KULTURË

Një sënduk poezish të fshehura më 1970, kur përktheheshin poetët e ndaluar

19:38 - 25.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

–  Në një shtëpi dykatëshe afër lumit Drin, një poet i ri me një pamje ta pazakonshme, që kishte jo rrallë në fytyrë shenjat e prerjes së briskut, mu sikur kishte mposhtur edhe njëherë tjetër dyzimin për ta lënë apo për ta vazhduar këtë jetë, na lexonte ne shokëve të tij më të rinj poezi të përkthyera prej tij nga autorë anglezë dhe amerikanë, të panjohur ose të ndaluar në Shqipëri”. Preç Zogaj e kujton kështu mikun e tij Rudolf Marku. Katër dekada më parë, Lissusi buzë Drinit “fshihte” poetë e përkthyes, vargje që ruheshin si trakte në copa letrash e në sëndukë ku strukeshin “librat e ndaluar”

Antologjia Botërore e Poezisë “Retë që shkasin atje tej, retë e mrekullueshme”, botimet “Mapo”, përkthyer nga Rudolf Marku, ka parë më në fund dritën e botimit. Në të ka poezi nga Safo te Ovidi, Shën Françesku i Azisit, Uilliam Blake, Lermontov, Uol Uitman, Bodleri, Kavafis, Valery, Rilke, Joyce, Pesoa, Ezra Paund, Heminguei a Borgesi, mandej është Nazim Hikmeti, Seferisi, Pavese, Ricos, Jehuda Amichai, Tedi Hjuz dhe Silvia Plath, e deri te Brodski.

“Duhet të jesh dehur, kjo është gjithçka! Që të mos ndjesh barrën e rëndë të kohës që të thyen shpatullat, e që të shtrin përtokë. Duhet të dehesh pa pushim”- shkëpusim nga faqet e Sharl Bodler në poezinë “Dehuni ju”. Janë shtatëdhjetë e gjashtë poetë, njëqind e njëzet e gjashtë poezi, përzgjedhur me kriterin e pëlqyeshmërisë së përkthyesit, Zogaj dallon binomin e poezisë së dashurisë me atë alegorike, të lidhura nga fibra elegancës.

Janë pothuajse të gjitha poezi të përkthyera e shumë prej tyre të lexuara në rrethe të ngushtë miqsh, 40 e më tepër vjet më parë. “Disa nga këto poezi kanë qarkulluar nëpër fletore për një kohë aq të gjatë, sa duke kaluar dorë më dorë, ndonjë lexues i tyre të mund jetë të ngatërruar e t’i ketë marrë si përkthime të vetat!”, thotë Rudolf Marku që i ka përzgjedhur, përkthyer dhe pajisur me shënime.

Ai shton se ka përfshirë të ripërkthyera poezi të T. S. Eliot-it, të E. Pound dhe të Ë. H. Auden-it, duke mos konsideruar përkthimin e bërë të këtyre autorëve ca vite të shkuara.

Marku rrëfen se “kriteri i këtij libri është shija dhe opinioni personal i përzgjedhësit dhe i përkthyesit, i cili gjithë jetën e vet ka udhëtuar dhe vazhdon të udhëtojë në botën e letërsisë së mire”.

Ndërkaq, redaktori i librit, Preç Zogaj vërejti dje në promovimin e librit se fillesat e tij datojnë rreth katër dekada më parë. Në vitet 1978- 1979 të shekullit të kaluar, në Lezhë.

Zogaj kujtoi se “këto ishin vargje dhe poezi që në një anë tronditën gjithë një mënyrë të menduari të dominuar nga kufizimet, steriotipet dhe dogmatizmi, në anën tjetër ndihmuan për formimin e një shijeje, estetike dhe vetëdije të re të lirisë për poezinë. Këtë bëri Rudolf Marku, një nga prijësit e avanguardës letrare të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, përfaqësuesi më autentik i një gjenerate, të cilën dikush e ka quajtur “gjenerata e antenës së ngritur në mjegull”, duke pasur parasysh faktin se poetët dhe artistët më të mirë të saj vendosen me letërsinë dhe artin modern një kontakt dhe një komunikim të çuditshëm, përtej dhe përmbi klonet e filtrat e Shqipërisë së mbyllur”.

