EKONOMI

Gjermeni: Tapi për 30 mijë ndërtime pa leje, kush përfiton

08:09 - 17.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Nga Ornela MANJANI   Rreth 30 mijë familje në të gjithë vendin që kanë blerë shtëpi në pallate ku është shkelur leja e ndërtimit nga pronarët do të pajisen me hipotekën e shtëpive. Në procesin e legalizimit do të përfshihen 1.320 pallate në të gjithë vendin, 700 prej të cilave janë në Tiranë. Numri i familjeve që do të marrin tapinë e shtëpisë – pavarësisht faktit se ndërtuesi ka shkelur lejen duke ndërtuar shtesa në lartësi ose anësore – vetëm në Tiranë është 18 mijë. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni bën të ditura detajet në lidhje me procedurat që duhet të ndjekin qytetarët për të marrë tapinë e shtëpisë.

Takimi

Disa javë pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për legalizimin e shtesave në kate në pallate, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame kanë pasur një takim konsultues me banorë të Njësisë Nr. 7 në Tiranë. Ministrja Gjermeni bëri me dije se, pavarësisht problematikës së hasur, kryesisht në mbledhjen e informacionit të plotë për numrin e pallateve që duhet të legalizohen, të gjitha familjet që preken nga VKM-ja do të kenë në duart e tyre lejen e legalizimit për banesat e tyre. Për këtë, ministrja nënvizoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e banorëve. “Në këto tri vite u fokusuam në përmbylljen e procesit të legalizimeve në zonat masive informale, duke bërë të mundur legalizimin e mbi 96.425 objekteve. Sa i takon legalizimit të shtesave në pallatet ku ju jetoni, ndihma dhe bashkëpunimi juaj është shumë i rëndësishëm në identifikimin e problemeve dhe hartimin e dokumentacionit të nevojshëm, që më pas do të ndiqet tërësisht falas nga ALUIZNI. Më lejoni t’ju siguroj që në mënyrë të padiskutuar, ju dhe të gjitha familjet në të gjithë vendin që kanë derdhur djersën e tyre për blerjen e një shtëpie në pallate që preken nga VKM-ja që miratuam në muajin janar, do të marrin lejen e legalizimit”, – tha ministrja në fjalën e saj. Pas shqetësimit të disa prej banorëve për individë, të cilët gjatë këtyre javëve janë paraqitur pranë pallateve për të mundësuar legalizimin në këmbim të pagesës, Drejtori i ALUIZNI-t, Lame u bëri thirrje qytetarëve të mos pranonin “shërbime sekserësh”, pasi sipas tij, procesi do të kryhet falas dhe vetëm nga punonjës të ALUIZNI-t. Me vendimin që qeveria miratoi në muajin janar të këtij viti, u hapet rruga afro 30 mijë familjeve shqiptare për të kryer procedurën e legalizimit dhe më pas hipotekimit pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për banesën që posedojnë në rreth 1.300 pallate. Vendimi i miratuar parashikon që ALUIZNI ka detyrimin e njoftimit të ndërtuesit apo investitorit, të cilëve iu është lënë një afat prej 30 ditësh për kryerjen e procedurave të legalizimit për objektin. Në ato raste kur ndërtuesit apo investitori nuk do t’i përgjigjet njoftimit brenda afatit të përcaktuar, atëherë i lind e drejta qytetarit të paraqesë pranë ALUIZNI-t kërkesën për legalizimin dhe hipotekimin e objektit që disponon.

Shqyrtimi i kërkesave

Nga momenti i paraqitjes së kërkesës nga qytetari e deri në përfundim të procesit të hipotekimit, e gjithë praktika do të ndiqet nga vetë ALUIZNI. Në zbatim të vendimit të miratuar, qytetarët nuk kanë asnjë detyrim financiar apo kosto shtesë për të paguar ndaj shtetit, pra, e thënë ndryshe, procedura e legalizimit për qytetarët do të jetë tërësisht falas. Ndërkohë që ndërtuesit apo investitorit i lind detyrimi fiskal për pagesën e taksës së infrastrukturës për objektin e ndërtuar. Pra, nga njëra anë qytetarëve u lind e drejta e përfundimit të procedurave të legalizimit dhe më pas hipotekimit të banesave të tyre pa u penguar tanimë nga mosshlyerja e detyrimit financiar që kanë ndërtuesit apo investitorët, dhe nga ana tjetër, institucioneve shtetërore u lind detyrimi për ndjekjen e shlyerjes së detyrimeve fiskale të taksës së infrastrukturës nga këta ndërtues apo investitorë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.