LIFE STYLE

Nga hepatitet te diarreja, sëmundjet që shmangni me larjen e durarve

10:41 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Mikrobet janë kudo dhe mund të përhapen lehtë nga një vend në një tjetër nëpërmjet ujit, objekteve, gjallesave dhe grimcave të pluhurit. Gjatë ditës, duart tona janë në kontakt me shumë objekte, të tilla si: aparatet telefonike, kartëmonedhat, mjetet e transportit, dorezat e dyerve etj., mbi të cilat janë të fshehura miliona mikroorganizma, disa prej të cilave kanë aftësi patogjene. Gjithashtu, këto mikrobe mund të hyjnë në trup kur duart i çojmë në hundë, gojë, sy, edhe pse janë të padallueshme me sy të lirë për njeriun. Për më tepër, disa baktere kanë shfaqur një rezistencë të fortë ndaj antibiotikëve, prandaj është i rëndësishëm parandalimi i infeksionit duke i larë duart tuaja tërësisht, veçanërisht për personat me një sistem të dobësuar imunitar (një ftohje banale mund të komplikohet në një bronkit kronik). Është mjaft e rëndësishme që gjithkush ta kthejë në zakon larjen e duarve, në dukje një veprim shumë i thjeshtë, por që shpesh nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Shumë shpërthime sëmundjesh me origjinë nga ushqimet shkaktohen nga duart e palara. Prania e baktereve dhe viruseve që ndodhen në duart tona mund të shkaktojë grip, sëmundje pulmonare, hepatitin e formës A dhe shumë forma të diarreve. Larja e duarve është mënyra e vetme, më e thjeshtë, më e mirë, më e dobishme, më efektive dhe më ekonomike për parandalimin e përhapjes së baktereve dhe viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje dhe vdekje që vijnë prej duarve të palara. Larja e duarve me sapun mund të parandalojë rreth 50% të vdekjeve nga diarreja dhe rreth 25% të vdekjeve nga infeksionet respiratore akute. Po ashtu, është me rëndësi të thuhet se, të bërit zakon i larjes së duarve është mjaft domethënës për nxënësit e shkollave. Shkollat janë një mjedis shumë efektiv për të mësuar dhe më pas praktikuar këtë zakon. Por që të ndodhë një gjë e tillë, nxënësve duhet t’u krijohen kushte, të tilla si vende për larjen e duarve dhe WC të mira, përfshirë këtu sapunin dhe ujin e bollshëm. Kjo qasje siguron që zakone të shëndetshme të mësohen, praktikohen dhe të integrohen në rutinat e përditshme shkollore.

Fakte
•   Më shumë se 5.000 fëmijë vdesin në ditë, ose 1.7 milionë fëmijë vdesin çdo vit nga çrregullimet diarreike nën moshën 5 vjeç.
•   Diarreja është shkaku i dytë i vdekjes së fëmijëve nën 1 vjeç.
•   Larja e duarve, sidomos në momentet më kritike, si përpara ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe mbas përdorimit të banjës, mund të reduktojë deri në 50% diarretë te fëmijët nën 5 vjeç.
•    Larja e duarve me sapun mund të reduktojë incidencën apo rastet e reja me infeksion akut respirator në rreth 23%.
•    Pneumonia, si pjesë e infeksioneve akute respiratore, është shkaku numër një i vdekjeve te fëmijët nën 5 vjeç dhe çdo vit prej saj preken 1.8 milionë fëmijë.
•    Diarreja dhe pneumonia së bashku llogarisin çdo vit të paktën 3.5 milionë vdekje të fëmijëve.
•    Larja e duarve, nga vëzhgimet që janë bërë në mbarë botën është në shifra të ulëta (34 %), sidomos në momentet më kritike. Këto sëmundje janë përgjegjëse për rreth 3.5 milionë të vdekjeve foshnjore çdo vit.
•    Çdo ditë, më shumë se 5 mijë fëmijë nën 5 vjeç vdesin për shkak të nivelit të ulët të higjienës në vendet ku banojnë.

Kur duhen larë duart
• Mbas kryerjes së çdo pune apo aktiviteti.
• Para dhe pas ngrënies.
• Pas përdorimit të banjës.
• Kur kolliteni, teshtini ose shfryni hundën.
• Kur duhet të kujdeseni për një person të sëmurë.
• Kur hidhni plehrat, mbas prekjes së flokëve apo lëkurës suaj.
• Mbas prekjes së kafshëve.
• Kur përdorni transport publik, etj.

Mënyra korrekte e larjes së duarve
•    Lagni duart me ujë të ngrohtë.
•    Merrni sapunin dhe sapunisini duart.
•    Fërkoni duart me njëra-tjetrën, (pëllëmbët, kurrizin e duarve dhe midis gishtave) të paktën për 20 sekonda.
•    Shpëlani duart mirë.
•    Thani duart tuaja me letër të posaçme njëpërdorimshe, me peshqir të pastër ose me ajër të ngrohtë.
•   Mbyllni çezmën me pecetë dhe hidheni atë në kosh.
•   Sapuni i zakonshëm ose i lëngshëm është i mjaftueshëm për të hequr mikrobet nga duart tuaja, ose ju mund të përdorni solucionet e duarve me bazë alkooli për të dezinfektuar duart tuaja në të thatë.
Kujdes: Vetëm uji nuk mjafton! Për një larje efikase është shumë i rëndësishëm përdorimi i sapunit dhe i solucioneve të tjera të rekomanduara për larjen e duarve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.