POLITIKË

Kokëdhima kritikon policinë: “Ka meritën” që kanabizoi Shqipërinë

13:01 - 17.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kreu i Lëvizjes “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ka reaguar për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për drogën, trafikun dhe pastrimin e parave, ku e vendos Shqipërinë në qendër të trafikut të drogës drejt Europës dhe si vend të lehtë për të pastruar para. Sipas tij, ky raport vërtetoi tezat për Don Kanabisin. Në një status në rrjetin social “Facebook”, ndër të tjera shkruan se është “merita” e Policisë së Shtetit që e kanabizoi gjithë vendin. Ja statusi i plotë i Kokëdhimës:

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi luftën ndaj trafikut të drogës për vitin 2016 e vendosi Shqipërinë në vendet kryesore të burimit të marijuanës. Ashtu  siç kam deklaruar disa herë prej verës së shkuar, vendi ynë në 2016-ën pati një shtim të plantacioneve me kanabis. Droga shqiptare, e mbjellë anekënd vendit vijon të trafikohet me ritme të larta, arrin të kapërcejë kufijtë e Shqipërisë dhe të kapet nga policitë e vendeve  fqinje. Policia e Shtetit sigurisht këtu ka “meritën” kryesore që e kanabizoi gjithë vendin, zyrtarët e saj taksuan trafikantët 20-30 për qind të vlerës.

Pasojat e këtij aktiviteti kriminal me përmasa dhe dëme kombëtare do të ndikojnë gjatë në jetën e shqiptarëve. Paratë e nxjerra nga ky biznes kriminal, thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, pastrohen lehtësisht dhe investohen në prona të patundshme dhe në projekte për zhvillimin e biznesit. Por, siç e kam theksuar edhe më parë, mafia e drogës ka krijuar një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucinet e tjera të vendit. Ajo do të rrezikojë edhe zgjedhjet e 18 qershorit.

Rrënjët e problemit duhet t’i gjejmë te qeverisja dhe prej andej do të vijë edhe zgjidhja. Ne kemi një popullsi të madhe në fshat dhe një bujqësi të braktisur, e cila kërkon strategji, politika, investime dhe projekte të mirëmenduara, kërkon subvencionim me të paktën 150 milionë dollarë në vit vetëm nga burimet e brendëshme të buxhetit, rregullimin e tregut të tokës dhe garantim të tokës nga shteti për çdo investim serioz e domethënës për eksportin, investime në infrastrukturë, grumbullim e përpunim, politika doganore mbrojtëse për prodhimet vendase etj, që nuk janë bërë nga asnjë qeveri, as nga qeveria e Ramës. ZGJIDHJA ka prezantuar programin e saj për kanabisin që është realist, i mundshëm, efektiv dhe në përputhje me trendet kulturore dhe të tregjeve në botën e civilizuar.

Shqipërisë i duhet legalizimi i marijuanës për qëllime farmaceutike dhe industriale, dekriminalizimi i përdorimit, kontrolli i plotë dhe absolut i shtetit mbi prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e produkteve dhe nënprodukteve të saj, kontrolli dhe pastrimi i policisë nga çdo person i implikuar. Legalizimi e kthen kanabisin në një të mirë për popullin dhe buxhetin e shtetit, moslegalizimi e mban atë si parajsë ekskluzive të mafies, ndërsa të gjithë funksionarët e policisë që janë implikuar me prodhimin ilegal dhe me trafikimin e marijuanës cenojnë sigurinë e vendit duhet të largohen nga shërbimet e policisë së shtetit. Partia Socialiste duhet të largojë nga qeveria dhe parlamenti politikanët dhe zyrtarët e lartë të saj që janë përfshirë direkt ose indirekt me trafikantët dhe trafikun e marijuanës”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.