SPORT

Përballja ndaj atdheut të tij, De Biazi: Jam italian, por ndihem shqiptar dhe krenar!

13:48 - 20.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, ka dalë sot në një konferencë për shtyp për të publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës, kualifikuesen e Kupës së Botës ndaj Italisë dhe miqësoren ndaj Bosnjës.

Gjatë fjalës së tij për gazetarët e pranishëm, ai hodhi poshtë zërat se do të largohej nga drejtimi i Shqipërisë në verë kur të fillonin kampionatet në Europë, duke thënë se do të mbante fjalën e dhënë për të qëndruar deri në fund të fushatës kualifikuese, raporton “Panorama Sport”.

“Jemi këtu për të përgatitur sa më mirë këtë ndeshje të rëndësishme për të gjithë dhe për t’i dhënë vazhdimësi punës sonë në këto kualifikuese. Është e vërtetë ajo që kam parë të transmetoni në mediat tuaja për gjendjen jo të mirë të kombëtares për shkak të skualifikimeve, dëmtimeve apo dhe vetë situatës.

Por nisur dhe nga fakti që trajnerë të ndryshëm në klube të ndryshme nuk po u japin minutazhin e duhur futbollistëve, besoj se kemi një arsye më shumë për të qenë më të motivuar në këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Për këtë ndeshje kemi grumbulluar 23 futbollistë.

Dua t’u prezantoj bashkëpunëtorin tim të ri që ka zënë vendin e Tramexanit, Marko Veroneze. E njoh shumë mirë sepse ka qënë me mua për 2 vjet te Modena ku kemi fituar 2 kampionate. Është një djalë me cilësi të shkëlqyera dhe jam shumë i lumtur që pata mundësinë ta afroja në staf për të bërë një rrugë të gjatë me të”, u shpreh fillimisht De Biazi.

Për gjendjen fizike dhe psikologjike të lojtarëve

“Kemi lojtarë që nuk kanë luajtur por që kanë dëshirën për të bërë më shumë dhe për të treguar veten. Kur dikush stërvitet gjatë gjithë javës dhe në fund nuk luan, atëherë normalisht që shkaktohet acarim, por ne këtë situatë duhet ta përballojmë në mënyrën e duhur. Lojtarët e grumbulluar nuk kanë probleme fizike, ndryshe nuk do të ishin këtu. Problemi i vetëm që kanë disa prej tyre është minutazhi i pakët në këmbë, por kemi dhe Hysajn që ka mbingarkesë fizike nga kontributi i shumtë në fushë.”

 Për momentin e papërshtatshëm për t’u ndeshur ndaj Italisë

“Ndaj kundërshtarëve me emër nuk është shumë e vështirë të motivosh skuadrën. Për mua është më e vështirë të përgatit një ndeshje ndaj një ekipi të panjohur. Italinë e njoh shumë mirë, dhe normalisht që duhet të japin gjithçka për të përballuar një ndeshje shumë të vështirë si kjo.”

 Për deklaratën e Dukës se ka eufori pas Europianit

“Presidenti ka thënë që kishte eufori pas Europianit, por pas dy humbjeve ndaj Spanjës dhe Izraelit euforia normalisht që është larguar. Tani duhet të tregohemi të kujdesshëm për të shmangur përsëritje të situatave të tilla sepse forca jonë është të jemi një grup i bashkuar dhe të mobilizohemi në fushë më shumë se të tjerët.”

A është ky momenti më kritik që kur ka marrë drejtimin e Shqipërisë?

“Nuk besoj. Në sport ka momente të vështirë, por ajo që ka rëndësi është që nuk mungon profesionizmi, dëshira dhe impenjimi për të ndryshuar situatën. Unë ndihem mirë me veten dhe me skuadrën. Uroj që kjo të mjaftojë për të mbyllur ndeshjet e mbetura deri në fund të kualifikueseve, të cilat janë më shumë se ato që kemi luajtur.”

 Për zgjidhjen ndaj mungesave të Berishës, Mavrajt dhe Gjimshitit

“Sa i përket zëvendësuesve të tyre, do të shohim si do të jetë gjendja e lojtarëve, pasi duhet të flas njëherë me ta. Ndërsa pjesën strategjike për të përballuar Italinë ne e kemi përgatitur prej ditësh.”

 Për emocionet e përballjes ndaj Italisë

“Të luash ndaj Italisë është diçka motivuese për të gjithë ne sepse luajmë ndaj 4 herë Kampionëve të Botës. Do ta kemi edhe më të vështirë për faktin se lojtarët e tyre janë në një gjendje mjaft të mirë, luajnë rregullisht dhe shënojnë rregullisht. Sa i përket pjesës së emocioneve, është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe nuk ka asgjë ndryshe nga përballja me Francën, Spanjën apo ndonjë kundërshtar tjetër.”

Për zgjedhjen e Hykës dhe jo të Gashit

“Gashi është një prej tyre që unë nuk e zgjedh në këto momente për të qenë pjesë e skuadrës.”

