SPORT

Projektohet drejtor i Skënderbeut, Orges Shehi e konfirmon

12:52 - 22.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ndonëse Skënderbeu është ende në garë për titullin kampion në këtë sezon, presidenti Ardjan Takaj ka nisur të mendojë që tani për ndryshimet që skuadra do pësojë në sezonin e ardhshëm. Ndryshimet e nevojshme në ekip nuk kanë të bëjnë vetëm me lojtarët, por edhe me stafin teknik. Natyrisht që mangësitë që ka treguar skuadra gjatë këtij sezoni kanë bërë që drejtuesit të mendojnë për të sjellë një frymë të re në skuadër korçare.

Në këto kushte, me shumë mundësi stafi drejtues do të jetë ai që do pësojë ndryshimet më të mëdha. Pjesë e rëndësishme e frymës së re që presidenti Takaj pritet të sjellë në skuadër është edhe kapiteni aktual i ekipit, si dhe “gardiani” i portës korçare, Orges Shehi. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije për “Panorama Sport” se meqë Shehi është drejt mbylljes së karrierës, klubi po mendon që të mos humbasë aftësitë e tij në futboll dhe menjëherë t’i ofrojë një post drejtuesi në klub.

Saktësisht, bëhet fjalë për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm në klubin e Skënderbeut. Pozicion ky që momentalisht është i lirë te bardhekuqtë. Një ofertë e tillë i ka shkuar tashmë kapitenit Shehi, madje duke i bërë me dije se klubi do të presë duke e lënë këtë pozicion vakant derisa “gardiani” i Skënderbeut të vendosë për t’i thënë lamtumirë futbollit të luajtur me Skënderbeun.

KONFIRMIMI I PORTIERIT

“Panorama Sport”, për të qenë korrekte në lidhje me këtë lajm, ka kontaktuar vetë portierin Orges Shehi, i cili momentalisht është i grumbulluar me ekipin kombëtar shqiptar për ndeshjen e 24 marsit kundër Italisë. Kapiteni i Skënderbeut, nga ana e tij, ka konfirmuar se një ofertë e tillë është reale dhe i është bërë me dije pak kohë më parë nga vetë presidenti Takaj. Pavarësisht se oferta është reale, Shehi nuk konfirmon nëse bëhet fjalë për këtë sezon, apo sezonin e ardhshëm.

“Po, është e vërtetë kjo që po më pyesni. Mund të konfirmoj se presidenti Takaj ma ka bërë një ofertë të tillë, për të qenë pjesë e klubit, në rolin e drejtorit të përgjithshëm, pasi ta mbyll me futbollin e luajtur. Por nuk mund të konfirmoj dot nëse kjo gjë do të ndodhë në fund të këtij sezoni apo në sezonin e ardhshëm, pasi ende nuk e kam vendosur se kur do ta mbyll me futbollin e luajtur”, u shpreh kapiteni i skuadrës korçare, Orges Shehi, për “Panorama Sport”.

Ky pozicion i ofruar nga presidenti Takaj për “gardianin” bardhekuq, drejtor i përgjithshëm i klubit, ka të bëjë me vendimmarrjen në lidhje me çdo çështje të Skënderbeut. Orges Shehi mbetet një nga pikat referuese të sukseseve që ka arritur Skënderbeu në vitet e fundit e fundit, ku pas 6 titujve kampion radhazi, bardhekuqtë mbeten në lojë edhe për trofeun e shtatë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.