OPINION

Sinqeritet i frikshëm i qeverisë

06:22 - 16.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Xhevat MUSTAFA




– Tahiri, Beqaj, Klosi dhe Çuçi ikin si ministra për t’u bërë koordinatorë apo “komisarë” në betejat elektorale në qytetet apo zonat ku përcaktohen fituesi dhe humbësi. Me këtë lëvizje Edi Rama “i sakrifikon” këta shokë të denjë për të apo “kampionë” për hir të fitores me çdo formë, mënyrë, rrugë, çmim në 18 qershor. 

Vendimi i 13 marsit 2017 për ndryshimet në qeveri, i publikuar dhe qarkulluar si kolegjial, lë të kuptohet dhe shpreh bollshëm individualizëm deri në kufijtë e subjektivizmit, prepotencës, arrogancës, diktatit, autarkisë, pronësimit apo privatizimit të PS-së në emër të kryetarit. Ky akt zbulon edhe strategjinë e Edi Ramës për të pasur në qeveri dhe në kryesinë e PS-së sa më shumë njerëz të tij besnikë, sidomos sorosianë, duke vazhduar “harresën”, anashkalimin apo braktisjen e intelektualëve elitarë. Zëvendësimi i Saimir Tahirit, Ilir Beqajt, Blendi Klosit dhe Bledi Çuçit me Fatmir Xhafajn, Ogerta Manastirliun, Olta Xhaçkën dhe Eduard Shalsin, krahas reklamimit si lëvizje paraelektorale, freskuese apo rinovuese, mbart edhe nëntekstet si lëvizje e detyruar apo imponuar, strategjike, taktike, manipuluese, demagogjike. Rama u përbetua se e ka bërë këtë lëvizje thjesht në interes të fitores së “Rilindjes” dhe të koalicionit qeverisës në zgjedhjet e 18 qershorit. Pra, sipas mendjes, synimeve, llogarive dhe interesave të tij dhe të pozitës. Për kaq mund të pranohet se është i sinqertë, por jo 100%, e shumta deri tek gjysma. Ai shkroi dhe deklaroi se nuk është detyruar as nga kërcënimi i PD-së së ngujuar qysh nga 18 shkurti në çadrën fare pranë zyrës së tij dhe as se ia ka kërkuar Ilir Meta dhe LSI-ja. Nuk përmendi fare ndonjë këshillim, ndikim apo presion të vogël nga miq apo kundërshtarë ndërkombëtarë në Tiranë, Bruksel, Berlin. Kështu lihet të kuptohet se Edi Rama jo gjithnjë dhe jo për gjithçka është plotësisht i sinqertë.  Mund të kujtojmë se kryeministri është betuar disa herë, pa mundur t’i mbulojë edhe tonet kërcënuese se “do të bëjë me të vërtetë shtet ligjor, të standardeve më të përparuara”. Nëse do të shikonte mirë të shkuarën dhe të afërmen e plot bashkëpunëtorëve që ka pranë apo përreth në ekipet politike, qeverisëse, administrative të PS-së dhe të LSI, nëse do të kërkonte për këtë informacione të paanshme dhe transparente nga SHISH-i, prokuroria, policia mund të tronditej nga mesazhi se nuk po tregohet fort i sinqertë as me veten, as me partinë, as me qytetarët shqiptarë në vend dhe në botë, as me ndërkombëtarët. Shumëkush prej qytetarëve shqiptarë mund ta gozhdojë me shpatulla pas muri apo t’i shkaktojë turp dhe pendesë, duke i thënë troç: Si mund të të besojmë se do të bësh shtet të fortë e të vërtetë ligjor kur je i rrethuar nga një mizëri  deputetësh, drejtorësh të përgjithshëm, kryebashkiakësh me dosje dhe doza të rënda inkriminimi në Shqipëri dhe në botë; me certifikata apo pasaporta me 5-10 emra; me dëftesa dhe diploma të blera; me lidhje të pista ortakërore apo klienteliste; kur korrupsioni në zyrat dhe spitalet e shtetit lulëzojnë krahasueshëm dhe lemerishëm me kanabisin dhe kriminalitetin?! Si mund të flitet dhe besohet për shtet ligjor serioz kur hiqen dhe emërohen ministra sipas lidhjeve familjare, shoqërore, sorosiane, sipas preferencave dhe interesave klienteliste të kryeministrit dhe kur kolegjialiteti është thjesht një formalitet apo fasadë?!    Lëvizjet e 13 marsit 2017 në qeveri tërheqin vëmendjen sidomos për përfshirjen në ekipin e riformatuar qeveritar të dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë e për një kohë tejet të gjatë. Futja në ekipin qeveritar e Fatmir Xhafajt mbart edhe dy mesazhe mirënjohjeje nga Edi Rama. E para është mirënjohja për trashëgiminë. Duke u shprehur në mënyrë figurative, nisur jo vetëm nga një fotografi me diktatorin, ai nuk mund ta largojë erën e rëndë të Enver Hoxhës, edhe pse mund të bëjë dush përditë gjatë 100 viteve të jetës. E dyta, Edi Rama e shpërbleu me post ministror Fatmir Xhafajn edhe për “sallatën” apo “gallatën” që bëri me reformën në drejtësi dhe vetingun. Edhe me përfshirjen në qeveri të Eduard Shalsit, kryeministri Rama krahas dëshirës për të mos u vënë veshin kritikave të moçme dhe të freskëta ndaj tij nga opozita dhe mediat, rishprehu mirënjohjen e tij personale ndaj njërit prej njerëzve më të përkushtuar dhe më të bindur ndaj tij, sidomos në kohën “e artë” të përjetuar në Bashkinë e Tiranës.

