BOTA

Thaçi kundër Mustafës: Në NATO nuk hyhet me gjahtarë

08:23 - 20.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Gerilina KODHELI

Ushtria e Kosovës është një nga temat më të nxehta të vendit, e po ashtu edhe mjaft e ndjeshme për ndërkombëtarët. Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve për krijimin e ushtrisë me ndryshime kushtetuese, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është i vendosur që t’i shkojë deri në fund nismës së tij, teksa tregon se për këtë ka mbështetjen e 100 deputetëve. Thaçi vijon të tregojë se qëndrimi i tij rreth transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri nuk ka ndryshuar. Sipas tij, kjo është shumë e nevojshme, duke pasur parasysh tensionet që krijohen vazhdimisht në rajon. Thaçi është shprehur gjithashtu se “në NATO nuk mund të anëtarësohemi në një mënyrë të ndryshme, veçse me ushtri”, teksa i jep kështu përgjigje edhe kryeministrit Mustafa, i cili dy ditë më parë tha se për krijimin e ushtrisë duhet mbështetja e NATO-s. “Në aleancë, nuk të pranojnë me shoqata gjahtarësh apo zjarrfikësish”. “Askush nuk të pranon në NATO me zjarrfikës, shoqatë gjuetarësh, apo ndonjë shoqatë tjetër, për shembull peshkatarësh”, – ka thënë Thaçi në një intervistë për “Konica.al”. Presidenti vlerëson se Kosova është e zonja e vetes dhe mund të marrë vendime të rëndësishme për vendin. Thaçi thekson më tej, se nuk mund t’i paguajë Kosova, dështimet që ndodhin në vendet e rajonit. “Kosova nuk mund të mbetet peng i krizave të Ballkanit. Nëse Bosnje e Hercegovina është e bllokuar nga nacionalizmi serb, atëherë natyrisht që gjërat janë të ndërlidhura edhe në rajonin tonë, por pse ta paguajmë ne çmimin?! Nëse Serbia e rrit nacionalizmin e saj, zhvillon një fushatë elektorale kryekëput nacionaliste; nëse Serbia ka hapur mendje, shpirt dhe gjithçka ka për praninë ruse, pse ta paguajë Kosova çmimin?!” – ka thënë ai. E njëjta logjikë përdoret edhe për rastet e vendeve të tjera të rajonit. “Nëse Mali i Zi pengohet nga Serbia për t’u anëtarësuar në NATO, ndërkohë që Kosova e mbështet fuqishëm Malin e Zi për anëtarësim, pse ta paguajë Kosova çmimin?! Nëse Shqipëria ka problemet e veta politike, pse ta paguajë Kosova çmimin?! Nëse Maqedonia për fajin e saj është bllokuar politikisht dhe i ka të ndera raportet ndëretnike, pse ta paguajë Kosova çmimin?! Kosova është e zonja e vetes, i merr vendimet vetë, është vend sovran, dhe ne nuk po kërkojmë gjë tjetër, veçse as më pak e as më shumë sesa të kemi një ushtri, sikundër vendet e tjera të rajonit”, – ka thënë ndër të tjera presidenti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.