Tech

Manipulimet/ Pse u detyrua Banka e Shqipërisë të ndryshojë rregullat e konkursit

23:16 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kur zyrtarët e Bankës së Shqipërisë ideuan një konkurs për fëmijë patën synim edukimin e fëmijëve për një marrëdhënie më të mirë me lekun. Sigurisht që nuk prisnin të kishin në garë qindra prindër të kapluar nga ethet e fitores me çdo kusht.
Gara nisi në Facebook. Konkurentët duhej të postonin një vizatim të fëmijës me temë nga kursimi i parave, me emrin e fëmijës përbri. Sipas rregullores, konkursin e fitonte kush merrte më shumë pëlqime.
Vizatimet nisën të postohen ngadalë. Në pak ditë u bënë disa dhjetëra të tilla. Derisa arritën në mbi 500 copë, një numër që organizatorët nuk e kishin parashikuar. Loja u bë serioze dhe bashkë me fëmijët, emocionet përfshinë prindërit.
Një tjetër surprizë e pakëndshme ishte rritja e pëlqimeve në mënyrë të pamerituar për vizatime të veçanta. Ngjyrat dhe shkronjat e fëmijëve i njollosi hilja dhe çmenduria e prindërve për ta fituar garën medoemos.
Zyrtarët e Bankës së Shqipërisë vunë re se shumë pëlqime ishin fiktive. Kishte disa qindra pëlqime “të porositura” për vizatime të caktuara. Për të qenë të ndershëm me garën, i ndryshuan rregullat në mes të lojës.
Para se të shpallej fituesi, njoftuan se përveç pëlqimeve do të merrej parasysh edhe vendimi i një jurie me zyrtarë të Bankës së Shqipërisë dhe të tjerë nga administrata, për të shmangur fitoret e pamerituara. Tani nuk ishin përballë një grupi fëmijësh me lapsa në duar, por iu duhej të merreshin me disa qindra të rritur, që nuk pranonin humbjen e fëmijëve të tyre.

Përzgjedhja e fituesve nuk ishte e lehtë, por pavarësisht presionit, organizatorët e konkursit u përpoqën të skualifikojnë vizatimet me pëlqimet e ekzagjeruara.

Duken të largëta kohët kur thuhej se”nuk ka rëndësi të fitosh, rëndësi ka të marrësh pjesë”.
Gjithsesi gjithçka ka përfunduar pa incidente dhe Banka e Shqipërisë shpalli sot fituesit, fatmirësisht pa masa ekstreme sigurie.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.