Me këtë akt, Rama shprehu gjithashtu edhe moskokëçarjen apo arrogancën e tij ndaj akuzave dhe kritikave nga opozita dhe shoqëria civile për përfshirjen e Shalsit në afera të dyshimta në fushën e grumbullimit dhe të përpunimit të mbeturinave apo plehrave shqiptare dhe italiane. Troç apo shqip, kjo mund të përkthehet edhe në këtë formë: “Sa të jem unë kryetar dhe kryeministër, ju vazhdoni në rrugën tuaj dhe në ‘drejtimin e duhur’, pa u merakosur për gjurmë dhe njolla nënshtrimi, servilizmi, korrupsioni individual, ortakëror apo klientelist dhe pa guxuar të jepni shenja individualiteti, integriteti, mendimi ‘ndryshe’ apo mosbindjeje si Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi”! Në “sqarimin” apo reklamimin e tij personal për ndryshimet e fundit në qeveri, Edi Rama rishprehu edhe sinqeritet alarmues apo të frikshëm. Ai la të kuptohej se Tahiri, Beqaj, Klosi dhe Çuçi ikin si ministra për t’u bërë koordinatorë apo “komisarë”, apo menaxherë në betejat elektorale në qytetet apo zonat ku përcaktohen fituesi dhe humbësi. Me këtë lëvizje ai “i sakrifikon” këta shokë të denjë për të apo “kampionë” për hir të fitores me çdo formë, mënyrë, rrugë, çmim në 18 qershor. Sipas këndvështrimit apo deklarimit të sinqertë të Edi Ramës, duke kujtuar se sa i leverdisshëm dhe produktiv ishte mandati i parë për përfitime individuale, familjare, ortakërie apo klienteliste, nuk mund të thuhet se i ka bërë gabim llogaritë. Për atë personalisht, familjarisht dhe si “Rilindje”, fitorja në zgjedhje, si gjithë ato të mëparshmet, pavarësisht bollëkut të mangësive dhe parregullsive flagrante apo vjedhjeve dhe shitblerjeve të hapura, të pritshme e të mundshme, pavarësisht kritikave nga opozita dhe ndërkombëtarë, vlen më shumë se gjithçka. Përvoja në zgjedhjet bashkiake në Dibër tregoi se fitorja arrihet me “menaxherë” të zotë apo mjeshtra lokalë apo nga Tirana, që nuk kursehen për t’i mbushur kutitë me sa më shumë fletë votimi për kandidatin e tyre të zemrës. Paraja e madhe, fituar edhe falë vitit të mbarë për kanabisin, i bën të pandjeshme në rezultat pakënaqësitë e dibranëve ndaj kryetarit të parë, që kishte treguar se mund t’u kapte në zyrë vajza e nuse, si dhe për mospërmbushjen e shumicës së premtimeve më 21 qershor 2013, me kryesor atë për “Rrugën e Arbrit”. Shumëkujt duhet t’u kujtohet se Edi Rama e kishte parashikuar apo paralajmëruar me kohë këtë fitore. Ashtu si edhe atë në Kolonjë. Pra, ai ishte treguar paraprakisht i sinqertë në të dyja betejat zgjedhore. Kishte deklaruar se kandidati i tij do të fitonte dhe fitoi. Fitorja, pavarësisht llojit, mënyrës, çmimit, në fund të fundit është fitore. Prandaj ka dalë edhe shprehja “Fitore si e Pirros”. Prandaj, në frazeologjinë sportive ndeshen edhe vlerësimet “Fitore e diskutueshme”, “Fitore e turpshme”, “Fitore e blerë”, “Fitore e dhuruar”… Duke iu referuar proceseve zgjedhore tek ne gjatë 26 viteve të demokracisë si dhe në plot vende në botë, mund të huazojmë dhe shtojmë edhe shprehjet “Fitore e pistë”, “Fitore e vjedhur”, “Fitore alarmante dhe e frikshme”…

