BOTA

Protesta “anti-Rama” shpërthen edhe në Maqedoni. Parrulla “Vdekje shqiptarëve”

14:17 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Gerilina KODHELI

 

Ajo që ndërkombëtarët kishin frikë tashmë ka nisur, retorika në Maqedoni i ka kaluar limitet. Protestat në shtetin fqinj kanë denigruar në një revoltë që në themel ka urrejtjen ndëretnike. Prej katër javësh tashmë, mbështetësit e liderit të VMRO-së, Gruevski, por edhe maqedonas të tjerë antishqiptarë, po protestojnë kundër njohjes së shqipes dhe integrimit të platformës shqiptare në tërësi në qeverinë e re të vendit. Ndërkohë, kanë nisur të shihen edhe parrullat e para kundër Edi Ramës, të cilat e asociojnë kryeministrin e Shqipërisë me Xhorxh Sorosin. Ajo që quhej “platforma e Tiranës”, quhet ndryshe edhe platforma “Rama-Soros”.

GJUHA E URREJTJES

Të rinjtë maqedonas kanë vijuar gjuhën e urrejtjes dhe pankartat kundër shqiptarëve, por këtë herë të ekzagjeruar. “Vdekje për shqiptarët” është pankarta që mbajnë të rinjtë maqedonas ndër duar. Sipas agjencisë “INA”, për momentin nga ana e Ministrisë së Brendshme nuk ka asnjë njoftim për të arrestuar, apo për masat që po merren ndaj këtij grupi që shprehin gjuhën e urrejtjes dhe frymën shoviniste. Parulla të tilla kundër shqiptarëve janë hasur në disa qytete të Maqedonisë gjatë protestave të fundit, por edhe në stadiumet e futbollit. Subjekt i thirrjeve antishqiptare kanë qenë edhe shkollat e kryeqytetit. Pak ditë më parë, mediat denoncuan një shkollë në komunën Kisella Voda të Shkupit. Ndërtesa e shkollës së mesme teknike “Marija Kiri Sklodovska” ishte mbuluar me dhjetëra afishe, që ndër të tjera, edhe ftojnë fëmijët e shkollës që të dalin në protesta.

Në pjesën e pasme të shkollës që mëson 798 nxënës në maqedonisht dhe shqip, është kërkuar që fëmijët të marrin pjesë në protestën kundër shqiptarëve dhe zyrtarizimit të shqipes në Maqedoni. Ditë më parë, një shkollë tjetër ishte subjekt i propagandës politike, ku nxënësit ishin ftuar për të dalë në protestë kundër dygjuhësisë. Nga Ministria e Arsimit thonë se i kanë marrë seriozisht këto gjëra, dhe se do të sanksionojnë ata që po nxisin nxënësit për “tifo” politike. Ky institucion ka angazhuar inspektorë në terren, për të hulumtuar mbi shkaktarët e këtyre thirrjeve, ndërsa sanksioni për personat që zhvillojnë këto nxitje parashikohet të jetë një gjobë prej 50 eurosh.

Protestat në Maqedoni thuhet se do të vazhdojnë derisa Zoran Zaev të heqë dorë nga platforma shqiptare, apo të vendoset për zgjedhjet e reja. Qindra-mijëra njerëz janë grumbulluar në disa qytete të vendit fqinj, ndërsa thirrjet e tyre kanë nisur të jenë më të ashpra. Situata në Maqedoni është ndërlikuar edhe më tepër pasi presidenti Gjorgj Ivanov refuzoi t’ia japë mandatin kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, edhe pse siguroi 67 nënshkrimet e nevojshme që i kishte vendosur si kusht Ivanovi. Pas këtij vendimi, diplomatët e huaj dhe Brukseli zyrtar kanë hequr dorezat diplomatike dhe u kanë përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta Maqedonisë dhe krerëve të lartë shtetërorë. “Jepi mandatin Zoran Zaev”, kanë thënë njëzëri ndërkombëtarët, ndërsa kanë cilësuar se, sa më shumë të thellohet kriza, aq më i madh është rreziku që situata të shndërrohet në një luftë “nacionalizmi”.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.