EKONOMI

I bëri me pagesë qeset plastike, Veliaj s’ndalet, tani kërkon ndalimin e përdorimit të tyre

11:01 - 26.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Bashkia e Tiranës ka nisur sot në orën 09:00 një aksion pastrimi në të 24 Njësitë Administrative të kryeqytetit, e mbështetur nga vullnetarë e qytetarë të Tiranës.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, fillimisht iu bashkua aksionit të pastrimit në zonën e Farkës pranë liqenit të Thatë, ku theksoi se falë angazhimit të bashkisë, situata e pastrimit ka ndryshuar.

“Jemi ku e ku krahasuar me një vit më parë, ku e para ishte bashkia që dështonte. Sot jemi situatë tjetër ku bashkia është në krye të punëve, ku vetë kryetari vë dorezat e merr qeset për të mbushur plehrat. Do të thotë që çdo punëtor i bashkisë e bën këtë. Ajo që ka ndryshuar është sensibilizimi. Dua të falënderoj gjithë ata vullnetarë sot, ku shumë qytetarë që ndoshta sot kishin ditën e tyre të pushimit, në pika shumë periferike të Tiranës, kanë lënë ditën e tyre për t’ia kushtuar këtij aksioni qytetar. E vlerësoj jashtë mase, vetëm kështu e ndërtojmë qytetarinë”, tha Veliaj.

Për të kontribuar në mbajtjen e një ambienti të pastër, Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka marrë edhe disa vendime shumë të rëndësishme, siç është ai për kufizimin e përdorimit të qeseve plastike në markete, deri në ndalimin e plotë të tyre. “Është shumë e rëndësishme që të kemi disa politika të rrepta: duke filluar nga 2 prilli, supermarketet kryesore do të vënë një pagesë modeste për qeset, jo për të rikuperuar koston, por për krijuar një barrierë edhe psikologjike, për t’u kujtuar njerëzve se është më mirë të mos e marrin fare qesen, se sa të ndotin ambientin. Do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që të shkojmë në masa edhe më drastike për ndalimin e qeseve në Tirana dhe sigurisht, do t’i propozoj qeverisë Rama që ashtu si në të gjitha vendet moderne, kryesisht ato të BE, por edhe disa vende në Afrikë, shkojmë drejt një vendimi kombëtar për të ndaluar me ligj qeset plastike, të cilat janë ndotësi kryesor i qytetit tonë”, tha Veliaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.