 Për prononcimin në mediat italiane se do të largohej nga Shqipëria

“Objektivi i De Biazit është të mbyllë kualifikueset mundësisht në vendin e dytë, sepse vendi i parë është i vështirë. Ky është objektivi i De Biazit. Unë kam treguar që di të mbaj fjalën, madje kam hequr dorë nga kontrata shumë të rëndësishme për të çuar këtë skuadër në Kampionatin Europian. Dua t’u them që të mos besoni çdo gjë që shkruajnë mediat e tjera. Nëse doni të dini diçka për mua, më telefononi. Gazetat zakonisht i ndryshojnë disi fjalët që them. Flitet shpesh që De Biazi duhet të shkojë diku, por nuk është e vërtetë. Unë nuk kam çfarë të bëj kur një gazetar shkruan diçka të pavërtetë. Çfarë t’i bëj, ta vras?”

Për rinovimin e kontratës

“Nuk jam unë që e rinovoj kontratën. Është punëdhënësi im ai që më thërret dhe më thotë nëse kërkon që unë të rinovoj apo jo.”

Për kushtet që do të kërkojë në rast rinovimi

“Unë nuk flas me hipoteza, por vetëm mbi fakte konkrete.”

Për mundësitë e një rezultati surprizë ndaj Italisë

“Ishalla. Sikur. Nuk është aspak e lehtë, por ne do të përgatitemi për të bërë maksimumin më pas do ta tregojë fusha. Nuk kemi pasur shanse për të marrë rezultat as ndaj Norvegjisë apo Portugalisë, por ia dolëm. Të shohim këtë radhë.”

 Për mungesën e Mavrajn

“Për Mavrajn jemi konsultuar me mjekun tonë dhe dolëm në përfundimin që nuk ka shanse rikuperimi në kohë. Ai ka ende dhimbje dhe menduam që mos ta sjellim këtu në mënyrë që të vazhdojë terapinë pa shkëputje dhe të rikthehet sa më shpejt.”

Për zgjedhjet nga Kategoria Superiore

“Kur dikush bën zgjedhjet, vlerëson shumë aspekte. Kampionati shqiptar është rritur shumë që nga kohë që unë jam këtu. Janë disa djem që po i ndjekim me vëmendje, por hapësirat nuk janë shumë të mëdha sepse ka shumë lojtarë nga jashtë që luajnë në kampionate më të forta dhe gjithashtu unë po u besoj më shumë lojtarëve që i njoh mirë. Megjithatë nuk e heq vëmendjen asnjëherë nga kampionati shqiptar, sidomos këtë vit që është bërë shumë i luftuar.”

 Strategjia ndaj Italisë, e ngjashme apo e ndryshme me atë ndaj Spanjës?

“Do të shohim në varësi të asaj që jemi ne në gjendje të bëjmë dhe në varësi të asaj që të lejon Italia të bësh. Spanja nuk të lejonte të luaje, ishte agresive dhe ka lojtarë me cilësi teknike të jashtëzakonshme. Aty humbëm prej dy gabimeve tona dhe ndaj Italisë duhet t’i shmangim këto, ndryshe e paguajmë shtrenjtë.”

 Për portierin që do të jetë titullar

“Nuk do të përgjigjem këtu për këtë pyetje. Do të kemi një konferencë tjetër para ndeshjes në Palermo dhe ma bëni aty sërish këtë pyetje. Do të shohim gjendjen e secilit prej portierëve në stërvitje dhe do të vendosim.”

Për deklaratën e Venturës që e ka cilësuar si të sigurt fitoren ndaj Shqipërisë

“Unë nuk e kam lexuar këtë deklaratë dhe nuk e besoj kurrë që një trajner si Ventura të thotë që e ka të sigurt fitoren ndaj nesh. Mos lexoni çfarë shkruajnë mediat italiane, por shkoni pyeteni vetë Venturën dhe do iu përgjigjet.”

A ka edhe një sfidë Ventura – De Biazi në këtë përballje?

“Është një ndeshje Itali – Shqipëri në shtëpinë e Italisë dhe në një atmosferë të ndezur nga dy tifozeri mike. Nuk ka një sfidë mes nesh sepse njihemi pak dhe jemi takuar vetëm pak herë.”

A do ta këndojë De Biazi himnin e Italisë?

Pse bën ndonjë ndryshim?

A do të jetë ndeshja më e mirë taktike e De Biazit ndaj Italisë duke qenë se e njeh shumë mirë?

“Shpresoj dhe uroj të jetë ashtu. Ndonjëherë njohuria nuk mjafton për të arritur rezultatin. Duhet performanca e lojtarëve si fillim sepse ti mund të kesh një plan fantastik taktik dhe mund të ndodhë një gafë që e hedh të gjithën poshtë. Ne do të kërkojmë të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer.”

Për përballjen ndaj Italisë si gjysëm-shqiptar

“Unë do të isha shumë i lumtur nëse do arrinim të merrnim një rezultat pozitiv. Jam i punësuar nga FSHF-ja dhe kam patur nderin të marr pasaportën shqiptare. Më janë bërë shumë nderime dhe falënderime nga populli juaj. Por ajo që më pëlqen më shumë është që njerëzit që më takojnë në rrugë e kuptojnë që kam ardhur këtu për të bërë një punë serioze me mish e me shpirt.

Në jetë nuk arrihen shpesh të plotësohen objektivat që të vendosen, por ne arritëm të bënim diçka të jashtëzakonshme. Ajo që nuk më ka munguar kurrë është fakti që jam ndjerë shqiptar. Do të mbetem italian, por duke e ndjerë veten shqiptar dhe krenar.”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.