KULTURË

Moikom Zeqo: Ndalimi i filmave shqiptarë? Propozimi i Tufës, delirant dhe arkaik

14:25 - 24.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Moikom Zeqo ka reaguar në lidhje me debatet e fundit që po bëhen për ndalimin e filmave të bërë në kohën e komunizmit. Në një shkrim për GSH.al ai e ka quajtur propozimin nga Agron Tufa për ndalimin e filmave, si delirant me një negativizëm absolut dhe arkaik. Sipas Moikom Zeqos, kryqëzata për të ndaluar filmin shqiptar është e pakuptimtë, sepse diçka e tillë paralele mund të bëhej edhe kundër shkrimtarëve të realizmit socialist, kundër koreografëve, kundër këngëtarëve, kundër piktorëve dhe skulptorëve…

Nga Moikom ZEQO

Filmat shqiptarë, pa një xhandarmëri të mendjes

Kam ndjekur debatin e bujshëm, e stërkalshëm, butaforik, për çështjen e filmave shqiptarë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që sipas idesë së Agron Tufës, apo edhe të ndonjë tjetri, duhen ndaluar me ligj. Të mos transmetohen më. Pra, të bëhet ndalimi përfundimisht në formë juridike i tërë kësaj pasurie të madhe të artit filmor të Shqipërisë. Është hera e parë që bëhet një propozim i tillë delirant, me një negativizëm absolut dhe arkaik. Me një fjalë, tërë filmat shqiptarë të zhbëhen, të pluhurizohen, të kthehen në një harresë dhe në një amnezi absolute. Si ka mundësi në demokraci të gjallojë një ide e tillë e pakuptimtë? Demokracia bazohet mbi pluralizmin e ideve. Nuk ka përjashtime të ideve. Demokracia që përjashton idetë, qoftë edhe të kundërta, nuk është demokraci. Mrekullia e Kushtetutës Amerikane është pikërisht Amendamenti i Parë, ku thuhet se nuk mund të persekutohet asnjeri për idetë dhe bindjet e tij politike dhe fetare. Mesa di unë, është ky Amendament i Parë, që përbën lirinë e patjetërsueshme dhe rinovimin e përhershëm dhe universal të Amerikës. Kinematografia shqiptare është një shpikje e vonë e shek. XX. Shqiptarët janë të fundit që e krijuan “artin e shtatë”. Më 1953-shin, 8 vjet mbas çlirimit të vendit, u ndërtua Kinostudio “Shqipëria e Re”, me atelietë më të mëdha se çdo vend tjetër evropian. Filmi “Skënderbeu” me një subjekt të mirëfilltë dhe të jashtëzakonshëm shqiptar, që ka fituar dhe çmime ndërkombëtare, ka ndikuar në krijimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve si asnjë film tjetër. Për dijetarët e kinemasë, studiuesit profesionistë të filmit, duhet thënë se filmi shqiptar përbën një substancë autentikë. Kinematografia shqiptare e krijuar nga regjisorë dhe aktorë shumë të talentuar, nga kompozitorë të muzikës së filmit tepër të njohur përbën një nga thesaret e artit shqiptar tashmë në shekuj. Kjo kinematografi sipas disa studiuesve të huaj që kam mundur të lexoj, por që për momentin nuk po i citoj referencat e tyre, është kinematografi origjinale e krijuar si një sintezë midis traditës së filmit të neorealizmit italian dhe traditës së filmit modern rus, të forcës popullore, të ndryshimeve progresive, revolucionare, siç i konceptonte regjisori gjenial Ezenshtejni. Filmat shqiptarë kanë botën e tyre të artikuluar, kjo është bota shqiptare. Kinematografia jonë ndryshon, fjala vjen nga kinematografia jugosllave, bullgare, rumune apo dhe hungareze e polake. Filmat shqiptarë janë mbështetur në temat historike dhe për shkak të popullaritetit të tyre të merituar të japin ndjesinë e një kinoditari real, si fjala vjen filmi “Nëntori i dytë”. Ajo që të bën përshtypje të veçantë është se mjedisi, garderoba etnografike, struktura arkitektonike popullore të fshatit dhe të qyteteve shqiptare, të veshjeve të personazheve të krijojnë idenë të një bote gjithashtu dokumentare, të papërsëritshme më, por që sot nuk ekziston. Të gjithë filmat bazohen mbi dashurinë e pakufishme për atdheun. Asnjë film nuk bazohet mbi urrejtjen ndaj atdheut. Kjo është një pikë gravitacionale. E pashembullt. Filmi shqiptar është organizuar nga regjisorë të përmasave të mëdha. I tillë është miku im, regjisori Dhimitër Anagnosti. Por edhe të tjerë nuk janë më pak si Viktor Gjika, Pirro Milkani, Kumbaro, Prifti etj. Për një rastësi historike apo për një domosdoshmëri historike mund të them se në këto filma luajtën artistë të mëdhenj, që sot kanë vdekur. Imagjinoni! Duke i ndaluar filmat e tyre, ne i vdesim për herë të dytë këta aktorë. Asnjëherë muzika moderne shqiptare dhe profesioniste nuk ka pasur kaq shumë sukses sa muzika e filmave tanë. Në koleksionin e këtyre filmave ka pa dyshim edhe filma të dobët, edhe stereotipa ideologjike, të cilat nuk mund ta dëmtojnë dhe ta prekin një shoqëri demokratike. Urrejtja ndaj filmit shqiptar, si të gjitha urrejtjet e verbëta, është irracionale dhe e pashpresë. Kryqëzata për të ndaluar filmin shqiptar është e pakuptimtë, sepse diçka e tillë paralele mund të bëhej edhe kundër shkrimtarëve të realizmit socialist, kundër koreografëve, kundër këngëtarëve, kundër piktorëve dhe skulptorëve. Pyes: a nuk ekziston në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita e pikturës së realizmit socialist? Pse nuk ngrihet dikush dhe të thotë “t’i djegim të tërë këto piktura”? Nëse duam t’i ndalojmë filmat, pse mos të ndalojmë edhe pikturat, edhe këngët, edhe vallet, edhe librat e shkrimtarëve të shquar të realizmit socialist? Kam në shtëpinë time një vëllim të plotë në anglisht të poemave të Vladimir Majakovskit, botuar në vitin 2012 në Amerikë. Majakovski është poeti i revolucionit. Kur e mora librin në dorë, mendova se shumë poema të tij revolucionare, për shkak të ndryshimit të epokave duhet të ishin hequr. Por u habita kur pashë se në këtë përmbledhje ishte edhe poema e Majakovskit për Leninin. Dhe për lexuesin e kulturuar dhe normal kjo është diçka e vetëkuptueshme. Por pikërisht shqiptarët shpesh nuk e di pse nuk tregohen të kulturuar dhe normalë në disa aspekte.

