EKONOMI

Gati 120 mijë legalizime, si të veproni me pronën

07:51 - 24.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela MANJANI

 

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale po përmbyll procesin e legalizimit për 120 mijë objekte në të gjithë vendin. Çdo muaj përfundojnë procedurat për rreth 5 mijë ndërtime pa leje. Janë punonjësit e ALUIZNI-t personat që shkojnë shtëpi në shtëpi dhe kryejnë verifikimin për vetëdeklarim, kryejnë matjet dhe plotësojnë gjithë dosjen. Çdo person tjetër që mund të paraqitet për të kryer këto veprime kundrejt pagesës nuk është punonjës i ALUIZNI-t dhe duhet denoncuar”. Me këtë apel u është drejtuar dje qytetarëve që kanë ndërtimet e tyre në proces legalizimi Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame. Sipas tij, procesi i legalizimeve është në fazën përmbyllëse në thuajse të gjitha zonat informale. “Në ditët në vijim do të ndiqni radhë pas radhe që, për zona informale, për fshatra, qytete apo njësi administrative të veçanta, të deklarojmë përfundimin e procesit të legalizimit. Në fund të këtij muaji do të arrijmë në shifrën 120.000 të legalizimeve të kryera në rang republike, dhe do të vazhdojmë të mbajmë kuotën prej rreth 4.500 deri 5.000 legalizime në muaj”, – tha Lame. Sipas kreut të ALUIZNI-t, kjo agjenci është shndërruar për shumë qytetarë në një sportel ku mund të diskutojnë dhe konsultohen për çdo problem që kanë. “Jo vetëm për problematika të legalizimeve, por edhe për probleme të tjera që lidhen me çështje pronësie, kthimi pronash, hipotekimi, privatizimi, dokumentacioni ligjor, çështje gjyqësore e të tjera. Ka qenë dhe mbetet detyrim i yni të sqarojmë qytetarët, duke iu ofruar zgjidhje problematikave të tyre, apo duke i orientuar në ‘xhunglën’ e legjislacionit shqiptar”, – tha Lame. Sipas Lames, suksesi i institucionit dhe lidhja e kontaktet e përditshme me qytetarët, ka krijuar edhe efekte anësore të pakëndshme.

Abuzimet

“Në shumë raste, pranë drejtorive tona rajonale janë vënë re individë që përpiqen të përfitojnë nga hallet e njerëzve, duke bërë rolin e sekserit. Janë identifikuar sekserë e spekulantë, përfitues, akaparues, e lloj-lloj ndërmjetësish të qenë e të paqenë, që mblidhen si mizat në mjaltë. Përpara tri ditësh, Policia e Shtetit arrestoi një individ që, duke u shtirë si nëndrejtor i ALUIZNI-t, iu kërkonte para qytetarëve për procesin e legalizimit të banesave të tyre. Përpara rreth një muaji, në Farkë Policia arrestoi një tjetër individ që ushtronte të njëjtin “zanat” dhe të cilit iu gjetën në banesë grumbuj dokumentesh pronësie dhe legalizimi, qytetarësh të ndryshëm. Përpara disa ditësh, në një takim publik me qytetarët, me qëllim sqarimin e problematikave dhe procedurave të legalizimit të pallateve, na u denoncua prej tyre fakti që i kishin paguar para të gjithë banorët një shumë parash një individi që iu kishte premtuar t’iu bënte legalizimin. Raste të tjera të tilla, ndonëse më të kufizuara, kemi pasur edhe në qytete të tjera të vendit. Gjej rastin të falënderoj sinqerisht Policinë e Shtetit për rastet e gjurmuara dhe të identifikuara deri më sot”, – deklaroi Lame.

Kalimi i pronësisë

Ligji i ri i legalizimeve parashikon që kalimi i pronësisë për objektet me funksion banimi të bëhet për sipërfaqe deri në trefishin e bazës, por jo më shumë se 500 m2. Për sipërfaqet deri në 300 m2 toka do të paguhet me gjysmën e vlerës së tregut, por jo më shumë se 2000 lekë/m2 për zonat urbane, dhe 1500 lekë/m2 për komunat. Veç kësaj, në ligjin e ri janë përcaktuar edhe disa lehtësi të tjera në pagesën e faturës për tokën e zënë.

Kështu, për pagesat e menjëhershme aplikohet 20 për qind zbritje. Ndërsa, brenda 6 muajve nga data e tërheqjes së faturës, 50% e saj mund të paguhet me letra me vlerë. Një tjetër zbritje që aplikohet është ajo me 10% që bëhet për faturat e energjisë elektrike. Për të përfituar nga ky reduktim shtesë familjet kanë detyrimin që të kryejnë rregullisht pagesat e dritave përgjatë një viti kalendarik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.