OPINION

Si u vra Spartak Deliu, dëshmor i Lirisë dhe Demokracisë

07:45 - 18.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Saimir MALOKU

Në kujtim të 26-vjetorit të vrasjes së tij
Një shprehje e vjetër romake thotë ” Një popull, që nuk kujton të kaluarën e tij është i destinuar të shuhet si komb dhe nuk ka të ardhme”. E theksoj këtë gjë se shumë ngjarje të rëndësishme të demokracisë po lihen në heshtje.
6 mars 1991. Kishin kaluar 2 javë nga rrëzimi i monumentit të diktatorit komunist në qendër të Tiranës. Lëvizjet demokratike ishin përhapur në të gjithë vendin. Ëndrra e popullit shqiptar ishte liria dhe demokracia si në vendet perëndimore.
Në ora 16 të kësaj dite marsi në sheshin “Skënderbej”, përballë Pallatit të Kulturës u organizua një miting i madh i Partisë Demokratike ku morën pjesë me qindra e mijëra vetë që brohorisnin në mbështetje të saj. Shoqata e ish-të përndjekurve politikë të rrugës së Kavajës, ku unë, Saimir Maloku, isha kryetar i saj, kishte një bashkëpunim të madh me Partinë Demokratike, që kishte selinë e saj qendrore aty pranë. Të udhëzuar nga Azem Hajdari unë dhe disa militantë aktiv të P.D. mbas mbarimit të mitingut e drejtojmë turmën e protestuesve drejt rrugës së Kavajës për në selinë e P.D. Duhet të theksoj se shokët e mi të ngushtë të fëmijërisë dhe të mëhallës zotërinjtë Sotir Qirjaqi, Maks Konomi dhe Perikli Dhales ishin anëtarë dhe militantë tepër aktiv të kësaj partie.
Turma e protestuesve duke bërtitur me thirrjet: “Liri Demokraci”, “Poshtë diktatura” etj. filloi të marshojë drejt rrugës së Kavajës. Por klika kriminale komuniste kishte përgatitur planin ogurzi duke vendosur disa ushtarë me pushkë snajper në tarracën e godinës dy katesh, që ndodhej pranë xhamisë së Dine Hoxhës. Disa djelmosha 14 – 16 vjeçar duke ngritur dy gishtat lart dhe tepër entuziastë ishin para nesh.
Tre të shtëna pushke drejt turmës sonë të protestuesve bënë që ne të ndalojmë. Një nga ata djelmoshat që ishte para meje në atë çast bie papritur në tokë. Unë dhe disa njerëz të tjerë e mbajmë nëpër duar dhe e çojmë tek ambulanca e lagjes nr.5 (tani Njësia Bashkiake nr. 10), e cila ishte 50 m afër nesh. Sot Ministria e Mirëqenies Sociale është ngjitur me të. Për arsye se shkallët e ambulancës ishin të ngushta unë e mbaj vetë trupin e djaloshit dhe e çoj në katin e dytë ku ishin 2 mjeke; njëra me mbiemrin Galanxhi dhe një ndihmës mjeke me mbiemrin Heta. Njerëzit nuk i lejuam të futen brenda. Djaloshin e mbajta në prehrin tim derisa vdiq mbas 2 – 3 minutash. Dora ime që mbante kokën e viktimës u bë me pak gjak, ndërsa poshtë vetullës së syrit të djathtë ishte një vrimë e vogël. Plumbi i kishte dëmtuar trurin dhe dalë prapa kokës. Personeli mjekësor u habit kur unë i thashë se na gjuajtën me pushkë snajper. Lot na dolën të gjithëve prej syve dhe rënkonim në vetvete secili si dhe mallkonim kriminelin komunist vrasës. Një banor i mëhallës, Ramazan Bakalli dhe 2 gra kishin dëgjuar aty disa sigurimsa ku njëri prej tyre tha: ” Në vend që të vritej ai derri i madh që është atje lart, u vra ky djaloshi”. Një nga këto gratë vjen te ne lart dhe më thotë që mos dil se duan të të arrestojnë ty.
Unë i hedh xhaketën time viktimës dhe ja jap trupin shokëve të tij, që ishin aty poshtë, të cilët e vendosën trupin te një tricikël kinez transporti me tre rrota dhe nisen në drejtim të qendrës. Unë hipi prapë lart në katin e dytë të ambulancës dhe nëpërmjet një kalimi dal nga mbrapa saj si dhe shkova te shtëpia ime që ishte aty afër (Sot tregu i Çamëve). Për 5 apo 6 ditë nuk dola nga shtëpia ime.
Më vonë gjatë një bisede Azem Hajdari më thotë se kanë dashur të të vrasin ty atë ditë, për të nxjerrë urrejtjen e tyre ndaj teje për kontributin që dhe në rrëzimin e simboleve komuniste në datën 20 dhe 21 shkurt të vitit 1991.
Para dy vitesh, Z. Ervjon Cara, shok i ngushtë fëmijërie me Spartak Deliun, më tregoi se sigurimi komunist edhe gjatë ceremonisë së varrimit të Spartak Deliut qëlluan lart në ajër me armë për të frikësuar pjesëmarrësit si dhe goditën me këmbë edhe arkivolin. Vrasja e këtij dëshmori të Demokracisë 14 – vjeçar bëri jehonë të madhe në të gjithë vendin tonë dhe në opinionin ndërkombëtar. Kujtimi i tij është një akt frymëzimi për brezin e ri dhe dëshmi se sa gjakatare ishte diktatura komuniste që vriste edhe fëmijët e pafajshëm.
Që të përjetësohet kujtimi i këtij “Dëshmori të Demokracisë” 14-vjeçar duhet t’i ngrihet një bust bronzi dhe t’i vihet emri i tij një shkolle 9-vjeçare në Tiranë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.