POLITIKË

Rama në Sarajevë: Tensionet artificiale për shkaqe elektorale

20:12 - 16.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së të tij me gazetarët në Sarajevë, ka folur edhe për “sherrin” mes Aleksandar Vuçiç dhe Isa Mustafës. “Unë mendoj që këto tensione janë artificiale. Janë të ngritura për shkaqe elektorale, që nga treni, te muri, madje dhe te lajmi i përhapur në Prishtinë dhe Beograd, sipas të cilit, qenka bërë sherr mbrëmë në darkë”, është shprehur kryeministri Rama.

Si e shihni të ardhmen e rajonit pas këtij takimi dhe çfarë rëndësie kishte?

Ky takim është një takim përgatitor të vigjilje të Samitit të radhës, në kuadër të procesit të Berlinit, në Trieste. U diskutua për avancimin e axhendës së tregut të përbashkët, që është kalimi në një fazë të re të idesë së hedhur prej nesh qysh në Samitin e Parisit. Për ne, ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, pasi do të krijojë mundësi të reja dhe një afrim të mëtejshëm me BE. Ashtu sikundër, pa asnjë diskutim, do t’i japë një nxitje shumë të konsiderueshme ekonomisë, tregtisë dhe marrëdhënieve në rajon.

Prisni që të sjellë diçka, sidomos në këtë fazë, kur Ballkani dhe Shqipëria është akuzuar nga Serbia dhe ka patur mjaft tensione? Mendoni që do të tejkalohen në një Samit tjetër?

Unë mendoj që këto tensione janë artificiale. Janë të ngritura për shkaqe elektorale, që nga treni, te muri, madje dhe te lajmi i përhapur në Prishtinë dhe Beograd, sipas të cilit, qenka bërë sherr mbrëmë në darkë. Unë isha në darkë dhe s’pashë asnjë sherr. Përkundrazi. Kështu që, deri kur të mbarojnë zgjedhjet në Beograd, mos u çudisni nga këto lloj “tensionesh”. Për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, unë besoj që janë marrëdhënie të vështira, është një dialog i vështirë, por është e vetmja rrugë për të trajtuar çështje që, jo thjesht janë në interes të përbashkët, por që kanë të bëjnë edhe me përcaktimin në rrugën e integrimit europian dhe me përkatësinë në atë pjesë të komunitetit ndërkombëtar që ne kemi zgjedhur të jemi.

A është ky model i tregut të përbashkët, d.m.th.një alternativë kundrejt integrimit në Bashkimin Europian?

E kundërta është e vërtetë, që ky nuk është një model alternativ. Ky është model zhvillimi që përshpejton procesin e integrimit në BE dhe e bën integrimin e tregut të përbashkët europian dhe tregut të përbashkët ballkanik një realitet më shpejt se sa ç’mund të ndodhë me anëtarësimin e vendeve tona në BE.

Ju e shihni si model të përshtatshëm?

Ne e kemi propozuar. Si mos ta shohim si model të përshtatshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.