SPORT

De Biazi ndryshon formacionin, Basha dhe Cikalleshi surprizat

12:55 - 23.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi nuk është i bindur te forma që po kalojnë Taulant Xhaka dhe Armando Sadiku. Kjo është konfirmuar në seancën e djeshme, kur trajneri kuqezi ka provuar titullarët dhe ka surprizuar me zgjedhjet e tij. Në ndryshim nga ajo që testoi gjatë së martës, dje trajneri bëri dy lëvizje, pikërisht në repartin e balancave (mesfushë) dhe atë ofensiv (sulm).

Risitë janë përfshirja në formacion e Migjen Bashës dhe Sokol Cikalleshit. Edhe pse sot në stërvitjen e fundit do të fiksohet gjithçka sa i përket formacionit, gjasat janë që De Biazi t’u besojë lojtarëve që provoi pikërisht në seancën e djeshme në Durrës, raporton Panorama Sport.

TITULLARËT

De Biazi ka parë me kujdes formën e të gjithë lojtarëve të grumbulluar dhe ndoshta për shkak të taktikës që do të përdorë kundër të kaltërve, në seancën e parafundit ai ka dalë në konkluzione, duke përcaktuar paraprakisht titullarët. Thoma Strakosha ka fituar terren ndaj Alban Hoxhës dhe pritet të jetë ai që do të mbrojë portën e Shqipërisë. Nga ana tjetër, asnjë ndryshim nuk pritet në repartin e mbrojtjes.

I kushtëzuar nga mungesat, italiani ka projektuar Arlind Ajetin dhe Burim Kukelin në qendër, ndërsa të padiskutueshëm nga krahët janë Elseid Hysaj në të djathtë dhe kapiteni Ansi Agolli në të majtë. Në mesfushë numri një i pankinës i ka besuar “dinakërisë” së Bashës, grintës së Lilës, shpejtësisë së Roshit, energjisë së Abrashit dhe zgjuarsisë së Memushajt.

Ndërsa sulmi këtë herë do të ndryshojë, teksa me shumë gjasa do të jetë Cikalleshi, i cili duket se ka fituar balotazhin me Balajn dhe Sadikun. De Biazi mendon se do të ndihet më komod me Cikalleshin në sulm, pasi me forcën dhe energjinë që zotëron, kavajasi mund të mbijetojë në “xhunglën” e prapavijës italiane.

SKEMAT

Në prag të sfidës me Italinë, në kampin kuqezi mbizotëron ndërthurja e frikës, dëshirës dhe guximit. Stafi teknik, në bashkëpunim me lojtarët po përpiqen të marrin të gjitha masat për të dalë me kokën lart nga stadiumi “Renzo Barbera”. Dinakëria, eksperienca dhe forma e mirë që po kalojnë italianët ngrenë shumë pikëpyetje në kokën e De Biazit.

Fakti që homologu i tij, Ventura, mund të luajë me skemën 4-2-4, ka bërë që De Biazi t’i kushtojë vëmendje të veçantë prapavijës dhe sidomos goditjeve standarde. Thuajse një pjesë të mirë të seancës së djeshme e kanë zënë skemat nga goditjet standarde. Krahas përgatitjes fizike dhe taktike, trajneri po orienton se si të sillën futbollistët tanë në fushë.

Ajo që shqetëson më shumë De Biazin është se lojtarët mund të kapen në befasi nga italianët në çdo aspekt, ndaj një pjesë të mirë të kohës gjatë seancave stërvitore kreu i pankinës ua ka kushtuar takimeve “kokë më kokë” me lojtarët, duke i orientuar për gjithçka. Shpesh trajneri është parë të diskutojë me Ajetin dhe Kukelin, të cilët është hera e parë që luajnë bashkë në qendër.

STËRVITJA

Seanca e pasdites së djeshme ka nisur rreth 30 minuta më herët nga sa ishte parashikuar. Fillimisht në fushë kanë dalë lojtarët dhe më pas trajneri. Seanca ka nisur me vrapime të lehta dhe me ushtrime aerobike, ndërsa më pas italiani e fokusoi punën me skuadrën totalisht në përgatitjen teknikotaktike.

Stafi teknik kërkon ta mbajë skuadrën të freskët për këtë përballje, ndaj edhe nuk ka pasur mbingarkesë në seancat stërvitore të zhvilluara, të cilat kanë zgjatur pothuajse 70-80 minuta. Fatmirësisht, seanca e parafundit nisi dhe u mbyll pa probleme. Nuk pati asnjë shqetësim te lojtarët sa u përket lëndimeve.

 

Axhenda, skuadra zbarkon sot në Palermo

Kombëtarja do të lërë sot Shqipërinë në orën 15:30, për t’u nisur me një avion çarter drejt Palermos, aty ku nesër në 20:45 do të zhvillohet takimi ndaj Italisë. Sipas axhendës së publikuar pak ditë më parë, sot kuqezinjtë do të zhvillojnë një seancë të lehtë në orën 10:15.

Pas mbërritjes në Itali dhe akomodimit në hotel, trajneri Xhani De Biazi dhe kapiteni Ansi Agolli do të dalin para mediave në konferencën e zakonshme për shtyp në orën 18:45. Ndërsa në orën 19:30 është parashikuar të kryhet stërvitja e fundit në stadiumin “Renzo Barbera”. Pritet që mediat të lejohen vetëm 15 minutat për të ndjekur stërvitjen e kuqezinjve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.