KULTURË

Elvira Dones kundër Ministrisë së Kulturës: Nuk më çuat ju në Panairin e Librit

11:28 - 26.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Shkrimtarja Elvira Dones e ka quajtur spekulim përfshirjen e emrit të saj mes autorëve shqiptarë të mbështetur nga Ministria e Kulturës për të marrë pjesë në Panirin e Librit në Leipzig.
Përmes një postimi në “Facebook”, ajo sqaron se të gjitha takimet i janë organizuar nga botuesja e saj dhe se nga Ministria e Kulturës as ka marrë e as ka kërkuar sponsorizim.

“Nga një postim i Ministrisë së Kulturës mësoj se krahas autorëve shqiptarë pjesëmarrës në takimet TRADUKI, ministria në fjalë vë edhe emrin tim, duke lënë të kuptohet se paska mbështetur e mundësuar pjesëmarrjen time në këtë event, një spekulim të cilin e quaj me vend ta sqaroj”, shkruan Dones.
Ajo sqaron se “pjesëmarrja ime në Panairin e librit në Leipzig është organizuar nga shtëpia ime botuese e Zurigut, Ink Press, dhe botuesja Susanne Schenzle, në kuadrin e botimit në gjermanisht të njërit prej romaneve të mi para disa muajsh. Eventi në stendën e TRADUKI-t ka qënë gjithashtu i koordinuar drejtpërdrejt nga botuesja zvicerane me organizatorët e panairit, ashtu si gjithë takimet e tjera brenda dhe jashtë panairit”.
Duke shtuar se gëzohet  që Ministria e Kulturës ka mbështetur e financuar autorët e tjerë shqiptarë, Dones bën me dije se   në rastin e saj, e vërteta qëndron ndryshe. “E quaj gjithashtu me vend të saktësoj se askurrë nuk kam kërkuar sponsorizime nga Ministria e Kulturës shqiptare e nuk kam kërkuar – as do kem nevojë ndonjëherë nevojë e dëshirë – të kërkoj mbështetje prej saj”.
Më herët, Ministria e Kulturës ka njoftuar se Shqipëria bë2het pjesë e panairit të libri në Leipzig. “Nuk është lindje, nuk është Perendim – Alkimia e Ballkanit. Edhe këtë vit, letërsia shqipe është pjesë e panairit dhe festivalit të librit në Leipzig, i cili do të mbahet mes datave 23- 26 mars, me autorë përfaqësues : Ridvan Dibra (Shqipëri); Elona Çuliq (Shqipëri); Elvira Dones (Shqipëri – Zvicër); Shpetim Selmani (Kosovë). Autorët e Shqipërisë mbështeten nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI”, njofonte Ministria e Kulturës.
Panairi i Leipzigut(23-26 mars) dhe festivali i tij i leximit “Leipzigu Lexon” janë ngjarja më e rëndësishme pranverore e librit europian, duke bërë bashkë në këtë festë të librit lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të kuptuar tendencat e fundit të librit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.