EKONOMI

Shtesa mbi pagë, data e provimit të mësuesve dhe çfarë ka testi

07:34 - 23.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Provimi i kualifikimit të mësuesve për vitin 2017 do të zhvillohet në datën 15 prill dhe do të zgjatë 2 orë e 30 minuta. Për të gjithë kandidatët, ai do të zhvillohet në qytetin e Tiranës në ambientet e Institutit të Zhvillimit të Arsimit. Të drejtën për t’u futur në provim e kanë të gjithë punonjësit e institucioneve arsimore, publike apo private, që kanë diplomë mësuesie. Ndërkohë që, ata duhet të plotësojnë kriteret e vjetërsisë në punë për të hyrë në provim e më pas të përfitojnë rritjen e pagës. Kështu, për kategorinë “Mësues i kualifikuar” kandidatët duhet të kenë të paktën 5 vite punë, deri në datën 31 dhjetor të vitit të kaluar. Për kategorinë “Mësues specialist”, të paktën 10 vite punë dhe të paktën 5 vjet pune pas marrjes së kategorisë “Mësues i kualifikuar”. Ndërkohë që, për kategorinë “Mësues mjeshtër” çdo kandidat duhet të ketë të paktën 20 vjet punë dhe të paktën 10 vjet punë pas marrjes së kategorisë “Mësues specialist”. Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret e mësipërme duhet të kenë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit, të cilat janë të barazvlefshme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 6 kredite. Ndërkohë që, punonjësit e mësipërm, të cilët kanë mospërputhje midis vjetërsisë në punë në arsim dhe kategorisë së kualifikimit do të kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende.

Testi

Testi i provimit të kualifikimit do të përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, në përgjithësi edhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërkohë që, pjesa e dytë do të përfshijë përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit të kualifikimit, që tashmë janë bërë publike nga IZHA.

Shtesa mbi pagë

Kualifikimi i mësuesve është i vlefshëm për të përfituar shtesën mbi pagë. Shtesa është e ndryshme, në varësi të kategorisë së kualifikimit dhe jepet sipas dëshmisë së kualifikimit individual. Ajo llogaritet në përqindje mbi pagën e grupit. Më konkretisht, kandidati përfiton 5% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues i kualifikuar”; 10% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues specialist” dhe 20% të pagës së grupit, pas përfitimit të shkallës “Mësues mjeshtër”. Ndërkaq, përmes një vendimi të datës 8 mars, Këshilli i Ministrave miratoi tabelën e re të rritjes, të cilën “Gazeta Shqiptare” e publikon të plotë. Në kolonën 4 të kësaj tabele ju do të gjeni më konkretisht rritjen që përfitoni pas marrjes së kualifikimit sipas pozicionit që keni në shkollë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.