EKONOMI

Falja e taksave për 100 mijë automjete, si të përfitoni

09:12 - 28.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela MANJANI

 

Taksat që drejtuesit e automjeteve nuk i kanë paguar nga viti 2011 deri në 2015-ën do të falen. Vlera e taksave që propozohet të fshihen arrin në 5.3 miliardë lekë dhe përfitues do të jenë ata pronarë mjetesh që do të nxjerrin makinën nga qarkullimi. Numri i automjeteve që mund të përfitojnë nga falja është 100 mijë dhe afati për të përfituar është shtyrë deri në fund të vitit.

Komisioni

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka prezantuar dje projektligjin për fshirjen e detyrimeve, si dhe të nxjerrjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit, në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave. Ky projektligj, sipas ministrit Ahmetaj vjen pas një periudhe dhjetëmujore konsultimesh me biznesin dhe me institucionet financiare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar. Heqja nga qarkullimi dhe çregjistrimi i mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarjen e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Gjithashtu, për mjetet e transportit të cilat nuk hiqen nga qarkullimi, parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat 2010 e më parë, dhe fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve nga 2011-ta e në vijim. “Fshirja do të bëhet sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, duke pasur objektiv cenimin sa më të vogël të kulturës së pagesës së detyrimeve”, – ka shtruar ministri. Afati kohor, prej të cilit tatimpaguesit do të kenë mundësi të përfitojnë nga fshirja e detyrimeve, do të shtyhet deri në fund të vitit, nga 6 muaj që parashikohej më parë. Ahmetaj tha se janë ezauruar të gjitha masat shtrënguese nga ana e administratës tatimore, dhe ky ligj do të jetë një stimul për t’u kryer pagesat e detyrimeve të pesë viteve të fundit. Megjithatë, në fjalën e saj, Blerina Gjylameti, relatore e Komisionit, krahas aspekteve pozitive, si lehtësimi i bizneseve dhe pastrimi i bilanceve nga detyrimet e fryra, tha se fshirja e detyrimeve do të ketë efekte negative mbi kulturën e tatimpaguesve, dhe duhen minimizuar politikat e faljeve të vazhdueshme.

Çregjistrimi

Projektligji për faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për bizneset debitore si dhe për faljen e taksave dhe kamatave për automjetet nis shqyrtimin në komisionet parlamentare. Sipas draftit përfundimtar që është diskutuar dje në komision, do të përfitojnë pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar asnjë taksë prej vitit 2011 e në vazhdim dhe duan të çregjistrojnë mjetet e tyre, të cilët duhet të paraqesin në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Rrugor katër dokumente. Pronari i mjetit do të përfitojë falje për të gjitha detyrimet në momentin që kërkon çregjistrimin e mjetit, dhe duhet të paraqesë: Lejen e qarkullimit, certifikatën e pronësisë dhe targat e mjetit. Në rast se nuk i ka këto dokumente, i kanë humbur ose ia kanë vjedhur, duhet të paraqesë denoncim nga policia. Procedura për çregjistrimin e mjeteve do të nisë menjëherë pas miratimit nga qeveria të draftit “Për pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes se detyrimeve tatimore”. Drafti pritet të kalojë sot në mbledhjen e qeverisë dhe menjëherë pas miratimit, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor do të përgatisë udhëzimin për të gjitha mjetet që përfitojnë nga falja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.