Në shek. XVII poeti i madh anglez, John Milton (1608-1674), autori i kryeveprës “Parajsa e Humbur” qe përkrahës u revolucionarit republikan Oliver Kromuellit. Kur ra regjimi i Kromuellit dhe u instalua regjimi mbretëror i Stjuartëve, John Milton qe vënë në listën e atyre që duheshin dënuar me vdekje, por mbreti Stjuart i kohës, kur i sollën listën ogurzezë, ku ishte edhe emri i Miltonit tha në mëdyshje: “Se ç’ka kjo dora ime e djathtë që nuk do të firmosë!” Kështu, Miltoni nuk u dënua. Kur u bë fushata për ndalimin e librave me pikëpamje të lira dhe krijimi i një censure mbretërore, pikërisht ky Milton shkroi kryeveprën e tij të dytë, librin polemist nga më të rëndësishmit e botës, të quajtur “Areopagitica”. Këtë libër dua ta lexojnë trundryshkurit dhe delirantët, që kërkojnë të ndalojnë me ligj filmat shqiptarë. Emancipimi i shoqërisë bëhet në raport edhe me shijet estetike. Emancipimi i shijeve estetike bëhet vetvetiu, pa dhunë dhe pa kallur në mendim “një xhandarmëri të mendjes”, siç thoshte i paharruari Faik Konica.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.