Pse shtatëdhjetë e gjashtë? Pse njëqind e njëzet e gjashtë? Çdo hartues antologjie përballet me pyetje të tilla. Alen Boske, autori i antologjisë me titullin provokativ “Njëqind poezitë me të bukura të botës”, që ka qarkulluar në Shqipëri në fund të viteve nëntëdhjetë në formë të fotokopjuar, thoshte vetëm këtë që gjithkush mund të zgjedhë një antologji të veten dhe se përzgjedhja është në njëfarë mënyrë vetë përzgjedhësi. Me lejoni të huazoj prej tij fjalinë përmbyllëse të kësaj paraqitjeje: “Ja gjenia njerëzore, nudo, por veshur me yje”

VARGJE

“Fle e vetme” e Safos është një ndër poezitë e zgjedhura për ta nisur librin, me gjithë trishtimin që bart, në vargje të shkëputura si këto: Hana pa prit zhduket, dhe Plejadat bashkë me të/ Mesnatë që vendet sekrete të dashnorëve fsheh/ ndërsa unë, e shtrirë/ e vetme fle/ Paqe e natës, kurrë s’ke dhënë ndonjëherë më shumë mërzi/ sa ç’jep tani. Kurrë më parë/”.

Në radhë të dytë qëndron Ovidi, me vargjet erotike nga “Amores”: “Ma mirë të jem me një grua në Ferr/ se në Parajsë me engjëjt pa seks…”, apo “Nga elegjitë për Korinën” ku shkruan: “Ja heq fustanin e hollë me lehtësi/ Dhe prapë ajo bën çmosin të mbulojë lakuriqësinë/ dhe tek përpiqet, sikur merret me mend./ e tradhton veten e tek unë vjen/ lakuriq qëndron para syve të mi…”.

Gjejmë më tej “Profecinë” e Mikail Lermonotvit: “Do vijë një kohë, një ditë zi dhe tmerr/ Kur nga koka e mbretit, kurora do të bjerë/ kur Froni i Carit, do fundoset në baltë/ dhe njerëzit do të ngopen me vdekje dhe gjak”…

Hikmeti te “ Më e çuditshmja e krijesave:, shkruan” Ti je miliona. Ti je si dashi vëllai im. Kur xhelati i veshur me lëkurën tënde, kur xhelati ngre shkopin e tij, ti nxiton të kthehesh në kope dhe shkon në thertore duke vrapuar pothuajse krenar. Në qoftë se ne jemi ngopur deri në gjak, të shtypur si rrushi për të dhënë verën tonë, nuk do të thosha se kjo ndodh për fajin tënd, por edhe ti ke shumë faj, vëllai im!”

Jehuda Amichai te “Sa keq, ne ishim një shpikje kaq e mirë”, shkruan: “Erdhën dhe i ndanë me thika/ kofshët e mia nga kofshët e tua/ Me sa di unë/ Ata qenë të gjithë kirurgë. Kirurgë të gjithë./

Erdhën, dhe na çmontuan/ Njërin mënjanë e tjetrin mënjanë/ Me sa di unë/ Ata qenë të gjithë inxhinierë. Inxhinierë të gjithë./

Sa keq. Ne ishim një shpikje/ Kaq e mirë, kaq e bukur/ Ishim një aeroplan i bërë prej burri e gruaje/ Me krahë, në ajër ca kohë qëndruam,/Bile për pak sa nuk fluturuam/.

Nga Ted Hjuz, Marku ka përkthyer “Dhëndër dhe nuse shtrihen fshehur për tri ditë rresht”, ku veçojmë vargjet: “Ai i jep asaj lëkurën/ duket sikur e tërhoq prej masës së ajrit/ dhe ja hedh sipër/ ajo qan me frikë e mahni”.

Pothuaj në mbyllje është nobelisti rus Jozef Brodski me “Odiseu drejtuar Telemakut”, ku shkëpusim: “I shtrenjti im Telemak/ Lufta e Trojës përfundoi; nuk mbaj mënd kush doli fitimtar/

Grekët, pa dyshim, sepse veç ata mund të lënë aq të vdekur larg atdheut të tyre./ E prapë, kthimi për në shtëpi provoi të ishte shumë i gjatë/…”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.