OPINION

Kush do hedhë “dritë” në fundtunelin e “zi”

06:20 - 16.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga ERVIN BAKU




– Kampionati shqiptar i futbollit ka hyrë në një fazë tejet interesante. Ethet shtohen nga java në javë. Nga ndeshja në ndeshje. Si për titullin kampion, ashtu edhe për qëndrimin në elitë. Java e 25-të, e “çmendur” si të tjerat. Tirana ndal Skënderbeun dhe i shton vetes një pikë qetësie në tabelë. Në duelin e së premtes, skuadrat më të titulluara në këtë dekadë të fundit dhanë spektakël. Ndërsa shënuan nga dy gola në “Selman Stërmasi”. Hoxhallari mahnit me atë perlë nga jashtë zone, ndërkohë që golat e Salihit nuk e ndihmojnë Skënderbeun të ruajë kryesimin. Atë ia merr edhe njëherë tjetër Kukësi. Që duhet të “falënderojë” sërish Tiranën në misionin për të shkuar te titulli. Veçse këtë radhë pranë skuadra e Gjokës ka edhe Partizanin, që në Elbasanin asnjanës kalon me vështirësi (2-1) Flamurtarin e Vlorës. Për statistikë, kryesuesit verilindorë mposhtën në të gjitha drejtimet Korabin e Peshkopisë, duke i shënuar plot katër herë. Mazrekaj lëshon sinjale të qarta se ai është kualitativ dhe se Starova lipset ta përfshijë më shpesh në planet e të kuqeve. Ashtu sikundër dhe Cetkoviçin, dikur pjesë e kombëtares malazeze. “Rilind” Luftëtari. Pas dy barazimeve në fushën e tij, bluzinjtë ndrisin në Durrës. Ata kaluan me një gol pikërisht skuadrën më në formë të momentit – Teutën. Java e mbrapshtë për durrsakët bëri që bregdetarët të hedhin edhe njëherë shikimin nga zona e ftohtë, aty ku Flamurtari dhe Laçi duket se janë në një betejë të fortë për të lënë pas njëra-tjetrën. Në fakt, kurbinasit u shfaqën me pretendime në Shkodër ndaj Vllaznisë vendase. Bazuar në përballjet e fundit, por edhe në kërkesën për pikë, laçianët provuan të vendosin nën presion kuqeblutë, por goli do të vinte nga kahu tjetër. Është Vllaznia me Bakajn që përmes një penalltie të dyshimtë, realizon fitoren. Përfundimisht, java dha disa verdikte që me gjasë do të mbeten të pandryshuara deri në fund. Kështu, gjirokastritët duhen llogaritur të shpëtuar dhe Milenkoviç, tashmë ka të gjithë të drejtën e botës të pretendojë vendin e katërt. Nga ana tjetër, titulli pritet të vendoset jo pak këtë fundjavë teksa Skënderbeu e Kukësi, do të përballen në një duel ekstra. Në fund, Korabi pret të “tërheqë” pas vetes Flamurtarin, Laçin, pse jo dhe njërën mes Teutës e Vllaznisë. Ndaj duelet e kësaj jave Laçi-Flamurtari dhe Vllaznia-Teuta, pritet të hedhin “dritë” në fundtunelin e “zi”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.