EKONOMI

Master e doktoraturë, MAS ndryshon kriteret për njohjen e gjuhës së huaj

11:23 - 24.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

 

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndryshuar udhëzimin e gjuhës së huaj për të gjithë ata kandidatë që do të aplikojnë për studimet e nivelit master dhe doktoraturë. Sipas dokumentit, të firmosur nga ministrja Lindita Nikolla, “kandidati që aplikon për t’u pranuar në programe studimi të ciklit të dytë apo të tretë në Institucionin e Arsimit të Lartë, duhet të ketë certifikime dhe rezultate të testimeve ndërkombëtare për nivelet e njohjes së gjuhëve, brenda afateve të vlefshmërisë së certifikatave të lëshuara”. Kjo do të thotë se ata persona, që synojnë të vazhdojnë këto studime, por iu ka “skaduar” vlefshmëria e certifikatës që vërteton njohjen e gjuhës së huaj, do të duhet të rifuten në provim, në mënyrë që të rimarrin dokumentin e vlefshëm. Ky ndryshim duket se do të rrisë kostot për të gjithë këta kandidatë, pasi do t’u duhet të paguajnë njohjen e gjuhës së huaj. Për shembull, për gjuhën angleze, testi amerikan i TOEFL ka një kosto duke filluar nga 170 dollarë, të cilat duhet të paguhen nga kandidati. Ndërkohë që, sipas udhëzimit të deritanishëm, këto certifikata kishin një vlefshmëri deri në 2 vite pas lëshimit të tyre. Më konkretisht, në këtë udhëzim thuhej: “Kandidati që aplikon për t’u pranuar në programe studimi të ciklit të dytë apo të tretë në Institucionin e Arsimit të Lartë, duhet të ketë certifikime dhe rezultate të testimeve ndërkombëtare për nivelet e njohjes së gjuhëve, të cilat i përkasin një periudhe jo më vonë se 2 vjet nga momenti i lëshimit të tyre”. Ajo që vlen të theksohet është fakti se këta kandidatë duhet të disponojnë dokumente të njohjes së gjuhës së huaj vetëm nga testet e certifikuara nga MAS-i, ku në asnjë rast nuk bëjnë pjesë certifikatat e lëshuara nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës. Në kohën e miratimit të udhëzimit, ky fakt u kundërshtua nga zyrtarë të këtij fakulteti, por ministria u kundërpërgjigj me argumentin se përcaktimi i testeve u bë “në mbështetje të Kuadrit të Referencave për Gjuhët të krijuar nga Këshilli i Europës (2001), Kuadrit të Përbashkët Europian të Referencave për Gjuhët, si dhe në bashkëpunim me Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës të akredituara në Republikën e Shqipërisë”.

GJUHA E HUAJ

Në vitin 2015, Ministria e Arsimit dhe Sportit përcaktoi nivelet dhe testet ndërkombëtare të 5 gjuhëve të huaja, përkatësisht: gjuhës angleze, gjuhës frënge, gjuhës gjermane, gjuhës italiane dhe gjuhës spanjolle. Kandidatët, të cilët aplikojnë për t’u pranuar në programe studimi të ciklit të dytë apo të tretë në Institucionet e Arsimit të Lartë, duhet të kenë nivel të njohjes së njërës prej këtyre gjuhëve, sipas nivelit dhe testit të përcaktuar nga MAS-i, të cilët i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Për pranimin në programet e studimit të ciklit të dytë, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj ndërmjet nivelit B1 dhe nivelit C1. Ndërkohë që, për pranimin në programin e studimeve të ciklit të tretë, kandidati duhet të ketë njohje të gjuhës së huaj të nivelit C1.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.