BOTA

Kreu i KE, Junker paralajmëron Trump: Nëse BE shpërbëhet, shpërthen lufta në Ballkan

13:49 - 24.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




President i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i ka tërhequr vërejtje presidentit amerikan, Donald Trump që të mos nxisë vende të tjera të BE-së të imitojnë Brexitin me argumentin se shpërbërja e BE-së mund të bëhet shkak për luftë në Ballkanin Perëndimor, shkruan gazeta prestigjioze “The Financial Times”.

Trump është i pandërgjegjshëm për historinë e ndërlikuar të Evropës, mendon Junckeri. Veterani luksemburgas i politikës evropiane, Junckeri 62 vjeçar, e ka tërhequr vërejtjen në takim me zëvendës presidentin amerikan Mike Pence kur ky ishte në vizitë në Bruksel muajin e kaluar.

“I thashë zëvendëspresidentit: ‘Mos e thoni këtë, mos i nxisni të tjerët ta lëshojnë BE-në, sepse po qe se Bashkimi Evropian shembet, do të keni luftë të re në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Junckeri.

Presidenti i Komisionit Europian ka thënë se është me rëndësi që vendeve të rajonit t’u jepet perspektiva e anëtarësimit në BE.

“Nëse i lëmë vetëm – Bosnja Hercegovina, Republika Srpska, Maqedonia, Shqipëria, të gjitha ato vende – do të kemi luftë sërish”.

Gjatë një interviste, Junckeri ka folur për shtrëngesat në marrëdhëniet transatlantike dhe ndikimin negativ të Brexitit, të cilin e quajti “tragjedi” me pasoja.

Ai tha se Trump po u shkaktonte frikë europianëve me retorikën e tij “Së pari Amerika”.

“Për herë të parë në historinë e pasluftës kemi një president amerikan që lë përshtypjen se nuk është i interesuar për çështjet evropiane”, i ka thënë Juncker gazetës “Financial Times”.

Presidenti i Komisionit Evropian Juncker do të vizitojë Uashingtonin muajin që vjen, por, nga fjalët dhe toni i intervistës së tij, duket se ka pak shpresa se do ta takojë presidentin Trump.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.