SPORT

Ndaj Bosnjës në sulm, De Biazi përgatit skemën me dy sulmues

14:42 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ndeshja me Italinë la disa të pa kënaqur, mes tyre edhe sulmuesin Armando Sadiku. Megjithatë, në ndryshim nga Taulant Xhaka, bomberi nuk bëri polemika, edhe pse dukshëm u pa nervoz para sfidës në Palermo, në një kohë që De Biazi i kishte besuar sulmin Sokol Cikalleshit. Para stërvitjes së djeshme në Durrës, De Biazi gjeti momentin për të folur me Sadikun. Në mes të fushës, trajneri dhe lojtarë biseduan gjatë, teksa “Panorama Sport” zbuloi edhe një pjesë të diskutimit.

Sulmuesi pritet të jetë në fushë nga minuta e parë nesër kundër Bosnjës. Fillimisht ka qenë zv.trajneri Veroneze, ai që me një letër në dorë, po i shpjegonte mënyrën se si duhet të sillet sulmuesi në fushë, ndërsa më pas De Biazi ka qëndruar gjatë në fushë me lojtarin, duke e kërkuar të ndiqte këshillat e tij me përpikmëri. Nga ana e tij, Sadiku u shpreh i gatshëm për gjithçka, duke ia miratuar çdo gjë trajnerit.

Provat

Mungesa e rezultateve në ndeshjet eliminatore ka bërë që takimi nesër ndaj Bosnjës të mos shikohet thjesht si miqësore nga De Biazi. Kreu i pankinës pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, me synimin për ta fituar këtë sfidë. Në varësi të rezultatit, do t’u jepet hapësirë lojtarëve të tjerë të grumbulluar.

De Biazi u shfaq mjaft serioz në seancën e djeshme, duke provuar edhe lojtarët që mund ta nisin nga minuta e parë. Ndryshime të vogla pritet të ketë në formacion, krahasuar me përballjen ndaj Italisë, ndërsa me shumë gjasa italiani do të ndryshojë taktikë.

Ndaj Bosnjës pritet të mos e shikojmë Shqipërinë klasike, atë me rreshtimin 4-5-1, pasi De Biazi do të guxojë, duke hedhur në fushë dy sulmues të mirëfilltë: Sadikun dhe Cikalleshin. Në luftë për një vend është edhe Balaj, por gjithçka pritet të konfirmohet sot në stërvitjen e fundit.

Ndërkohë, paraqitja dinjitoze e Veselit do të thotë se reparti i mbrojtjes nuk do të ketë asnjë ndryshim. Ajeti dhe Veseli do të luajnë në qendër, të ndihmuar nga të padiskutueshmit në krah nga Elseid Hysaj dhe kapiteni Agolli. Dilema e vetme është që ky i fundit, duke qenë se vjen pas një angazhimi të ngjeshur me klubin dhe njëkohësisht ka marrë minuta të plota ndaj Italisë, mund ta nisë nga stoli, për t’i dhënë shansin Naser Alijit.

Në mesfushë dyshja Kukeli-Memushaj do të jetë në qendër, ndërsa në të majtë Roshi dhe në të djathtë një mes Grezdës dhe Lilës. Të paktën këtë la të kuptohet italiani gjatë seancës së djeshme. Kjo e fundit nisi me ushtrime atletike, të cilat shërbejnë për nxehmje, ndërsa më pas grupi i lojtarëve iu nënshtrua urdhrave të De Biazit, i cili kishte përgatitur skemat që do të aplikojë ndaj Bosnjës. Edhe këtë herë, italiani u dha më tepër rëndësi goditjeve standarde, atje ku skuadra po çalon. Stërvitja u mbyll me një lojë brenda grupit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.