POLITIKË

Shqipëria doli më 2015, si u rifut tani në “listën e zezë” të pastrimit të parave?

15:08 - 17.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pak javë më parë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt deklaroi se në Shqipëri qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para e pisët që vjen nga trafiku i drogës. Diplomati shprehu shqetësimin se këto para mund të përdoren për fushatë elektorale. Pavarësisht se nën presionin e qeverisë, Borchardt u detyrua ta ridimensionojë e ta zbusë qëndrimin e tij duke thënë se edhe në kohën e Berishës kishte trafik droge në këto përmasa, fakti ngelet se qarkullimi i parasë se pisët përbën rrezik jo vetëm për zgjedhjet.

Në datën 14 mars, Departamenti i Shtetit publikoi raportin vjetor “Raporti i Strategjisë për Kontrollin e Narkotikëve- Pastrimi i parasë dhe Krimet Financiare”, ku Shqipëria bashkë me Serbinë dhe Bosnjen është futur në listën e vendeve kryesore në botë që pastrojnë para.

(Raporti i DASH më 2017)

“Vendi mbetet në rrezik të konsiderueshëm për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Shqipëria ka një ekonomi të madhe në cash dhe të sektorit informal, me prurje të mëdha të parave nga jashtë në formën e remitancave.

Të ardhurat më të mëdha të gjeneruara nga krimi në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara, dhe kontrabanda është lehtësuar nga kontrollet e dobëta kufitare dhe procedurat doganore.

Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marihuanë, kryesisht për përdorim europian, dhe është një vend tranzit për heroinën afgane dhe kokainën, duke shërbyer si një portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Evropën”, vlerëson raporti i Departamentit të Shtetit.

KU ISHIM?

Që pastrimi i parave ekziston në Shqipëri, ky nuk është një lajm i ri. Por, GSH.al zbulon se situata duket se ka qenë më ndryshe, të paktën dy vite më parë.

Në vitin 2015, agjencia FATF e Këshillit të Europës (Financial Action Task Force) vendosi ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve që pastrojnë para. Asokohe, edhe ministria jonë e Financave u mburr me këtë vendim dhe e paraqiti si sukses të reformave ligjore dhe bllokimit të qarkullimit të parasë së pisët në vend.

(Raporti i KiE në 2015)

“Dalja nga procedura aktuale e monitorimit është më rëndësi të veçantë për vendin tonë pasi së pari konfirmon efektivitetin e masave të ndërmarra tashmë nga autoritetet shqiptare në parandalimin e pastrimit të parave dhe krijon një bazë solide për ecurinë e mëtejshme të vlerësimit të vendit tonë”, thuhet në një reagim të ministrisë së Financave në shtator 2015.

Çfarë ka ndodhur në 2 vite, ose më saktë në 1 vit (duke qenë se raporti i DASH publikohet në 2017, por përshkruan situatën në 2016)?

Asgjë më pak e asgjë më shumë se ajo që dihet publikisht nga opinioni, paraja e pisët që ka qarkulluar si rezultat i trafikut të drogës gjatë vitit të kaluar ka qenë në nivele rekord.

Plantacionet e mbjella në vitet 2015-2016 i dhanë “frytet” maksimale pikërisht vitin e kaluar. Avionë dhe pista të dedikuara për trafikun e drogës, qindra tonelata drogë të kapura (po sa të pakapura?) në Shqipëri, Itali dhe Greqi reflektohen në treg.

Çuditërisht euro është zhvlerësuar gjithnjë e më shumë dhe sipas specialistëve kjo i kushtohet pikërisht fluksit të parasë informale që vjen nga Europa, tregu kryesor dhe ndoshta i vetëm i hashashit shqiptar.

Ç’PO BEN QEVERIA?

Drejtoria kundër Pastrimit të Parave ka bllokuar gjatë vitit 2016, 28 milionë euro, të ardhura nga veprimtari kriminale, kryesisht nga trafiku i drogës.

Drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Agim Ismaili, në paraqitjen e raportit vjetor në komisionin parlamentar të Sigurisë, 1 muaj më parë tha se ishin “evidentuar 1300 raportime për transaksione të dyshimta”.

Janë bllokuar 28 milionë euro në banka të dyshuara si para të pista. Paratë e dyshimta më së shumti vijnë nga trafiku i drogës, por dhe evazioni fiskal.
Raportimet na vijnë nga bankat, noterët, hipotekat. Mbi 300 raste të dyshimta kanë ardhur falë raportimit nga subjektet. Për vitin 2016 ka pasur 1300 raportime për transaksione të dyshimta. Në 2016 u dërguan 184 raste në Prokurori, vetëm 5 kaluan në Gjykatë. Rastet e tjera të paraqitura u mbyllën nga prokuroria”, tha Ismaili.

28 milionë euro nuk janë pak, por nëse do t’i besojmë deklaratës së ambasadorit të OSBE-së për 2 miliardë euro të pista në qarkullim, mbetet të themi që qeveria ka arritur të kapë më pak se 1.5% parave të krimit.

Dhe 1.5% sukses është një tarifë shumë e lartë, e cila përkthehet në krizë ekonomike, sociale, rritje kriminaliteti dhe tension politik. Sidomos në prag të zgjedhjeve.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.