Edhe për zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit, Edi Rama ka kohë që shpreh besim dhe optimizëm se “Rilindja” e tij do të fitojë. Madje, me rezultat më të thellë se 4 vjet më parë. Ky optimizëm është edhe shprehje sinqeriteti nga ana e tij. Shprehet, duket dhe kuptohet se ai është i sigurt se nuk do ta pengojnë marshimin e tij në rrugën e duhur, pra drejt fitores së re, as mospërmbushja e shumicës së premtimeve afro 4 vjet më parë. As tenderat dhe koncesionet që mbajnë erë të rëndë korrupsioni, plehrash dhe helmesh. As turpërimi i shpeshtë dhe i vazhdueshëm nga të inkrimininuarit e të korruptuarit e moçëm dhe të freskët, që zbulojnë dhe dënojnë auditet e brendshme, prokuroria, gjykatat, emisionet investigative, etj. Nuk do ta pengojnë për fitoren as dhjetëra tonelatat me kanabis që kanë dalë me motoskafë dhe maune nga brigjet e Shqipërisë dhe kanë përmbytur Italinë, Greqinë, Turqinë, Holandën, Gjermaninë, Anglinë… Biles, në të kundërtën, këto do ta ndihmojnë, sepse me miliardat e kanabisit mund të blihen jo vetëm vota shqiptarësh, por edhe sy dhe veshëmbyllje ndërkombëtarësh. Nga ky këndvështrim del qartazi se sinqeriteti i Edi Ramës, në çdo nivel që të jetë, nuk është i frikshëm për të gjithë. Për njerëzit që ka përreth në parti dhe qeveri, nëpër ministrira dhe bashkira, në dogana dhe kudo, sinqeriteti i tij injekton siguri, besim, vazhdimësi, plotpushtetizim, pasurim të vazhdueshëm… Gjithsesi, sinqeriteti i tij  është më shumë i frikshëm se sa qetësues edhe kur është i plotë, edhe kur është gjysmak, edhe kur mungon fare.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.