EKONOMI

Artan Goda: Insufiçenca kardiake, moshat më të rrezikuara

06:22 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE
Mjekët specialistë japin alarmin e rritjes së rasteve të personave që vuajnë nga insufiçenca kardiake (IK), ndërkohë që vetëm gjatë një viti janë diagnostikuar 3360 raste të reja, çka do të thotë se minimalisht çdo ditë preken 9-10 persona. Sipas statistikave zyrtare, afërsisht 140 mijë shqiptarë vuajnë nga kjo sindormë, që ka të bëjë me stadin përfundimtar të sëmundjes së zemrës dhe që zhvillohet për shkak të sëmundjeve të arterieve koronare, presionit të lartë të gjakut, sëmundjeve valvulare të zemrës apo defekteve të lindura, të cilat shkaktojnë mbingarkesë të punës së zemrës. Ndërkaq, përmes kësaj interviste dhënë për suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare”, shefi i Shërbimit të Hemodinamikës e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Artan Goda shpjegon në detaje se cilët janë personat më të rrezikuar, shenjat e kësaj sëmundjeje, duke dhënë edhe këshillat për kapjen në kohë.
Doktor, çfarë është insufiçenca kardiake?
Insufiçenca kardiake është një anomali e strukturës apo funksionit të zemrës, që çon në pamundësi të saj për të shpërndarë oksigjen në përputhje me kërkesat e metabolizmit indor të trupit. Ajo është një sindromë ku pacientet kanë simptoma tipike: për shembull vështirësi në frymëmarrje, ënjtje të kyçeve apo lodhje si dhe shenja karakteristike, siç është rritja e presionit venoz, që shkaktohen nga një anomali e strukturës apo funksionit të zemrës. Insufiçenca kardiake është një problem global i shëndetit publik, pasi në botë numërohen rreth 26 milionë pacientë. Ndërkohë që, prevalenca e kësaj patologjie pritet të rritet me 46% nga 2012 në 2030.
Cilat janë moshat më të rrezikuara për t’u prekur nga kjo patologji?
Nëse unë do i referohem prevalencës së kësaj sëmundjeje, atëherë mund të thuhet se kjo sëmundje është më e shpeshtë te moshat mbi 80 vjeç. Në pavionin tonë mbi 20% e pacientëve janë mbi 80 vjeç. Prevalenca e kësaj sëmundjeje në botë te këto mosha është 13.5% te femrat dhe 10.6% te meshkujt. E rrezikuar është edhe grupmosha 60-79 vjeç, ku 6.6% janë meshkuj dhe 4.8% janë femra. Kjo patologji haset më rrallë te grupmoshat 20-39 vjeç dhe 40-59 vjeç. Ajo që dua të theksoj është rritja e konsiderueshme e incidencës së kësaj sëmundjeje gjatë dy dekadave të fundit, ku incidenca vjetore është dyfish më e lartë për çdo dekadë jete.
Kush rrezikohet më shumë për t’u prekur nga insufiçenca kardiake: meshkujt apo femrat?
Sipas statistikave më të fundit, femrat janë më të rrezikuara për t’u prekur nga insufiçenca kardiake sesa meshkujt. Ndërkohë që, në moshën 40 vjeç rreziku gjatë jetës për të zhvilluar IK është 1 në 5 si për meshkujt dhe për femrat.
Cilat janë disa nga shkaqet e kësaj sëmundjeje?
IK mund të vijë si pasojë e një sërë dëmtimesh të sistemit kardiovaskular. Pra, ajo zhvillohet për shkak se pacientët kanë apo kanë pasur sëmundje ishemike të zemrës, hipertension, sëmundje valvulare dhe reumatizmale, sëmundje kardiopulmonare, etj. Për shembull, nëse pacienti vuan nga sëmundje e mushkërive, ka më pak oksigjen në gjak dhe zemrës i duhet të punojë më tepër për të shpërndarë oksigjenin, gjë që mund të shkaktojë IK. Ndërkaq, faktorët kryesorë të rrezikut për pacientët janë: seksi mashkull, infarkt miokardi i kaluar më parë, etj.
Cilat janë disa nga shenjat, që duhet ta drejtojnë një person te mjeku?
Shenjat më tipike janë: vështirësi në frymëmarrje, ulje e aftësisë ushtrimore, lodhje, dobësi, zgjatje e kohës së rikuperimit pas ushtrimit, ënjtje e kyçeve, marrje e frymës gjatë natës, etj. Shenja më specifike kanë të bëjnë me: rritjen e presion venoz, zhurmën kardiake etj. Janë edhe një grup shenjash, më pak tipike si: kolla gjatë natës, shtimi në peshë më shumë se 2 kg në javë apo rënie në peshë për një IK të avancuar, ndjesi fryrjeje, humbje oreksi, konfuzion (veçanërisht te të moshuarit) apo depresion.
Cila është këshilla juaj?
Nëse insufiçenca kardiake dallohet në kohën e duhur dhe trajtohet siç duhet, pacientët mund të kenë një jetë të gjatë dhe cilësore. Një problem që ne vëmë re lidhet me aderencën e dobët ndaj medikamenteve dhe udhërrëfyesve, çka shoqërohet me rezultate më të dobëta te këta pacientë. Aderenca ka të bëjë me sasinë e medikamenteve, ku për shembull mjeku përshkruan 5 kokrra dhe pacienti merr vetëm 3. Kjo çon në uljen e cilësisë së jetës, kosto të larta shëndetësore dhe rritje të vdekshmërisë. Për të minimizuar risqet është e rëndësishme përshtatja e mënyrës së jetesës, duke mbajtur një peshë konstante, pakësimi i sasisë së kripës, konsumimi i lëngjeve apo konsumim i ulët i alkoolit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.