Intervista

Negociatori amerikan: Pse zgjodhëm Shqipërinë për të sjellë muxhahedinët

08:38 - 22.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

 

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Robert Guy Torricelli, ish-senator amerikan dhe ish-kongresmen, njëherësh negociator tregon se pse u zgjodh Shqipëria si vend pritës për muxhahedinët iranianë. Në intervistë, ai i referohet si MEK – Organizata Popullore e Muxhahedinëve të Iranit dhe grupi më i madh i rezistencës në Iran. Duke konfirmuar zotimet amerikane për këtë grupim të strehuar në vendin tonë, ai thotë se ka ardhur të sigurohet se qëndrimi i tyre nuk ka asnjë ndikim financiar mbi Shqipërinë dhe se administrata e Trump ka të njëjtin qëndrim ndaj tyre si ajo e Obamës. Më tej, ai u përgjigjet pyetjeve të “Gazeta Shqiptare” për çështjen “Soros”, ndikimin e ndryshimeve politike në SHBA në marrëdhëniet me Shqipërinë, të ardhmen e Iranit dhe nëse ka një rrezik të mundshëm ndaj Shqipërisë si vend pritës i muxhahedinëve, teksa ata pritet të rrinë gjatë në vendin tonë.

– Sa herë keni ardhur në Shqipëri z.Torricelli?

Kam ardhur disa herë në Shqipëri vitet e fundit si negociatori i SHBA-ve për transportimin e anëtarëve të MEK (Organizata Popullore e Moxhahedinëve të Iranit/PMOI- MEK; grupi më i madh i rezistencës në Iran). Kam ardhur disa herë dhe jam takuar me autoritete të qeverisë shqiptare.

– Pra, ju i keni nisur negociatat për këtë çështje?

Po, prej disa vitesh. Po.

– A ka qenë e vështirë?

Ka qenë një ndër gjërat më të vështira që kam bërë në jetë, ka pasur një presion shumë të madh, sepse njerëzit po vriteshin në Bagdad. Po sulmoheshin kampet e refugjatëve me raketa, po humbeshin jetë, e për këtë arsye pati një apel të SHBA-ve ndaj Shqipërisë për ndihmë. Njerëzit po lëvizeshin për në Norvegji, Finlandë, Francë, Britani dhe në SHBA, në numra të vegjël dhe ne do të vazhdonim me këtë, derisa sulmet me raketa filluan të vrisnin shumë njerëz dhe ne vendosëm që secili duhej të lëvizte menjëherë.

– Në vizitat tuaja, ç’bisedime keni me politikanët shqiptarë?

Interesohem për kushtet. Sigurohem që të kryejmë zotimet tona dhe që nuk ka asnjë ndikim financiar mbi Shqipërinë.

– Pse u zgjodh pikërisht një vend i vogël si Shqipëria?

Për disa arsye: e para, për shkak të lidhjes së fortë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, ka pasur një marrëdhënie të mirë pune mes Shqipërisë dhe SHBA-ve edhe për çështje të tjera në të shkuarën dhe kishte pra një dialog të hapur. E dyta, Shqipëria ishte afër dhe kishte një farë sensi, kulturalisht refugjatët iranianë do të ndiheshin rehat – klima është shumë e ngjashme me Iranin dhe është vend mysliman.

– I keni nisur bisedimet me qeverinë e Berishës, a mund të ndani me ne bisedat e bëra në atë kohë?           

Bisedimet kryesore ishin me Departamentin e Shtetit, unë isha këtu dhe të tjerë po ashtu.

– I keni vizituar muxhahedinët gjatë kësaj vizite në Tiranë?

Po. Isha dje (pardje).

– Me administratën e re amerikane, qytetarët e disa vendeve nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Mes tyre, janë ata iranianë. Ndërkaq, disa iranianë janë në Shqipëri. A ndryshon diçka në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA?

Jo, asgjë. Para së gjithash, ndalimi i udhëtimit është vetëm për gjashtë vende dhe është një ndalim i përkohshëm dhe nuk ka asnjë ndikim në Shqipëri. Shumë prej refugjatëve iranianë që janë në Shqipëri, kanë familje dhe kanë marrë viza në të shkuarën, për në SHBA, Francë, Britani.

– Por, ky ndalim ndaj 6 shteteve, a e ndryshon politikën amerikane kundrejt iranianëve që jetojnë në Shqipëri?       

Kundrejt Iranit, por jo atyre që janë në Shqipëri, jo.

– Keni punuar edhe me John Kerry-n për këtë çështje?

Kjo ka qenë një përpjekje e madhe e John Kerry i ka dhënë shumë vëmendje lëvizjes së tyre nga Bagdadi për të ndihmuar që këta refugjatë të ikin dhe t’u shpëtohet jeta. Por, edhe tani ka një mbështetje të jashtëzakonshme nga administrata e Trump, shumë prej zyrtarëve të së cilës kanë një histori lidhjeje të gjatë me MEK. Ka siguri të plotë për qeverinë e Shqipërisë, që edhe pse ka qenë një kërkesë e administratës së Obamës, administrata e Trump do të përmbushë së paku njësoj – nëse jo më shumë, detyrimet për këta refugjatë.

