LIFE STYLE

407 raste të reja me tuberkuloz, shenjat për ta kapur në kohë

10:45 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dita Botërore e Tuberkulozit shënohet çdo vit në 24 mars. Synimi i saj është që të promovojë ndërgjegjësimin, njohuritë dhe motivimin për të vepruar kundër tuberkulozit në mbarë botën. Ajo e ka origjinën në vitin 1882, kur u festua 100-vjetori i zbulimit të bacilit të TB-së nga Koch. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreth 9 milionë vetë në mbarë botën janë të prekur nga tuberkulozi, ndërkohë që rreth 1,8 milionë vdesin çdo vit. Tuberkulozi është sëmundje ngjitëse që mund të prekë çdo organ, por veçanërisht mushkërinë. Ai përhapet nëpërmjet ajrit kur i sëmuri i pamjekuar me TB kollitet, tështin apo është në kontakt të afërt me njerëzit e tjerë. Nga tuberkulozi mund të sëmuret kushdo, duke u quajtur dhe si sëmundje pa kufi.

Simptomat dhe shenjat e TB
Nëse keni kollë dhe gëlbazë më shumë se 3 javë, dobësi të përgjithshme, ulje oreksi, temperaturë dhe djersitje, duhet të drejtoheni te mjeku i familjes dhe mjeku specialist për mushkëritë në dispanserinë e rrethit. Barnat që përdoren sot për mjekimin e TB-së janë shumë efikase dhe të shërojnë plotësisht, duke i marrë ato çdo ditë dhe në të njëjtin orar për 6 muaj. Edhe pse të sëmurët pas fillimit të mjekimit fillojnë të ndjehen mirë, nuk duhet të ndërpresin mjekimin se mikrobet e TB-së vazhdojnë të jetojnë gjatë dhe eliminohen më ngadalë. Mjekimi i rregullt, jo vetëm që ju shëron plotësisht, por edhe mbron fëmijët dhe të afërmit tuaj nga sëmundja e TB-së.

Të dhënat e TB-së në Shqipëri për vitin 2016
Situata epidemiologjike e TB-së gjatë 10 viteve të fundit është përmirësuar vazhdimisht dhe të gjithë treguesit kryesorë epidemiologjikë flasin për një situatë të stabilizuar dhe në përmirësim. 3 vitet e fundit, situata e TB-së karakterizohet me një incidencë të qëndrueshme të TB-së: 14.5 për 100 000 banorë. Incidenca e TB-së për vitin 2016 është 14.4 raste të reja për 100,000 banorë, duke e bërë vendin tonë të konsiderohet si vend me incidencë të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Gjatë vitit 2016 janë raportuar 407 raste me TB, nga të cilat 96% janë raste të reja dhe 4% të ritrajtuar. Grupmoshat më të prekura janë 15-24 vjeç (20%), 25-34 vjeç (19%), mbi 65 vjeç (23 %). Raste pulmonare në total janë 290 (71%), nga të cilat 200 (49%) janë meshkuj dhe 90 (22%) janë femra. Nga shpërndarja sipas zonave, urban dhe rural, vihet re qartësisht se 60% e pacientëve janë në zonat urbane dhe 40 nga zonat rurale. Ndërkohë që raporti meshkuj/femra vazhdon të jetë 2:1. Gjatë vitit 2017, këta pacientë me MDR-TB do të trajtohen në vendin tonë, pasi do të ndërtohet klinika e specializuar e trajtimit të pacientëve me MDR-TB pranë Spitalit Universitar të Tiranës “Shefqet Ndroqi”. Ky spital është institucioni kryesor në luftën kundër tuberkulozit.

Parandalimi i tuberkulozit
• Tuberkulozi është sëmundje që shërohet dhe parandalohet plotësisht.
• Mjekimi më i mirë është parandalimi i TB-së.
• Vaksinimi i fëmijëve.
• Kontrolli dhe mjekimi parandalues.
• Diagnoza e hershme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.