EKONOMI

Isuf Lika: Zanatet e vjetra drejt zhdukjes, asnjë njeri s’dëshiron t’i trashëgojë

07:47 - 25.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Besar Bajraktaraj
Në rrugët e kryeqytetit, por edhe në qytetet e tjera, është e vështirë të gjesh punishte apo dyqane artizanale, ku bëhet punë profesionale. Në kohën që jetojmë, në vendin tonë zanatet profesionale sa po vijnë e zhduken për shkak se nuk i jepet vëmendja e duhur nga shteti, por edhe interesi nga njerëzit për të kryer këto punë ka rënë. Këtë na e konfirmon dhe një “zanatli” i vjetër, me profesion këpucar prej pothuajse 4 dekadash. Ai është Isuf Lika dhe ka një dyqan të vogël në qendër të kryeqytetit, në vendin e quajtur pas galerisë, të cilin e ka përshtatur në punishte të vogël për profesionin e këpucarit. Ai është 60 vjeç, nga Dibra, dhe këtë profesion që nga viti 1994 e praktikon në Tiranë. Zanatin e ka të trashëguar nga babai dhe fillimisht e ka ushtruar në Dibër, më pas për rreth 3 vite në Lezhë, dhe më pas në kryeqytet. Pavarësisht punës së përditshme që ai ka dhe ia del për të mbajtur familjen dhe shkolluar fëmijët, ai ka një shqetësim, pasi këtë profesion nuk ka kujt t’ia trashëgojë. “Ashtu si të gjithë zanatlinjtë e tjerë që janë të vjetër në fushën e tyre, edhe unë jam i tillë, jam shumë i vjetër në këtë profesion pasi kam 38 vite që e ushtroj. Këtë profesion nuk e trashëgojmë pasi fëmijët nuk dëgjojnë ta marrin si profesion, sepse nuk iu pëlqen të punojnë apo të bëjnë duart pis, duan t’i gjejnë lekët gati. Në përgjithësi është punë me lodhje pasi pa lodhje nuk ka asnjë punë”, – thotë Lika. Gjatë bisedës me të ai na shpjegon dhe proceset që bën për të rregulluar një këpucë. “Në fillim kur e marr një këpucë e shikoj se çfarë defekti ka, ndoshta nga sholla e këpucës apo në qoftë se është grisur. Nëse është grisur, mundohem ta rregulloj nga brenda në mënyrë që të mos duket”.
“Shteti duhet të ndihmojë ‘zanatlinjtë'”
Përveç shqetësimit që 60-vjeçari Lika ka se nuk ka kujt t’ia trashëgojë këtë profesion, ai ka edhe një kërkesë për shtetin, që ta ndihmojë për ta trashëguar si profesion. “Unë jam nga Dibra, por kam jetuar në Lezhë, ndërsa në Tiranë kam ardhur në vitin 1994. Zanati i këpucarit nuk është zanat i keq, por thjesht duhet pak ndihmë, sepse për të punësuar njerëz të tjerë duhet të ndihmojë shteti, të paktën ta paguajë atë individin që vjen ta mësojë zanatin të paktën 3 apo 4 muaj. Është punë e mirë dhe do doja t’ia trashëgoja dikujt tjetër, pasi me këtë punë unë kam bërë shtëpinë, kam mbajtur familjen dhe kam shkolluar edhe fëmijët. Edhe kolegët e mi të gjithë kështu punojnë, është profesion i pastër dhe të jep para të pastër, nuk është profesion që i bën hile klientit, sepse po të jetë ashtu nuk do të vinte njeri. Ashtu si zanatet e tjera, po ta kesh me qejf nuk të lë pa punë e ka rriskun e vet, por fitimet më të mëdha janë në qoftë se do të bësh këpucë të reja dhe të tregtosh me shumicë, sepse e rrit biznesin dhe punëson të tjerët”, – thotë Isufi. Ndër të tjera, duke kërkuar ndihmën e shtetit për të mos zhdukur zanatet e vjetra, 60-vjeçari thotë: “Nga shteti do kisha dashur të më ndihmojë duke më dhënë kredi të butë, në mënyrë që të punoj dhe të punësoj edhe njerëz të tjerë apo dhe të marr dhe mall me shumicë. Duhet sholla, duhen llastiqet, apo dhe gjëra të tjera, në mënyrë që kur të vijnë klientët të mos u themi që, ‘këtë që kërkon ti nuk e kam’. Duke qenë se e njohim zanatin, e dimë se çfarë ecën më shumë dhe marrim atë mall me shumicë dhe të punësonim 5 apo 6 persona. Profesionet artizanale apo të vjetra janë drejt zhdukjes, sepse mosha jonë po plaket dhe s’kemi kujt t’ia trashëgojmë, dhe këtë e shoh me shqetësim. Të gjithë të rinjtë nuk mund të bëhen me shkollë dhe dikush duhet të bëjë edhe zanatin”. Isufi gjatë bisedës në punishte na shpjegon edhe se kush janë klientët që e frekuentojnë më shumë dyqanin e tij. Ai thotë që shtresa të ulëta ekonomike dhe pak nga shtresa e mesme shkojnë aty, ndërsa ka edhe klientë besnikë. “Në përgjithësi klientët janë të shtresave ekonomike të mesme dhe të ulëta. Ka edhe klientë që kërkojnë të bëjnë këpucë me porosi që mund të fillojnë nga 30 apo 40 mijë lekë të vjetra, që bëhen me lëkurë origjinale, dhe për këto këpucë ka fitim prej 8 apo 10 mijë lekësh. Ka raste edhe që vijnë nga dyqane që i marrin me 25 apo 30 dhe i shesin me 60 apo 70 mijë lekë. Kam këto këpucët që janë blerë në dyqan me 50% zbritje, nga 48 janë marrë 24 mijë lekë, e cila është prishur dhe me shumicë është blerë me 10 mijë lekë. Këto këpucë janë të bëra nga materiali i enkelitit dhe shiten për këpucë të mira lëkure, por duhet dikush t’i kontrollojë. Nuk ka asnjë kontroll nga shteti, sepse mjaftohet që bizneset të paguajnë tatimet dhe kaq.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.