– Përveç kësaj, nga ana tjetër, marrëdhëniet Shqipëri-SHBA a ndryshojnë me ndërrimin e administratës?

Jo, nuk besoj. Mendoj se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë të shkëlqyeshme. Në një moment problemi, Shqipëria vërtet i ndihmoi SHBA-të. Ky ishte një problem, këta refugjatë që jetonin në Irak, ndihmonin e mbronin ushtarakët amerikanë gjatë luftës, i dhanë SHBA-ve informacione të rëndësishme mbi programin nuklear iranian. Ndaj, shpëtimi i jetës së tyre ishte shumë i rëndësishëm për qeverinë e SHBA-ve.

– A rrezikojnë ata duke qenë në Shqipëri? Apo janë të sigurt?   

Mendoj se janë të sigurt. Kanë kaluar vuajtje të tmerrshme, shumë janë vrarë në Iran, kanë ikur drejt Irakut, të tjerë u vranë me raketa ushtarake dhe gjithë çfarë duan të bëjnë, është të krijojnë një qeveri demokratike në Iran. Ky këtu është i parë vend i sigurt që ata kanë parë në 25 vite.

– Sa kohë do të jetojnë ata në Shqipëri?     

Asnjëherë nuk dihet se kur më në fund do të marrë fund diktatura në Iran. Ne shpresojmë së shpejti, por mendoj se duhet të planifikojmë që anëtarët e MEK do të jetojnë këtu për një kohë të gjatë.

– A duhet të presim të vijnë anëtarë të tjerë të MEK- opozitës iraniane?  

Jo. Nuk ka më.

– Do ketë vizita sërish nga SHBA-të që interesohen për ta?

Oh, po. Për arsyen se MEK është shumë afër me qeverinë e SHBA-ve, do ketë vizita të rregullta nga  qeveria amerikane. E jo vetëm amerikanë, por edhe francezë, gjermanë etj.

– Duke qenë përballë asaj që njihet si “Pranvera arabe”- nëse bie diktatura në Iran, a do të jetë edhe atje e njëjta situatë si në vende të tjera që rrëzuan diktaturat, por nuk duket se kanë as demokracinë?

Është e vështirë të dihet çështa e diktaturës- por ne shpresojmë se do shkojë drejt demokracisë pluraliste. Irani ka një numër të madh njerëzish të shkolluar, që sigurisht do të kërkojnë demokracinë. Është e vështirë të parashikosh, por kemi shumë arsye të besojmë se kur të bjerë regjimi, një formë e demokracisë do të implementohet.

-Si jetojnë iranianët në Shqipëri, kanë shtëpi, çfarë kushtesh kanë, a komunikojnë me të afërmit?  

Kushtet janë shumë të mira mendoj. Qeveria e SHBA ka dhënë një kontribut të madh tek Kombet e Bashkuara, për shtëpi të përkohshme, ndërsa MEK tani po investon për të ndërtuar shtëpi. Kështu që janë të sigurtë dhe me kushte të përshtatshme. Ata janë njerëz shumë produktivë dhe të shkolluar, ka një numër shumë të madh, të jashtëzakonshëm inxhinierësh. Dhe kanë shumë përvojë në ndërtim.  

Kanë blerë materiale në Shqipëri dhe kanë marrë punëtorë shqiptarë. Po ndërtojnë shtëpi dhe po blejnë materiale në Shqipëri. 

– Në një kohë u diskutua edhe siguria e Shqipërisë pas pranimit të këtyre refugjatëve. Duke pranuar opozitën iraniane, konfrontohesh me qeverinë iraniane, a rrezikohet Shqipëria?

Epo, Shqipëria është pjesë e NATO-s, SHBA dhe Shqipëria janë aleatë. Ne të gjithë kemi probleme me Iranin, është diktaturë ushtarake, që është kërcënuese për gjithë aleatët perëndimorë. Jam i sigurt se qeveria iraniane ka irritim me Shqipërinë për shumë çështje, duke përfshirë edhe anëtarësinë në NATO dhe të qenit përkrah SHBA-ve, por mund të kesh miq të mirë dhe armiq të mirë. Nuk ka asgjë të keqe të kesh Iranin si oponent, Shqipëria dhe Irani kanë shumë pak të përbashkëta e kjo është mirë për Shqipërinë.

– Emri i George Soros është në qendër të një debati në vendin tonë, gjë që ka nisur mbase gjatë fushatës së presidentit Trump. Si është çështja e Soros, edhe në SHBA?           

Z.Soros kundërshtohet nga administrata “Trump”, por ka qenë i përfshirë në Partinë Demokratike, unë di vetëm që ka bërë punë të mira dhe që ka qenë ndihmës ndaj SHBA-ve. Ka kundërshtuar fitoren e Trump, por ka mbështetur gjëra të mira.

– Dikur ishte nder të ishe soroist, sot nuk është më. Pse?

Vetëm nëse je pjesë e Partisë Republikane (qesh).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.