![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Një shpërthim ka ndodhur në repartin ushtarak në Porto Romano në qytetin e Durrësit, ditën e sotme. Dy roje të repartit kanë mbetur të plagosur. Paraprakisht raportohet se lënda që ka shpërthyer ka qenë barut. Ngjarja dyshohet se është aksidentale, pasi rojet i vendosën flakën shkurreve për të pastruar oborrin. Zjarri u përhap dhe aksidentalisht pati shpërthim të barutit.
Reagimi i Shtabit të Përgjithshëm të FA
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dëshiron të informojë opinion publik se ditën e sotme datë 22 mars 2017, rreth orës 15:00, në një repart ushtarak në Porto Romano, Durrës, gjatë pastrimit të territorit të repartit ka patur një shpërthim nga i cili është dëmtuar lehtë në dorë dhe këmbë një ushtarak, rreshter në Forcën Ajrore, i cili është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, gjatë shpërthimit ka mbetur i dëmtuar lehtë edhe një punonjës civil i agjencisë së trafikut ajror, Albcontrol. Nga komunikimi i fundit me mjekët, gjendja shëndetësore e të lënduarve paraqitet e qëndrueshme dhe mund të largohen nga spitali pasi kanë pësuar vetëm djegie të lehta.Policia Ushtarake dhe ajo e Shtetit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të bërë verifikimet e nevojshme për nxjerrjen e shkaqeve të shpërthimit.