OPINION

Kush ka më shumë rëndësi, partia apo Shqipëria?

06:20 - 17.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Kim MEHMETI




 

Ju përshëndes të gjithëve!

Mos harroni që para jush keni një shkrimtar. Unë nuk jam njeri i foltoreve, nuk jam njeri i mitingjeve. Mirëpo unë jam njeri që më intereson shqiptaria, që më intereson Shqipëria.

Para ca ditëve, një gazetar i huaj më pyeti se ‘ç’duhet të bëjë Shqipëria për ju, për shqiptarët e Maqedonisë?’ I thashë; jo diçka të veçantë. Shqipëria duhet të bëhet shtet normal, duhet të bëhet shtet demokratik, duhet të bëhet shtet ku të mbisundojë ligji. Duhet të bëhet shtet ku do të ketë një parlament nga i cili nuk turpërohemi ne shqiptarët e tjerë. Duhet të bëhet shtet me institucione shtetërore, me institucione demokratike që do të jenë në shërbim të shqiptarëve e të shqiptarisë, e jo në shërbim të partisë. Edhe thashë, kur të bëhet Shqipëria e tillë, unë si shqiptar i Maqedonisë do të jetoj shumë i qetë, do të fle i qetë, s’do të ketë problem me maqedonasit, sepse ata do të vijnë e do të më puthin në ballë sa herë që do të kenë ndonjë problem. Ngaqë ata do e dinë se kur ne kemi një Shqipëri të atillë të konsoliduar, atëherë kur të flasë Tirana, do dridhet Shkupi.

Mirëpo ata, duke e ditur se Shqipëria është e këtillë si kopsht kanabisi, kur nuk merret vesh se a krimi kontrollon politikën apo politika krimin, ata janë shumë komodë ndaj nesh. Shkurt e shqip, unë nuk dua një Shqipëri që të jetë si atelie ku piktori do të ekspozojë pikturat e veta, unë nuk dua as Shqipëri që të ketë vetëm dekor për spektakle televizive si të kryeministrit të tanishëm. Unë nuk dua as Shqipëri ku ata fshatarët hallexhinj, ata të papunët hallexhinj të ulen përreth kryeministrit dhe ai t’i përdorë vetëm si kryezoti.

Para ca netëve e dëgjova Kryeministrin e Shqipërisë të thotë kështu; unë i lirova ministrat e mi jo për diçka tjetër, por që të shkojnë e të punojnë për parti. Domethënë, ata që duhet të punojnë për të forcuar shtetin, ai i çon të punojë për të forcuar partinë, që do të thotë se për të është më e rëndësishme Partia Socialiste se Shqipëria.

Zonja e zotërinj, kjo është mendësi e pastër enveriste. Kjo do të thotë që partia e fortë e bën shtetin të fortë, që partia është e barabartë me interesin e popullit, që barazon interesin partiak me interesin e popullit, nuk e do si Shqipëri.

Për sa i përket ikjes së Ramës, mua më kanë shkruar shumë gazetarë dhe më kanë pyetur ‘a jeni për një mandat të dytë për Edi Ramën?’ dhe u kam thënë: ‘Rama e ka shumë edhe një mandat’. Tani, që ta përmbyll rrëfimin. Unë vij nga Maqedonia dhe ju të gjithë duhet ta kuptoni se ne shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk jemi të interesuar as për PD të fortë, as për PS të fortë, as për LSI të fortë. Ne jemi të interesuar për Shqipëri të fortë. Ne nuk duam një parti të fortë, ne duam Shqipëri të fortë. Unë tani e di se do fillojnë rrëfimet që ‘çfarë i dha Lulzim Basha, Kimit që erdhi aty? Si e joshi?’ Unë do të tregoj, të mos lodhen fare. Më ofroi diçka që nuk refuzohet. Nuk refuzohet shpresa se ndoshta nga kjo çadër nis të ndërtohet kjo Shqipëri, Shqipëria e fortë.

Kur më është bërë kjo ofertë të vij në këtë çadër, kam bërë veç një pyetje: A ju intereson PD-ja e fortë apo Shqipëria e fortë? Mua më intereson vetëm Shqipëria e fortë. Për ata që do thonë nga jashtë që ‘ç’ke ti që flet’ u them: vëllezër dhe motra, ka diçka që është më e vjetër se Shqipëria, se Kosova. Është shqiptaria.

Motra dhe vëllezër, Shqipëria dhe Kosova nuk do ekzistonin edhe sikur të mos ekzistonte ëndrra mbarëshqiptare për atdhe. Ndonjëherë, Shqipëria për ne shqiptarët jashtë është më e rëndësishme se për ju, sepse ne jemi ajo vëllazëria, sepse kur e kanë keq shqiptarët e Luginës së Preshevës, është e sëmurë tërë shqiptaria. Kur e ka keq shqiptari i Sarandës, është e sëmurë tërë shqiptaria dhe ne duhet të kuptohemi që të veprojmë kështu.

Unë dua nesër të kthehem në Shkup me shpresën se këtu fillon ndërtimi i asaj Shqipërie që ëndërrojnë të gjithë. Këtë e them vetëm e vetëm sepse Partisë Demokratike i ka hije ta bëjë këtë, sepse ajo e rrënoi atë që rrënoi, ajo duhet ta rrënojë edhe këtë Shqipëri, e cila është një Shqipëri partiake. Unë në këtë drejtim për këtë Shqipëri, jam me çdo parti të Shqipërisë. Çdo parti që do ta ndërtojë këtë Shqipëri, mua më ka simpatizant të vetin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.