Leisteri vazhdon të përjetojë magjinë e Ligës së Kampioneve, ndonëse në kampionatin anglez i është kthyer rutinës së zakonshme të luftës për mbijetesë. Skuadra e drejtuar nga Kreig Shekspir, ka realizuar një përmbysje drithëruese ndaj Seviljes, duke fituar 2-0 për t’u kualifikuar mes 8 skuadrave më të mira të turneut prestigjioz kontinental.

Kërkohej përmbysja e rezultatit 2-1 për spanjollët në ndeshjen e parë dhe Leisteri tregoi që në fillim se synonte një tjetër arritje historike, si titulli kampion i vitit të kaluar. Që në fillim, skuadra angleze luajti në sulm duke kërkuar me ngulm golin e avantazhit që do të vinte në minutën e 27 pasi kapiteni Morgan devijoi me kofshë në portën e Riko.

Duke llogaritur edhe ndeshjen e parë, ky gol i mjaftonte anglezëve të cilët lëshuan paksa terren duke lënë manovrën në dorë të Seviljes. Por spanjollët nuk dukeshin në ditën e tyre me të mirë dhe vuanin jo vetëm për të krijuar rreziqe para portës së Shmajkel, pro edhe në mbrojtje ku kundërzbritjet e shpejta të vendasve rrezikuan disa herë katërkëndorin e Rikos.

Skuadra e Sampaolit filloi me shumë vrull pjesën e dytë dhe Eskudero goditi edhe traversën me një gjuajtje nga distanca. Por në minutën e 55-të erdhi edhe goli i dytë i Leisterit me Ollbrajton, i cili realizoi me një gjuajtje në hyrje të zonës pas një largimi të gabuar të mbrojtjes.

Sevilja provoi të reagonte por e bëri atë në mënyrën më të keqe të mundshme, duke shtuar nervozizmin në fushë, me një zënkë mes Nasri e Vardi që përfundoi me të dy që u ndëshkuan me karton të verdhë. Për francezin e Seviljes ky ishte i dyti dhe ai la skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë.

Megjithatë, spanjollët kishin mundësinë të rihapnin kualifikimin kur regjistrohej minuta e 80 e ndeshjes. Shmajkel rrëzoi në zonë Vitolon duke shkaktuar penallti. Por vetë portieri danez korrigjoi gabimin me një grushtim të jashtëzakonshëm ndaj N’Zonzi, duke ruajtur të paprekur portën e tij.

Më pas Vardi humbi dy raste radhazi për të shënuar golin që do të mbyllte kualifikimin, duke bërë që gjithçka të mbetej e hapur deri në vërshëllimën përfundimtare të italianit Orsato. Por pas sinjalizimit, në stadium filloi festa për një kualifikim historik që rendit Leisterin mes më të mëdhenjve të Europës,. Ëndrra e “dhelprave” vazhdon!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.