AKTUALITET

Tre doganierë dhe një tregtar në pranga, fusnin mallra kontrabandë

09:17 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Xhensila KODRA

 

Prokuroria e Korçës ka kërkuar dënimin me 6 vite e 6 muaj burgim për 4 persona, të cilët akuzohen për “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim. Gjykimi ndaj të pandehurve është zhvilluar me gjykim të shkurtuar, ku me uljen e 1/3 së dënimit, ata do të vuajnë 3.4 vite burgim. Personat e pandehur janë shtetasit Kristi Brisku (shofer kamioni), Vasfi Toska (përgjegjës turni në doganë), Mishel Zguri dhe Devi Beçolli (doganierë). Hetimi për këta persona ka nisur në nëntor të vitit të shkuar, kur Kristi Brisku u kap me një kamion të cilin e kishte ngarkuar me rroba të vjetra në formën e dengjeve dhe të thasëve. 23-vjeçari Brisku akuzohet për “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe 3 të pandehurit e tjerë për “Shpërdorim detyre”.

Hetimi

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se më datë 21.11.2016, punonjësit e Policisë Kufitare, në orën 20:37, në hyrje të qytetit të Bilishtit, te kryqëzimi i rrugës së Mirasit, kanë kapur në flagrancë një automjet tip kamion me targa AA 627 NL, që drejtohej nga Kristi Brisku, me sens lëvizjeje në drejtim të qytetit të Korçës, i cili ishte ngarkuar me rroba të vjetra në formën e dengjeve dhe të thasëve. Ai ka shpjeguar se kamioni ishte në pronësi të babait të vet dhe se nuk dispononte dokumentacion për mallin. Bazuar në këto fakte është shoqëruar për në ambientet e policisë kufitare në Kapshticë, dhe më pas është bërë arrestimi i tij për veprën penale të ‘Kontrabandës me mallra të tjera’. I pyetur si person nën hetim në lidhje me këtë vepër penale, ai ka sqaruar se kamioni me targa AA 627 NL, është në pronësi të babait të tij, Vasil Brisku, me të cilin kryen transport mallrash. Para 10 ditësh (nga momenti i kapjes në flagrancë), ai ishte larguar për në drejtim të shtetit grek dhe kishte shkuar në Athinë, për të ngarkuar mallra të përdorura. Në datën 20.11.2016, është nisur nga Athina për në Shqipëri, dhe në orën 20:00 të datës 21.11.2016 ka arritur në doganën e Kapshticës. Pasi ka kryer procedurat e regjistrimit te punonjësit e policisë, është drejtuar për në parkingun e doganës. Në parking ka kontaktuar me një punonjës të doganës, i cili sipas tij i ka bërë shenjë që ta fusë kamionin te peshorja për t’u peshuar, kurse ai ka vazhduar rrugën për në dalje të parkingut, duke u sjellë sikur nuk e ka kuptuar. Pasi ka parë që nga dera e parkingut ka dalë një kamion, pas tij ka dalë edhe ai, duke përfituar nga ky moment. Gjatë rrugës për në Korçë, në hyrje të qytetit të Bilishtit e ka ndaluar policia kufitare, e më pas e ka shoqëruar për në stacionin policor. Në lidhje me sasinë e mallit, ky shtetas deklaron se ato do t’i çonte në Elbasan te disa persona të komunitetit rom, dhe kur të arrinte atje do t’i merrte këta persona që të merrnin mallin. Nga këqyrja e kamionit janë gjetur rreth 25 dengje me rroba të ndryshme të përdorura, televizorë, biçikleta dhe pajisje të tjera elektro-shtëpiake, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provave materiale. Nga peshimi i kamionit ka rezultuar se pesha neto e mallrave të sekuestruara është 7.340 kg. Vlera e detyrimit doganor për këtë sasi malli është 316.031 lekë. Më pas, në pyetje janë marrë edhe punonjësit e doganës që kanë qenë në turnin e asaj dite, të cilët pretendojnë se i kishin thënë drejtuesit të kamionit që të kthehej te peshorja, por ai u ka ikur sepse ata po merreshin me kamionë të tjerë që po bënin praktikën e zhdoganimit. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se në datën 21.11.2016, përgjegjës turni në hyrje të Doganës Kapshticë, ka qenë Vasfi Toska, ndërsa kontrollorë fizikë kanë qenë Mishel Zguri dhe Devi Beçolli. Nga hetimi ka rezultuar se Kristi Brisku (të dhënat nga sistemi TIMS), ka rezultuar se kishte kaluar shumë herë me kamion nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë. Nga ballafaqimi i të dhënave që rezultonin nga sistemi TIMS, me të dhënat që rezultojnë nga grafiku i gatishmërisë, ka rezultuar se Brisku ka udhëtuar me kamionin e kapur, por edhe me kamionët e tjerë me targa AA317NL, dhe AA 296NL dhe AA683JK, edhe më shumë se 12 herë të tjera, nga të cilat vetëm në një rast ka kryer deklarim në doganë dhe asnjëherë nuk ka bërë deklarim para organeve doganore. Nga krahasimi i të dhënave të sistemit TIMS me të dhënat e grafikut të shërbimit të doganierëve, në të gjitha rastet që Brisku ka kaluar në PKK Kapshticë, ‘rastësisht’, ka qenë i planifikuar me shërbim përgjegjsi i turnit, i pandehuri Vasfi Toska. Duke iu referuar këtyre fakteve, rezulton e provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Kristi Brisku, ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Kontrabandë me mallra të tjerë’. Ndërsa, Vasfi Toska, në bashkëpunim me shtetasit Devi Beçolli dhe Mishel Zguri, kanë konsumuar elementët e veprës penale ‘Shpërdorim i detyrës’, në bashkëpunim. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë lejuar të hyjnë dhe kalojnë në kundërshtim me ligjin (pa shlyer detyrimet doganore) një sasi mallrash të përdorura me peshë 7.340 kg, të cilat nuk i janë nënshtruar kontrollit doganor dhe për të cilat nuk është paguar asnjë detyrim doganor.

Pretenca

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për të pandehurin Kristi Brisku, dhe me aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimin me 1 vit burgim; 2 vjet burgim për Vasfi Toska, dhe me aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimin me 1 vit e 4 muaj burgim. Ndaj këtij të pandehuri është kërkuar të caktohet edhe një dënim plotësues, duke iu hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 2-vjeçare. Dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim për Mishel Zguri, dhe me aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimin me 1 vit burgim, si dhe një dënim plotësues, duke iu hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 2-vjeçare; dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim për Devi Beçollin, dhe me aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimin me 1 vit burgim, si dhe dënim plotësues, duke iu hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 2-vjeçare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.